2013-03-24 15:23:03

E Diela e Larit. Papa: gëzohuni, mos lejoni t’jua grabisin shpresën. Të rinjve: mirupafshim në DBR-së


Nëse e do Kryqin, i krishteri nuk mund të jetë i trishtuar. E nuk duhet të lejojë që e keqja t’ia grabisë shpresën. Ky ishte mesazhi i Papës Françesku, sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit, ku kryesoi Meshën solemne të së Dielës së Larit, përballë rreth 250 mijë njerëzve. Ati i Shenjtë përshëndeti gjithë të rinjtë e botës, duke u lënë takim në Ditën Botërore të Rinisë, korrikun e ardhshëm.

Ftesë drejtuar mbarë botës: mos lejoni askënd t’jua grabisë shpresën!
Ftesë drejtuar të rinjve: thoni botës se është bukur të ndjekësh Jezusin!
Ftesë të gjithëve, pa asnjë dallim: nëse ndokush është i krishterë, nuk mund të mos jetë edhe i lumtur, sepse Kryqi, kur duhet, sjell vetëm gëzim!
Sheshi i Shën Pjetrit, mbushur sa më nuk zinte, me palmat e ullinjtë shekullorë të Pulies, të kujtonte Jeruzalemin e dymijë vjetëve më parë. Në këtë atmosferë festive, Papa Françesku u shpjegoi besimtarëve, për herë të parë në misionin e ri, dramën që ndryshoi botën. U nis pas Krishtit, Mbret pa kurorë, në hyrje të Jeruzalemit, me kurorë ferrash mbi krye në Udhën e Kryqit, në sa hosanatë ktheheshin në tallje e palmat, në gozhda. Sipas stilit të tij, duke komentuar liturgjinë, Papa vuri theksin mbi tri fjalë kyçe. E para, gëzimi i festës, plot dritë e hare, që e rrethon Jezusin, kur hyn në Qytetin Shenjt. Papa bëri thirrje pikërisht për gëzim:
“Nuk duhet të jeni kurrë burra e gra të trishtuara: i krishteri nuk mund të jetë kurrë i trishtë! Mos e humbisni kurrë guximin! Gëzimi ynë nuk lind nga pasja e shumë sendeve, lind nga takimi me një Vetje: me Jezusin, që është mes nesh; lind nga vetëdija se me Të nuk jemi kurrë vetëm, edhe në çastet më të vështira (…). E çaste të tilla nuk mungojnë. Pikërisht në këto çaste vjen armiku, vjen djalli, i maskuar si engjëll e shpesh, tinzisht, na e thotë fjalën e tij. Mos e dëgjoni! Ndiqeni Jezusin!”.
Pastaj, si të mos i dukej e mjaftueshme kjo thirrje, Papa Françesku ngriti sytë nga teksti i shkruar, gjë që e bëri disa herë gjatë homelisë e, duke ia ngulur mirë turmës, shtoi:
“E, ju lutem, mos lejoni askënd t’jua grabisë shpresën! Mos lejoni t’jua rrëmbejnë shpresën! Këtë, që na jep Jezusi!”.
Është fraza, e cila e preku thellë turmën e pushtuar nga emocioni i fortë qysh në fillim të leximit të faqes ungjillore, kushtuar Mundimeve të Krishtit. E pikërisht duke shpjeguar këtë skenë, më tragjikja në historinë e njerëzimit, i cili gozhdon një Zot, Papa kujtoi fjalën e dytë: “Kryqin”, pasi pati theksuar paradoksin e Jezusit, mbret, froni i të cilit është një kryq druri. Kujtoj, vërejti në vijim, fjalët që Benedikti XVI ua thoshte kardinajve: “Ju jeni princa, por të një Mbreti të kryqëzuar. Ky është froni i Jezusit”. E pikërisht nga ky fron zbret gjaku, që lan, me mëshirë të pafundme, sëmundjet e botës:
“Luftërat, dhunën, konfliktet ekonomike, që godasin më të ligështin, etjen për paranë të cilën, pastaj, askush nuk mund ta marrë me vete, duhet ta lërë këtu. Gjyshja ime na thoshte ne, fëmijëve: qefini nuk ka xhepa! Dashurinë për paranë, për pushtetin, korrupsionin, përçarjet, krimet kundër jetës njerëzore e kundër Krijimit! Jezusi mbi kryq e ndjen gjithë barrën e së keqes e, me forcën e dashurisë, fiton mbi të, e mund në ngjalljen e tij”.
Fjala e tretë ishte “të rinjtë”. Ju pashë me shumicë gjatë procesionit, u tha Papa, duke kujtuar se e Diela e Larit, që prej 28 vjetësh, është sinonim i Ditës së Rinisë. Dita Botërore e Rinisë (DBR) është festa e të rinjve, pohoi, festa juaj, që keni një pjesë të rëndësishme në festën e fesë:
Ju na sillni gëzimin e fesë e na thoni se duhet ta jetojmë fenë me zemër gjithnjë të re; gjithnjë, zemër të re, edhe kur i kemi mbushur të shtatëdhjetat e të tetëdhjetat! Zemër të re! Me Krishtin, zemra nuk plaket kurrë”.
Sheshi i Shën Pjetrit u ndez nga entuziazmi e deri dielli, që deri në atë ças po e kursente dritën, çau retë e u duk mbi Katedralen e popujve nën qiell të hapur, për t’u bërë dëshmitar i jehonës së madhe, që fjala e Papës Françesku pati në zemrat rinore. Mendimi shkoi, pastaj natyrshëm, tek DBR-së e Rio-de-Zhanéjros, etapë që, kujtoi Papa, do ta jetojë në gjurmët e Gjon Palit II e të Benediktit XVI:
“Ju lë takim në këtë qytet të madh të Brazilit! Përgatituni mirë, posaçërisht shpirtërisht, në bashkësitë tuaja, që ky takim të jetë simbol i fesë për mbarë botën. Të rinjtë duhet t’i thonë botës: 'Është mirë ta ndjekësh Jezusin; është mirë të shkosh me Jezusin; është mirë të dalësh nga vetvetja, për të shkelur në skajet e botës e të jetës e për të çuar Jezusin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.