2013-03-20 16:40:49

Papa Françesku myslimanëve, e vlerësoj shumë praninë tuaj


Gjatë një takimi në Vatikan, Papa Françesku përshëndeti e falënderoi sot të gjithë përfaqësuesit e traditave fetare, “para se gjithash myslimanët që adhurojnë Një Hyj të vetëm, të gjallë e të mëshirshëm dhe Atij i drejtohen në lutje, e ju gjithë. E vlerësoj shumë praninë tuaj: në të shikoj një shenjë të qartë të vullnetit për të thelluar nderimin reciprok dhe bashkëpunimin, për të mirën e përbashkët të mbarë njerëzimit”. Këtë theksoi pra Papa Françesku gjatë takimit të sotëm me delegatët vëllazëror e me përfaqësues të feve tjera. Kisha katolike, shpjegoi Papa, është e vetëdijshme për vlerën e pallogaritshme të dialogut ndërfetar: “Kisha katolike është e vetëdijshme për rëndësinë që ka nxitja e miqësisë dhe e respektit ndërmjet burrave e grave të traditave të ndryshme fetare; e përsëris: nxitja e miqësisë dhe e respektit ndërmjet burrave e grave të traditave të ndryshme fetare. Kisha është e vetëdijshme për përgjegjësinë ndaj botës sonë, ndaj gjithësisë, të cilën duhet ta duam e ta ruajmë. E ne mund të bëjmë shumë për të mirën e atyre, që janë më të varfër; atyre, që janë më të ligsht; atyre, që vuajnë; mund të bëjmë shumë, për të mbrojtur drejtësinë, për të krijuar frymën e pajtimit, për të ndërtuar paqen”.
Por, sidomos, ajo që ka më shumë rëndësi, është ta mbajmë gjallë etjen për Absolutin:“.. duke mos lejuar të sundojë vizioni i njeriut me një përmasë të vetme, sipas së cilës njeriu reduktohet në atë që prodhon e në atë që konsumon; e kjo është një nga kurthet më të rrezikshme për kohën tonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.