2013-03-26 14:28:59

Papa Françesku do të vazhdojë të banojë në Domus Sanctae Marthae


Papa Françesku do të vazhdojë të banojë në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan e tani për tani, nuk ka ndërmend të shkojë në Apartamentin papnor. Lajmi u bë publik nga drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:
Në përfundim të Meshës së mëngjesit të sotëm, Ati i Shenjtë, me fjalë të thjeshta, na la të kuptojmë se – të paktën në këtë fazë – dëshiron të banojë me të tjerët në Domus Sanctae Marthae. Papa është zhvendosur nga dhoma ku qëndronte gjatë Konklavit, në një ambient më të madh, ku zakonisht qëndrojnë miq me rëndësi. Aty ka më shumë mundësi të presë me lehtësi njerëz, duke pasur në dispozicion një hapësirë më të gjerë. Për audiencat, për veprimtaritë normale të paradites – si takimet me grupe, pritjet e vizitorëve të rëndësishëm e kështu me radhë – përdor, që prej disa ditësh, apartamentin e audiencave papnore në katin e dytë të Pallatit Apostolik, ku ndodhen Salla Klementine, Biblioteka private dhe ambiente të tjera për veprimtarinë zyrtare të Atit të Shenjtë. Por, si banesë, konsideron Shtëpinë e Shën Martës.







All the contents on this site are copyrighted ©.