Më 20 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Gjon Napomuçenin, meshtar e martir.
Gjoni lindi në Napomuk të Bohemisë më 28 mars të vitit 1811 në një familje zejtarësh.
Emri i tij i dytë - Napomuçeni - është i një shenjti të shekullit XIV, që quhej kështu,
sepse kishte lindur në Napomuç të Bohemisë, vend që në 1800-tën i përkiste Perandorisë
Austro-hungareze. Studioi më parë disiplinat klasike në shkollën Ceke Budojevice,
për të kaluar më pas në seminar në Universitetin e Pragës, ku studioi teologjinë.
Përveç studimeve filozofike e teologjike, interesohej për astronomi e botanikë. Në
moshën 24 vjeç ishte gati për t’u bërë prift, dëshironte shugurimin meshtarak, mirëpo
ipeshkvi i tij, në vitin 1835, vendosi që nuk do të kishte shugurime tjera meshtarake,
pasi që Bohemia kishte një numër të madh priftërinjsh. Gjoni Nueman, që fliste
tetë gjuhë, i shkroi ipeshkvijve amerikanë duke kërkuar të shugurohej për meshtar.
Në vitin 1836 emigroi në SHBA-së, zuri vend në Manhatam, ku u mirëprit nga ipeshkvi
John Dubois, i cili kishte vetëm 36 priftërinj për Shtetet e Nju Jorkut e të Nju Xhersit.
Dy javë pasi kishte arritur në SHBA u shugurua meshtar dhe u dërgua në Bufalo, ku
do të kujdesej për emigrantët me origjinë gjermane. Meshtari i ri u vendos në Williamswille
ku nisi të banojë në një shtëpi të vogël, që u bë qendër e veprimtarisë misionare.
Nga kjo shtëpizë nisej çdo ditë për të vizituar e takuar popullsinë e fshatrave për
rreth: kështu bëri miq e armiq, dashamirë e kundërshtarë, jetoi me rrezik mbi kokë,
nč varfëri të plotë, për ta kryer si duhet detyrën e misionin që i qenë besuar. Duke
u qëndruar pranë të gjithë njerëzve që kishin nevojë për meshtarin, Gjon Nepomuçeni
Neuman e la krejt pas dore kujdesin për vetveten. Nisi të flinte pak, të hante edhe
më pak. Shpesh herë ushqehej vetëm me bukë e ujë, sa për të mbajtur gjallë shpirtin.
Po atij kështu i pëlqente, sepse e ndjente veten të realizuar vetëm duke jetuar në
atë mënyrë që Shën Pali Apostull e kishte përshkruar në letrën e tij të dytë drejtuar
të krishterëve të Korintit: “Udhëtime të panumërta...rreziqe ndër qytete...rreziqe
ndër shtigje e shkreta... Lodhje, kundërshtime, uri e etje”. E një jetë e tillë
nuk do të vononte të jepte frytet e veta shpirtërore. Hyri në urdhrin e Redentoristëve
dhe në vitin 1825 papa Piu IX e emëroi ipeshkëv të Filadelfias. Ipeshkvi i ri do t’u
printe meshtarëve e besimtarëve me shembullin e jetës personale. Dha një kontribut
të jashtëzakonshëm për riorganizimin e dioqezës. Qe i pari që organizoi sistemin shkollor
dioqezan e rriti numrin e shkollave katolike në dioqezë nga një deri në dyqind. I
pranoi Motrat Skolastike të Zojës së Bekuar për t’u përkujdesur për të edukimin e
të varfëve e të fëmijëve jetimë. Ishte ipeshkëv popullor e për këtë u kritikua
shumë prej grupeve të ndryshme antikatolike. Në Filadelfia prelati ngriti pesë Kisha
e filloi ndërtimin e Katedrales. Iu kushtua në mënyrë të posaçme formimit shpirtëror
të të rinjve. Mbeti njeri i doktrinës, njeri i Zotit në shtegtim drejt njerëzve. E
ashtu vdiq: në shtegtim, derisa fama e shenjtërisë së tij përhapej kudo e mbështetur
edhe me mrekulli që Zoti kryente me ndërmjetësinë e tij. Vdiq në moshën 48 vjeç më
5 janar 1860, u shpall shenjt në vitin 1977 nga papa Pali VI.