2013-03-21 15:57:29

Mesazhe të Papës Françesku dhe të Benediktit XVI për primatin anglikan Xhastin Uelbi


Papa Françesku i dërgoi sot një mesazh urimi primatit të Bashkimit Anglikan, kryeipeshkvit Xhastin Uelbi, me rastin e ceremonisë së fronëzimit të tij në Katedralen e Kanterburit. Papa siguron se do të lutet për të. Po sot, primatit i mbërriti edhe një mesazh tjetër, nënshkruar nga Benedikti XVI, një javë para se të tërhiqej nga shërbimi papnor.
Një urim i dyfishtë, i jashtëzakonshëm, siç është e jashtëzakonshme faza, që përjeton Kisha Katolike që prej 40 ditësh. Papa Françesku i shkruan kryeipeshkvit anglikan se është i gatshëm ta takojë në të ardhmen dhe të vazhdojë marrëdhëniet vëllazërore, të krijuara nga paraardhësit me anglikanët. Horhe Mario Bergolio e falenderon Xhastin Uelbin për urimet, që i bëri ky i fundit, në çastin e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit e më pas thekson se “Shërbimi baritor është thirrje e Hyjit për të ecur, duke i qëndruar besnikë Ungjillit të Zotit tonë Jezu Krishtit”.
Një aspekt, ky i fundit, në të cilin ndalet edhe Benedikti XVI në meazhin e nënshkruar më 4 shkurt, me rastin e konfirmimit të zgjedhjes së kryeipeshkvit të Kanterburit, kremtuar në katedralen londineze të Shën Palit. Në letër, Papa i tanishëm i nderit falenderon Zotin për lidhjet dhjetravjeçare ndërmjet katolikëve dhe anglikanëve, vë në dukje se çasti i fronëzimit të Uelbit është i vështirë për fenë në botën perëndimore, e cila përpiqet ta mbyllë atë vetëm në sferën private, por nënvizon se pavarësisht nga kjo, etja për Hyjin është gjithnjë e pranishme në shoqëri. Është detyrë e atij, që kumton Ungjillin, vëren Benedikti XVI, që si lajmëtar i shpresës, ta pohojë të vërtetën me dashuri, duke ndezur dritën e Krishtit në errësirën e jetës së njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.