2013-03-25 10:04:01

Si duhet jetuar Javën e Shenjtë të Pashkëve


Me të Dielën e Larit, nisi Java e Madhe e Pashkëve. Në Vatikan Papa i ri Françesku kremtoi këtë të Diele të veçantë liturgjike që përkujtoi hyrjen e ngadhënjimin mbretëror të Krishtit në Jerusalem dhe rrëfimin e mundimeve të Tij deri me kryqëzim e vdekje mbi Kryq.
Të Enjten e ardhshme Kisha kremton të Enjten e Madhe të Pashkëve: Duke u nisur nga Papa, ipeshkvi i Romës e në çdo Kishë Katedrale të botës nga ipeshkvi vendor, kremtohet Mesha e bekimit të vajrave të Shenjtë, që quhet Mesha e Bagmit. Papa në Romë do të kremtojë bashkë me kardinaj, ipeshkvij dhe meshtarë dioqezan e rregulltarë, ndërsa nëpër Kishat Katedrale çdo ipeshkëv ordinar kremton bashkë me klerin dioqezan, në shenjë bashkimi meshtarak e kishtar dhe atë ndërmjet Bariut të Kishës dioqezane me Bariun e Kishës Universale.
Fillon kështu Treditëshi i Shenjtë i Pashkëve, ai i Mundimeve e Ngjalljes së Zotit, që është "kulmi i tërë vitit liturgjik". E ky treditësh i Shenjtë nis pikërisht të Enjten e Pashkëve me kremtimin e Meshën e Darkës së fundit të Krishtit, dhe gjen thelbin e kulmin e vet në Natën e pagjumë të Pashkëve dhe përfundon me lutjet mbrëmësore të së Dielës së Ngjalljes.
Kështu, të Enjten e Madhe më 28 mars, kremtohet Mesha e Darkës së Mbrame të Krishtit. Me këtë kremtim Eukaristik, që kremtohet në orët e mbrëmjes, Kisha kujton darkën e fundit, gjatë së cilës Zoti ynë, Jezu Krishti, në natën kur po tradhtohej, duke i dashur deri në fund të fundit të vetët që ishin në botë, i dhuroi Hyjit Atë Korpin dhe Gjakun e vet nën trajtën e bukës dhe të verës, ua dha apostujve si ushqim dhe i urdhëroi ata e pasardhësit e tyre në meshtari ta përsërisnin këtë në kujtim të Atij që po flijohej për shpëtimin e njerëzimit.
Gjatë kremtimit të Eukaristisë së Shenjtë të Enjtes së Pashkëve, pas liturgjisë së Fjalës Hyjnore e homelisë, kremtohet riti i larjes së këmbëve të dymbëdhjetë meshtarëve.
Të Premten e Madhe, më 29 mars, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Ati i Shenjtë do t'i prijë kremtimit të Liturgjisë të Fjalës së Zotit.
Në këtë ditë, në të cilën Krishti u flijua për shëlbimin e njerëzimit me vdekjen mbi Kryq, Kisha, me meditimin e mundimeve të Zotit e Dhëndrit të vet dhe, me adhurimin e Kryqit - përkujton zanafillën e vet nga kraharori i shporuar i Krishtit dhe ndërmjetëson për shëlbimin e mbarë botës.
Po më 29 mars, duke nisur nga ora 21.00, Papa, sipas traditës do të udhëheqë "Udhën e Kryqit" pranë amfiteatrit romak Koloseut, sivjet me meditimet që shkruar kardinali Giovanni Lajolo. Në përfundim Papa Françesku do t'u drejtojë fjalën besimtarëve të pranishëm dhe do t’u japë Bekimin e Tij Apostolik.
Të Dielën 31 mars kremtojmë Pashkët e Ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krisht. Kremtimi më i rëndësishëm i tërë Vitit Liturgjik, pra festa themelore e fesë së krishterë, fillon që të Shtunën e Shenjtë, më 30 mars, nis me Natën e Pashkëve, në nderim të Jezusit që dhuroi jetën e Tij për ne mbi Kryq, e sipas një tradite shumë të lashtë, të Shtunën e Shenjtë të Pashkëve, kremtohet me lutje e Liturgji Hyjnore, që na kujtojnë pikërisht Natën në të cilën Krishti u Ngjall prej së vdekurish. Kjo natë konsiderohet me të drejtë si "Nënë e të gjitha netëve të lutjes". Këtë Natë të Shenjtë, Kisha rri zgjuar, në lutje e në pritje të Ngjalljes së Zotit dhe atë e kremton me Sakramentet e zanafillës së krishterimit. Në Bazilikën e Vatikanit, Ritet e Shenjta të Natës së Pashkëve, do të kremtohet nga Papa.
Ati i Shenjtë do të bekojë zjarrin e ri në tremen e bazilikës, më pas procesioni do të hyjë në bazilikë me qiriun e Pashkëve dhe me këngën "Exultet". Me të arritur në elter, do të fillojë liturgjia e Fjalës së Zotit, vijon liturgjia e Pagëzimit dhe liturgjia eukaristike, që do të bashkëkremtohet nga kardinajtë, patrikët, kryeipeshkvijtë, ipeshkvijtë dhe meshtarët.
Me të Dielën e Pashkëve, fillon "hapësira gazmore e Ngjalljes”, e vijon koha e Shenjtë e Rrëshajëve, ose 50 ditshi i Pashkëve, në të cilën Kisha kremton praninë e të Ngjallurit dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt.
Mesha e Ditës së Pashkëve do të kremtohet në tremen e Bazilikës së Vatikanit, udhëhequr nga Papa Françesku i cili, sipas traditës, në përfundim të kremtimit do të japë bekimin "Urbi et Orbi" - "Romës e Botës.

Por si duhet të përgatitemi për Treditëshin e Pashkëve? Me shumë fe, me shumë vëmendje, me pjesëmarrje në kremtime e ndjekjen e kujdesshme të teksteve biblike që përdor këto ditë Kisha, që nga e Diela e Larit e deri në të Dielën e Pashkëve, sepse në këtë Javë të Madhe të Pashkëve përmblidhet kremtimi liturgjik i misterit të shëlbimit tonë: mundimi, vdekja e ngjallja e Jezu Krishtit. Kush e ndjen me fe e në shpirt Javën e Madhe, e kupton krishterimin. Kush nuk e kupton Javën e Madhe të Pashkëve, nuk mund ta kuptojë deri në fund të fundit fenë tonë të krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.