2013-03-22 18:20:46

Udha e Kryqit në Koloseum: dy fjalë për tekstet e meditimet.


Janë të rinjtë e Libanit ata, që menduan sivjet për meditimet e Udhës së Kryqit për të Premten e Madhe të Pashkëve, në Koloseum të Romës. Atyre, nën drejtimin e Patrikut të maronitëve të Antiokisë, kardinalit Behara Butros Rai, Benedikti XVI u pati kërkuar të shprehnin, përmes stacioneve të Mundimeve të Krishtit, ankthet e shpresat e popujve të Lindjes së Mesme. E kështu, në amfiteatrin Flavio, krishterimi do të njihet me padrejtësitë, përçarjet ndërmjet të krishterëve, me fondamentalizmin e dhunën, që peshojnë rëndë mbi shpirtin e mbi korpin e popujve të Lindjes së Mesme, por edhe me vuajtjet e sëmundjet, që brejnë mbarë njerëzimin.
Shtëpia Botuese e Vatikanit do t’i botojë meditimet e Udhës së Kryqit të hënën e ardhshme.

“Shpresë e patundur, fe e gjallë”: këto janë mjetet, që Udha e Kryqit i dorëzon të krishterit për të ecur në një jetë të re. Nëse të meditosh udhën, përshkuar nga Krishti drejt Kalvarit do të thotë të shikosh edhe të keqen e mëkatin, që plagos njerëzimin, atëhere meditimet e shkruara nga grupi i të rinjve libanezë, nën drejtimin e patrikut të maronitëve të Antiokisë, kardinalit Rai, do të tingëllojnë si përgjigje, dhënë paragjykimeve e urrejtjes, që i bëjnë zemrat gur e çojnë në ndeshje fetare, por edhe padrejtësisë pa skaj e dhunës pa mëshirë. Besimi në Zotin e ngre rishtas në këmbë njeriun e rrëzuar, forca e Shpirtit Shenjt e mban gjallë, e bën një me vullnetin e Zotit e i mëson t’i dojë të gjithë. Është kjo, përgjigjja e tokës së kedrave. I jepet atyre, që e dinë ç’është vuajtja, diskriminimi, mohimi i të drejtave më fillestare.

Në amfiteatrin romak Koloseum, në mbrëmjen e së Premtes së Madhe të Pashkëve, breznitë e reja të Libanit do t’i kërkojnë botës më shumë respekt për lirinë fetare (Stacioni VII), që fetë e ndryshme të mund të vihen së bashku për udhë, për t’i shërbyer së mirës së përbashkët, për të dhënë ndihmesën e tyre në zhvillimin e të gjithë njerëzve si dhe për ndërtimin e shoqërive të reja, plot shpresë. Do të sjellin në atë log mundimesh, vuajtjet e popujve të Lindjes së Mesme.
Në fytyrat e grave të Jeruzalemit, që qajnë për Jezusin, do të mund të shikojmë gratë e ditëve tona, të plagosura në dinjitetin e tyre e të shpërfytyruara nga diskriminimet (Stacioni VIII).
Në barrën e rëndë të mëkateve njerëzore - kryq, që e bën Jezusin të rrëzohet tri herë rresht – plagën e atyre përçarjeve që, në gjirin e Kishës (Stacioni IX) i largojnë të krishterët nga njëri tjetri. Do të mund të gjejmë realitetin bashkëkohor, në meditimet e Udhës së Kryqit të të rinjve libanezë
Por nuk mungojnë edhe lutjet e dala nga shpirti, drejtuar Zotit: për ata që, duke i ngjarë Pilatit, i shërbejnë logjikës së interesave të veta. Përkulen para presioneve politike e shoqërore. Dënojnë të pafajshmin, për qejfin e turmës, pa iu bërë vonë se po i bien ndesh drejtësisë. E dorëzojnë Jezusin në duart e kryqëzuesve, ndonëse e dinë mirëfilli se është i panjollë. Për ata, që lajnë duart, pasi kanë bërë poshtërsitë më të neveritshme (Stacioni I).
Lutje, edhe për ata që përkulen para laicizmit të verbër, që ia zë frymën vlerave të fesë e të moralit, në emër të mbrojtjes së njeriut. Në sa Zoti vijon të pësojë poshtërime, të vuajë, të mundohet në njerëzit e ligësht e, sidomos, në Lindjen e martirizuar, që i lutet ta ndihmojë, për të gjetur shpresën e humbur, të vërtetën e nëpërkëmbur, dashurinë e harruar.

Në Udhën e Kryqit të të rinjve libanezë, nuk mungon as fondamentalizmi i tërbuar, që pretendon se po mbron vlerat fetare, duke derdhur gjak (Stacioni II), pasuar nga ftesa për të shikuar Krishtin, që bëhet një me të ligshtit. E ftesa drejtuar popujve të poshtëruar e të vuajtur, posaçërisht atyre të Lindjes së martirizuar, që ta mbartin pikërisht me Zotin, kryqin e tyre, duke marrë jetë nga jeta e të Kryqëzuarit.
Ndjehet fort, ndikimi i liturgjisë lindore në çaste të ndryshme të Udhës së sivjetme të Kryqit, frymëzuar edhe nga Nxitja pas-Sinodale e Benediktit XVI “Kisha në Lindjen e Mesme”.
Në Stacionin XII, që kujton vdekjen e Jezusit mbi kryq, i lartohet Zotit lutja plot përdëllim për të gjithë ata, të cilët praktikojnë abortin, eutanazinë që të heqin dorë nga kultura e vdekjes e të marrin pjesë në ndërtimin e qytetërimit të jetës e të dashurisë.
Së fundi, Varrimi i Jezusit, që na çon në heshtimin e së Shtunës së Madhe e në hapjen e një plase të ndritshme mes reve të përgjakura:
“O Zot Jezus,
premto të jemi bij të dritës
që nuk tremben nga errësira.
Të lutemi sot,
për të gjithë ata, që kërkojnë kuptimin e jetës,
e për ata, që i kanë humbur shpresat,
që të besojnë në fitoren tënde
mbi mëkatin e mbi vdekjen”.
Tragjedia e Kryqit – shkruante kardinali Bergoglio në Mesazhin e Kreshmëve, vijon në rrugët tona, në shtëpitë tona, në zemrat tona. Bashkëjetojmë me urrejtjen. Me dhunën, që vret, që rrënon shpirtra e familje, ndez luftëra e konflikte, në zemra e në troje. Bashkëjetojmë me zilinë e keqe, me urrejtjen, me shpifjen, me etjen për pasje në zemrat tona. Vuajtja e njerëzve të pafajshëm është shuplakë mbi fytyrat tona; shuplakë, perandoria e parasë, me pasojat e saj djallëzore, si droga, korrupsioni, kontrabanda, deri shitblerja e njerëzve.
E grusht, mjerimi material e moral, që përdoret në tregjet e sotme si monedhë shkëmbimi. Skenë e dhimbshme, ku merr fund dinjiteti i punës, ku përligjet egoizmi i më të fortëve, që nuk janë aspak më të mirët e ku mungesa e vlerave etike krijon metastaza në gjirin e shoqërisë. I shikojmë, të pafuqishëm për t’iu kundërvënë mëkatit që e plagos korpin tonë, me të gjithë forcën e pushtetit të tij shkatrrimtar”.Edhe kjo botë ndjehet fort në udhën e Kryqit, por jo pa shpresën që hap e Diela e Ngjalljes!







All the contents on this site are copyrighted ©.