2013-03-20 15:18:04

‘Doktrina e parë e Krishterë’ e dom Lukë Matrangës


Më 20 mars 1592 dom Lukë Matranga përfundoi ‘Doktrinën e parë të Krishterë’ në dialektin toskë. Pra si sot, më 20 mars 1592 në Piana dei Greci të Sicilisë, dom Lukë Matranga (1560-1619) përfundoi veprën e dytë të shqipes së shkruar, pas Mesharit të Buzukut. Titullohet E mbsuame e krështerë. Është, pra, Doktrina e parë e Krishterë në gjuhën shqipe. Katekizmi prej njëzetetetë faqesh, u përkthye nga vepra jezuitit spanjoll, Jakob Ledesma (1516-1575) shkruar latinisht. Kopja e përkthimit në dorëshkrim, që ka ardhur deri në ditët tona në tri variante të ndryshme, i pari nga të cilët me sa duket me shkrimin e vetë Matrëngës, është kataloguar nën Codex Barberini Latini 3454 në Bibliotekën e Vatikanit. Varianti i botuar, nga i cili ka shpëtuar vetëm një kopje, u shtyp në Romë nga Gulielm Façoti 'me lejen e të parëve' dhe u zbulua nga Mario Rok (Mario Roques).
Titulli i plotë i botimit është:
"Embsuame e chraesterae. Baeaera per tae Vrtaenae Atae Ladesmae sciochiaeriet
Iesusit. E prierrae laetireiet mbae gluchae tae arbaeresciae paer Lecae Matraengnae.
Imbsuam i Cullegit Graec tae Romaesae. Dottrina Christiana. Composta dal Reuerendo
P. Dottor Ledesma della Compagnia di Giesù. Tradotta di lingua Italiana nell'Albanese
per Luca Matranga alumno del Collegio Greco in Roma"
(Doktrina e krishterë. Bërë nga i urti Atë Ledesma i Shoqatës së Jezusit. Përkthyer nga italishtja në gjuhën arbëreshe nga Lekë Matrënga, student i Kolegjit Grek të Romës.)
Vepra e Matrëngës përmban një hyrje në italishte, një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe katekizmin në formën e dialogut ndërmjet meshtarit e besimtarit që përgatitet për të marrë sakrakmentet. U hartua për t'u përdorur nga arbëreshët që nuk e kuptonin variantin italisht të katekizmit dhe u përdor nga qindra familje me prejardhje shqiptare në Kalabri e në Pulje.
Ja edhe vjersha, titulluar ‘Këngë e përshpirtshme” që konsiderohet si një nga vargënimet e para në gjuhën shqipe:
Gjithëve u thëres, kush do ndëliesë,
Të mirë të krështe, bura e gra,
mbë fjalët të Tinëzot të shihi Meshë,
se s’ishtë njerii nesh që mkatë s’’kaa;;
e lum kush e kujton se ka të vdesë,
e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa,
se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
e bën për bijr të tij e për vëlla”
vargje që në shqipen e sotme tingëllojnë si thirrje aktuale drejtuar besimtarëve në këtë kohë të fortë Krezhmësh:
Të gjithëve ju thërres, kush do ndjesë,
Të krishterë të mirë, burra e gra,
me fjalë të Tënzot të shihni Meshë,
se s’është njeri prej nesh që mëkate s’ka.
E lum kush kujton se do të vdesë.
E mendtë bashkë në Tënzonë i ka,
se Krishti në parajsë atij i bën pjesë,
e bën për bir të tij e për vëlla”. Vetëm me 28 faqe, ‘Doktrina e Krishterë’ e Matrëngës është me rëndësi historike e letrare jo vetëm si botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe si vepra e parë e shkruar në toskërishte nga një arbëresh.







All the contents on this site are copyrighted ©.