Don Mila Defar, në përvjetorin e kalimit të tij në amshim
Më 26 mars përkujtojmë përvjetorin e kalimit në Amshim të meshtarit të jashtëzakonshëm,
dom Milorad (“don Mila”)Defarit 02. 02. 1924 –
26. 03. 2009, me prejardhje kroate, që tërë jetën ia kushtoi shërbimit të
Zotit ndër shqiptarë në të gjitha trevat: nga Mali Zi, në Kosovë e në Shqipëri. Ky
meshtar i përshpirtshëm e punëtor i palodhshëm, aq shumë i mëshiroi jetën me Ungjillin
e Krishtit ndër shqiptarë, sa që në Mal të Zi e Kosovë thirrej don Mila, në Shqipëri
don Marjani, për të gjithë qe gjithmonë e kurdoherë Alter Christi, ikonë e Jezusit
të butë e të përvujtë. Don Mila ndërroi jetë më 26 mars 2009 në Podgoricë,
meshtar kroat, që tërë jetën e vet meshtarake e kaloi si misionar në popullin shqiptar
të cilit i shërbeu pa kursim duke i kumtuar Fjalën Jetëdhënëse e Liridhënëse të Jezusit
Shpëtimtar. Don Mila lindi më 02 shkurt 1924 në Bosanski Brod të Kroacisë, ku prindërit
e tij kishin ardhur nga Istra (e Kroacisë). Ata patën lidhje familjare me ipeshkvin
e atëhershëm të Shkupit, izmot Smiljan Franjo Čekada, i cili e ftoi don Miloradin
e ri, që ende ishte student i teologjisë, të shërbente në dioqezën e Shkup-Prizrenit.
Katër klasët e para të shkollës fillore don Miloradi i kreu te murgeshat e Shën
ryqit në Bosanski Brod, kurse gjimnazin real shtetëror në Slavonski Brod. Filozofinë
e teologjinë në Universitetin e Zagrebit, në vitet 1945-1951. Shugurimin meshtarak
e pranoi më 02 korrik 1950. Pastaj shkoi në shërbimin ushtarak. Nga 28. 11. 1952
shërbeu në Gjakovë si ndihmës i don Marjan Gllasnoviqit-Shala. Në të njëjtën kohë
ishte kujdestar i Shenjtërores së Shën Antonit ne Gjakovë dhe zëvendës-famullitar
në Novo Sellë, duke zëvendësuar priftin e njohur don Nikollë Minin, që në atë kohë
ishte në shërbimin ushtarak. Më 06 tetor 1961 don Miloradi u emërua ndihmës famullitar
i don Luka Filiq-it në bashkësinë Kishtare të fshatit Smaq (të Gjakovës). Pas vdekjes
se don Lukës, me 22 mars 1962, u emërua famullitar i kësaj bashkësie Kishtare të Smaqit,
e në atë detyrë qëndron deri në vitin 1989. Gjatë misionit të tij meshtarak, pa lënë
anash asnjëherë detyrën parësore: predikimin Fjalës së Zotit dhe kremtimin e mbarështim
e Sakramenteve të Shenjta, don Mila qendrën e famullisë kishtare nga fshati Smaqi
e kaloi në fshatin më qendror të Bishtazhini, ku ndërtoi edhe Kishën madhështore të
Zojës së Bekuar Rruzare. Don Miloradi të cilin populli shqiptar e quante shkurtimisht
“Don Mila”, tregonte që Kisha e vjetër dhe selia famullitare
në fshatin Smaq ishte larg besimtarëve që jetonin në fshatrat përreth, ndërsa fshati
Bishtazhin ishte pothuajse në qendër të të gjitha fshatrave që formonin këtë bashkësi
kishtare. Në kohën kur është ndërtuar Kisha e re e fshatit Bishtazhin, regjimi e qeveria
komuniste e kohës ishte në lulëzim dhe jo vetëm që nuk lejonte ndërtimin e Kishës,
por me çdo kusht pengonin edhe aktivitetet e ndryshme baritore e shpirtërore të Kishës
Katolike. Për leje të ndërtimit të Kishës kërkoheshin të paktën tre projekte të ndryshme.
Komuna dha leje vetëm për projektin më të vështirë e më të kushtueshëm, për të cilin
mendonin se realizimi i tij do të ishte i pamundshëm në rrethanat e asaj kohe. Por
don Miloradi, me ndihmën e Zotit dhe të bamirësve, ia arriti ta ndërtonte Tempullin
e ri të Zotit, të cilin ia kushtoi Zojës së Bekuar Rruzare, Kishë, që është një ndër
më të bukurat që ka dioqeza e Kosovës. Çdo gur në kishën e Bishtazhinit duhej
të jetë gjashtëkëndësh – në formë të hojes së mjaltit – e secili i lidhur me armaturën
e hekurit në murin e betonit. Këtë punë fort mirë e kanë bërë mjeshtrit
e fshatit Stublla e Epërme. Nga bashkësia kishtare e Bishtazhinit, don Mila
me vite shërbeu edhe në famullinë kishtare të Gucisë në Mal të Zi. Nga viti 1989
kur largohet nga famullia e Bishtazhinit me kërkesë të ipeshkvit imzot Nikë Prela
e imzot Joakim Herbutit, për disa vjet shërbeu si misionar për shqiptarët në Kroaci
(Zagreb). Pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri më 1990, dom Mila me rastin
e vizitës së Gjon Palit II në Shqipëri më 1993 shkon nga Kroacia në Shkodër, e duke
falënderuar Zojën e Shkodrës për shërbimin e tij të papritur, edhe pse i shtyrë në
moshë vendos menjëherë në viti 1993 të shërbente në Shkodër, e kështu u emërua nga
imzot Frano Illija prift famullitar në Shkrel (Shqipëri). Pas disa vjetësh, i lodhur
nga mosha e sëmundja, kalon në kryedioqezën e Tivarit e këtu ipeshkvi imzot Zef Gashi
ia beson famullinë kishtare të Shën Gjergjit (në Mal të Zi)ku shërbeu deri në shpenzimin
e të gjitha forcave fizike. Pleqërinë e kaloi pranë kuries së kryeipeshkvisë së Tivarit,
me kryeipeshkvin e vendit, imzot Zef Gashin. Në vitet e fundit të jetës së tij, në
kohën e sëmundjes, u shërbente Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer në Podgoricë,
ku edhe ndërroi jetë, më 26 mars 2009.
Meshën e dritës së don Milës në Kishën
famullitare të Podgoricës e kremtoi imzot Zef Gashi, kryeipeshkëv i Tivarit, në bashkëkremtim
me imzot Ilija Janjić, ipeshkëv i Kotorrit dhe 20 meshtarë nga Mali i Zi, Kosova e
Shqipëria. Në meshë për shpirtin e këtij meshtari të jashtëzakonshëm morën edhe
pjesë shumë motra rregulltare françeskane të Zojës së Papërlyer, si dhe një numër
i madh besimtarësh nga Podgorica, Shën Gjergji, Bishtazhini dhe Shkreli. Varrimi
i don Miloradit u bë të shtunën, më 28 mars 2009, në orën 12, në Požega, në Kroaci,
ku gjenden varrezat e familjes së tij të gjakut, Defar. I përjetshëm qoftë kujtimi
i tij.