Më 21 mars kalendari kujton shën Nikollin e Flyelit
Më 21 mars kalendari kishtar përkujton shën Nikollin e Flyelit, babë familje e
oshënar. I njohur edhe me emrin Vëllai Klaus, shën Nikolla Flyeli gëzon një popullaritet
të madh në Zvicër, vend që e ka zgjedhur si pajtor qiellor. Klausi lindi në vitin
1417 në Flyeli, pranë Sahseln, në kantonin e Obvaldenit. Ndonëse që në moshë të njomë
ndjeu thirrjen për jetë eremite (oshënare), kundër dëshirës së tij, iu desh të kryente
disa detyra të rëndësishme civile, si kryetar i bashkisë së Sahselnit, këshilltar
i gjykatës kantonale, deputet e ushtarak. Në vitin 1445 u martua me Dorotea Vys;
nga ky bashkim i lindën pesë djem e pesë vajza: njëri nga djemtë u bë famullitari
i Sahselnit, ndërsa një nga nipat, vdiq si shenjt. Shumë shpejt, pa marrë parasysh
kundërshtimet e së shoqes, së cilës nuk i pëlqente dëshira e tij për jetë vetmitare,
hyri në një bashkësi rregulltare alsasiane që njihej me emrin “Miqtë e Zotit”. Më
pas u tërhoq në Kristerli-Alp, ku nisi një jetë shenjte. Ekzistojnë disa dëshmi, sipas
të cilave shenjti për 19 vjet me radhë u ushqye vetëm me Eukaristinë, gjë që ngjalli
kureshtjen e të afërmve e të largëtëve. Atëherë ai u detyrua të gjente strehë në Ranft,
pranë një humnere vetmitare. Dilte nga shpella ku jetonte, vetëm për të shkuar në
Meshë e për t’i ardhur në ndihmë atdheut të vet, në çaste kritike. Kështu, në vitin
1473, kur Austria kërcënonte fatet e Zvicrës, pastaj më 1481 e 1482, kur u ndje rreziku
i shpërthimit të luftës civile. Me lutjet e tij, me praninë e tij, me këshillat, me
paqen shpirtërore që rrezatonte si rezultat i lëshimit të plotë në dorë të Zotit,
ia doli mbanesh të siguronte bashkëjetesën paqësore të grupeve rivale, me interesa
të ndryshme ekonomike e politike. Rezultatet që u arritën me ndërmjetësinë e tij ishin
aq të mëdha, sa meritoi emrin “Profet e Atë i Atdheut”. Lutja që thoshte më shpesh
ishte: “O Zoti im e Hyji im, largoi nga unë të gjithë ata që më largojnë nga ti, më
çliro nga vetvetja e bëj që të kënaqem vetëm me Ty!”. Si e vëzhguan për shumë
kohë nga larg, të afërmit u bindën për vlerën e dëshmisë së tij e të lutjes së e tij.
Atëherë i ndërtuan një eremitazh e një kapelë, e cila u shugurua në vitin 1469. Atje
vijoi të jetonte e të lutej Shën Nikolli i Flys, një nga mistikët më në zë të të gjitha
kohërave. E atje edhe vdiq në ditën kur po mbushte 70 vjet, më 21 mars 1487. Në
vitin 1501 Enrico Wolflin hartoi biografinë e tij të parë mbi bazën e fakteve të mbledhura,
nën betim, nga dëshmitarë që kishin parë me sytë e tyre e kishin dëgjuar me veshë
ngjarjet e mrekullueshme të jetës së Shenjtit. I lum u shpall në vitin 1669; shenjt
- nën papninë e Piut XII në vitin 1947. Na la si kujtim thënien aq aktuale: “Zoti
është paqe e këtë paqe s’ka forcë në botë që ta shkatërrojë!”.