2013-03-21 10:17:35

Këshilli Ekumenik i Kishave Luterane: përvujtëria e Papës Françesku hap zemrat.


Duke dalë nga takimi i Papës Françesku me përfaqësuesit e Kishave e të Bashkësive kishtare, si dhe të feve të tjera, të nesërmen e manifestimit madhështor të fillimit të papnisë, njerëzit që patën fatin të takohen me Atin e Shenjtë, nuk mund të mos meditojnë për rrugën që hap papnia e re. Në mikrofonin tonë, një prej tyre, Munib Junan, kryetar i Federatës Luterane Botërore. Ç’mbresa ju la takimi me Papën – e pyesim:

Përgjigje: - Faleminderit për këtë pyetje. Mendoj se të gjithë ne presim shumë nga Shenjtëria e Tij. Prandaj duhet të jemi më realistë e të mos presim vetëm një gjë. Për mua, është gjë shumë e mirë që Papa vjen nga Jugu, nga Argjentina: bjen me vete një pjesë të Jugut të botës, thirrjen për emancipim, vëmendjen ndaj më të varfërve. Për mua, për ne, luteranët, ka shumë rëndësi që të sjellë me vete këto rrënjë në misionin e tij papnor. Na jep zemër. Sepse për ne, si Federatë Botërore, kjo është shenjë e qartë, që tregon se të gjithë së bashku mund të punojmë me të vërtetë për drejtësinë, për paqen, për ta shpëtuar këtë botë nga plaga e varfërisë, për të luftuar kundër borxhit, e për çështje të tjera të trishtuara, në rend të ditës. Sipas meje, është vërtet domethënëse përvujtëria, që e shquan e që po e shikon mbarë bota. Sot ne kemi shumë nevojë për prijës të përvuajtur, vendas e botërorë; kemi nevojë për liderë, që kanë sy për të parë nevojat e njerëzve, që nuk dinë vetëm të flasin nga lart poshtë, por sidomos, nga poshtë lart, nga baza, deri në majat e sundimit. E kjo do të thotë se dinë ta çojnë aty ku duhet zërin e të mjerëve, që ngrihet kundër padrejtësive.
Kur pata takuar Papën e nderit, patëm folur për vitin e reformës, 2017. Komisioni ka nisur tashmë punën për dokumentin “From conflict to communion’ (Nga konflikti, tek bashkimi) e ne shpresojmë se do të mund ta kremtojmë së bashku vitin 2017. E jam i sigurtë, këtë shpresojmë, se do të mund t’i tregojmë njerëzimit si katolikët e luteranët janë dëshmitarë të bashkuar në këtë botë. Kjo është shumë e rëndësishm. Paraardhësit e Shenjtërisë së Tij, Benedikti XVI e Gjon Pali II, kanë folur për Jeruzalemin e për Lindjen e Mesme. E ne shpresojmë se, duke ardhur nga Amerika Latine, nga shtypja, Papa i ri mund të na flasë për drejtësinë, për Palestinën e Izraelin, për të krishterët e Lindjes së Mesme, posaçërisht për ata, që jetojnë në situata të tmerrshme, në të gjithë zonën, ku të krishterët vijojnë të martirizohen. Këtë pret Federata Luterane. E besoj se ju e kuptoni se mezi ç’presim të bashkëpunojmë, të veprojmë së bashku me Papën, përmes Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Mendoj se për ne është themelore ta vijojmë këtë bashkëpunim, këtë dëshmi ekumenike. Bota duhet të thotë: “Shikoni si duhen e si dëshmojnë së bashku – luteranë e katolikë, në këtë botë”.

Të gjithë po e njohin, ditë pas dite, Papën Françesku, duke zbuluar një nga një cilësitë e tij, prej mënyrës si sillet, si flet, si dëshmon. Po e njohin njerëzit e thjeshtë e të pushtetshëm, të shteteve e të kishave. Ftuam, në mikrofonin tonë, të nderuarin doktor Olav Kykse Tveit. I drejtuam pyetjen: cili është mendimi juaj personal dhe ai i Këshillit Ekumenik të Kishave, ku ju jeni sekretar:

Përgjigje: - Ishte tejet stimuluese të shikoje si u flet Papa Françesku njerëzve, zemrës së njerëzve, por edhe sesi kjo zemër e hapur e kjo sjellje e hapur, na ftojnë – ne, përfaqësuesit e familjeve të krishtera e të Kishave të krishtera të botës, për një shtegtim të përbashkët. Dëgjova mesazhin e tij e shqetësimet e tij për të varfërit, për drejtësinë, për mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta krishtera, por edhe për detyrën që kemi, si të krishterë, për t’i shërbyer botës. Mendoj se gjithë kjo krijon mundësi për të gjetur terrenin tonë të përbashkët, por edhe perspektiva për të ardhmen e përbashkët.

Pyetje: - Papa Françesku na shpjegoi edhe pse e zgjodhi emrin Françesk, që të kujton varfërinë, paqen e edhe mbrojtjen e mjedisit e të Krijimit. Ç’ na kujton kjo?

Përgjigje: - Është me vlerë fakti, që Papa zgjodhi këtë emër, të lidhur me misionin e tij, nxitës për udhën e Kishës. Do të mbahet sivjet një asamble me temë: “God of life, lead us to justice and peace” (Zot i jetës, na prij kah drejtësia e paqja); mendoj se ky ishte vizioni i Françeskut për jetën e krishterë: lutje drejtuar Zotit, që na jep jetë, por edhe përgjegjësi për një jetë të ndershme, të vënë në shërbim të drejtësisë e të paqes. Mendoj se kemi një vizion të përbashkët, por edhe një plan të përbashkët e jemi vërtet të bindur se pikërisht për këtë arsye Papa Bergolio zgjodhi emrin Françesk e misionin e tij.

Pyetje: - Papa Françesku përdor fjalë të thjeshta, por ajo, që thotë, arrin drejt e në zemrën e atij, që e dëgjon. Ndërmjet gjërave, që keni dëgjuar deri tani, ç’ dëshironi të nënvizoni?
Përgjigje: - Është njeri i fortë, në përvujtërinë e tij; njeri i përvuajtur që, megjithatë, di t’ua hapë zemrat njerëzve. E kjo, më duket, është edhe forca e tij. Pikërisht mbi këto baza ne të gjithë mund të gjejmë rrugën për të folur njëri me tjetrin, edhe për t’u kuptuar më mirë e për t’i shërbyer më mirë Zotit, në një botë të re.







All the contents on this site are copyrighted ©.