Papa Françesku: të vijojë dialogu, miqësia e respekti ndërmjet feve të ndryshme.
Të mbahet gjallë në botë etja për Absolutin. Kjo ishte nxitja kryesore e Papës Françesku,
në fjalimin drejtuar përfaqësuesve të Kishave e të Bashkësive kishtare, të popullit
hebraik dhe të besimeve të ndryshme, të cilët i priti sot paradite në Sallën Klementine,
në Vatikan. Pak para kësaj audience, Papa u takua me Patrikun Ekumenik të Kostandinopojës,
Bartolomeun I, me të cilin bisedoi rreth 20 minuta, si dhe me Metropolitin Hilarion
të Patriarkanës së Moskës. Bartolomeu I e Hilarioni i dhuruan Papës dy ikona mariane.
Në Sallën Klementine, Papa Françesku kujtoi, më pas, lidhjen e ngushtë shpirtërore
me popullin hebraik, rëndësinë e bashkëpunimit me besimtarët e feve të tjera dhe cakun,
aq të dëshiruar, të bashkimit të plotë të të krishterëve. Duke iu drejtuar delegatëve
të Kishave ortodokse e të Bashkësive kishtare të perëndimit, theksoi perspektivën
e dëshiruar, atë shembëllim, që sytë e tij, drejtuar nga Sheshi i Shën Pjetrit, e
panë dje, gjatë Meshës për fillimin e Papnisë: “Pashë shpirtërisht të pranishme
bashkësitë që përfaqësoni. Në këtë manifestim feje, m’u duk, kështu, sikur po e jetoja
në mënyrë më të ndjeshme, lutjen për bashkimin e gjithë besimtarëve në Krishtin e,
njëherësh, se po shikoja në një farë mënyre, shembëllimin e realizimit të plotë,
që varet nga plani i Zotit e nga bashkëpunimi ynë”. Pasi u kërkoi përfaqësuesve
të bashkësive të krishtera një lutje të posaçme, që “ai të mund të jetë bari, sipas
zemrës së Krishtit”, kujtoi se shërbimi më i mirë ndaj kauzës së unitetit ndërmjet
të krishterëve, është ta jetosh plotësisht fenë, duke dhënë një dëshmi të lirë, të
gëzueshme, të guximshme: “Sa më shumë të jemi besnikë ndaj vullnetit të Tij,
në mendime, në fjalë e në vepra, aq më shumë do të ecim vërtetësisht e thelbësisht
kah uniteti”. Papa pastaj iu drejtua përfaqësuesve të popullit hebraik
me të cilin, nënvizoi, na lidh një hallkë e posaçme shpirtërore: “Ju falënderoj
për praninë tuaj e shpresoj se, me ndihmën e të Tejetlartit, do të mund të vijojmë
me fryt atë dialog vëllazëror, që uronte Koncili II i Vatikanit e që është realizuar
faktikisht, duke sjellë jo pak fryte, posaçërisht gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit”. E,
duke vijuar të përshëndesë përfaqësuesit e feve të tjera, Papa Françesku iu drejtua
në mënyrë të posaçme, myslimanëve: “E vlerësoj shumë praninë tuaj:
në të shikoj një shenjë të qartë të vullnetit për të thelluar nderimin reciprok dhe
bashkëpunimin, për të mirën e përgjithshme të mbarë njerëzimit”. Kisha
katolike, shpjegoi Papa, është e vetëdijshme për vlerën e pallogaritshme të dialogut
ndërfetar: “Kisha katolike është e vetëdijshme për rëndësinë që ka nxitja
e miqësisë dhe e respektit ndërmjet burrave e grave të traditave të ndryshme fetare;
e përsëris: nxitja e miqësisë dhe e respektit ndërmjet burrave e grave të traditave
të ndryshme fetare. Kisha është e vetëdijshme për përgjegjësinë ndaj botës sonë, ndaj
gjithësisë, të cilën duhet ta duam e ta ruajmë. E ne mund të bëjmë shumë për të mirën
e atyre, që janë më të varfër; atyre, që janë më të ligësht; atyre, që vuajnë; mund
të bëjmë shumë, për të mbrojtur drejtësinë, për të krijuar frymën e pajtimit, për
të ndërtuar paqen”. Por, sidomos, ajo që ka më shumë rëndësi, është ta
mbajmë gjallë etjen për Absolutin: “.. duke mos lejuar të sundojë vizioni
i njeriut me një përmasë të vetme, sipas së cilës njeriu reduktohet në atë që prodhon
e në atë që konsumon; e kjo është një nga kurthet më të rrezikshme për kohën tonë”. Papa
kujtoi, në përfundim, vlerën e jashtëzakonshme që ka për njeriun, hapja, si në zanafillë,
e shpirtit për transhendecën e skalitur në zemrën e tij:“Në këtë, i ndjejmë
fare pranë edhe të gjithë burrat e gratë që, pa pohuar se i përkatësin ndonjë tradite
fetare, janë në kërkim të së vërtetës, të mirësisë të bukurisë, të Zotit. Janë aleatët
tanë të çmuar në impenjimin për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, për ndërtimin e
bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve e për ruajtjen me kujdes të gjithësisë”.