2013-03-25 15:23:27

Urimet e Papës Françesku për Pashkët hebraike


Papa Françesku i bën urimet Kryerabinit të Bashkësisë hebraike të Romës, Rikardo Di Senji, me rastin e “Pezah”, Pashkëve hebraike, që kremtohen nesër, më 26 mars. “Zoti i Gjithpushtetshëm, që e çliroi popullin e vet nga skllavëria e Egjiptit, për ta udhëhequr drejt Tokës së Premtuar – shkruan Ati i Shenjtë – ju liroftë nga çdo e keqe e ju shoqëroftë me bekimin e Vet. Ju kërkoj të luteni për mua – vazhdon Papa – ndërsa unë ju siguroj për lutjen time, duke shpresuar në thellimin e lidhjeve të vlerësimit e të miqësisë së ndërsjelltë”.
Në Mesazh, Horhe Mario Bergolio, falenderon sërish Kryerabinin për praninë e tij dhe të anëtarëve të tjerë të shquar të Bashkësisë hebraike në Meshën për fillimin e shërbimit papnor.
Siç shkruhet në faqen e internetit të Bashkësisë hebraike të Romës, kryerabini ka mbetur tejet i kënaqur nga urimet dhe do ta falenderojë Papën gjatë orëve të ardhshme, duke i bërë urimet për Pashkët katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.