2013-03-22 18:50:19

Papa i përgjigjet letrës së Eprorit të Përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit


I dashur atë Nikolàs,
me gëzim të madh mora letrën e përzemërt, që më dërguat, në emrin tuaj dhe të Shoqërisë së Jezusit, me rastin e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit. Në këtë letër më informonit për lutjen tuaj për mua dhe për shërbimin tim apostolik, si edhe dëshirën për të vazhduar t’i shërbeni pa kushte Kishës dhe Mëkëmbësit të Krishtit, sipas rregullës së Shën Injacit të Lojolës.
Ju falenderoj nga zemra për këtë shenjë vlerësimi dhe afërsie, që jua kthej me kënaqësi, duke iu lutur Zotit t’i shndrisë e t’i shoqërojë të gjithë jezuitët, në mënyrë që, besnikë ndaj karizmës së marrë e në gjurmët e shenjtorëve të Urdhërit tonë të dashur, përmes veprimtarisë baritore, por sidomos përmes dëshmisë së jetës së përkushtuar krejtësisht në shërbim të Kishës, Vashës së Krishtit, të jenë tharmi ungjillor i botës, në kërkim të vazhdueshëm të lavdisë së Hyjit e të së mirës së shpirtrave.
Me këto ndjenja, u kërkoj të gjithë jezuitëve të luten për mua dhe ia besoj vetveten mbrojtjes plot dashuri të Virgjërës Mari, Nënës sonë në qiell, ndërsa si peng për hire të begata hyjnore, ju jap me dashuri të veçantë Bekimin Apostolik, juve dhe të gjithë atyre që bashkëpunojnë me Shoqërinë e Jezusit në veprimtaritë e saj, përfitojnë nga veprat e mira dhe marrin pjesë në përshpirtërinë e saj.

Françesku
Vatikan, 16 mars 2013








All the contents on this site are copyrighted ©.