2013-03-19 15:01:31

“Lutuni për mua”. Papa Francesku përshëndet autoritetet shtetërore


“Lutuni për mua”: kështu e përfundoi homelinë Papa Françesku në Meshën e fillimit të papnisë së tij. Në përfundim të ritit, brenda Bazilikës së Shën Pjetrit, para Elterit të Rrëfimit, Ati i Shenjtë Papa Françesku u takua me të gjithë krerët e shteteve e të qeverive nga mbarë bota, por edhe me familjet mbretërore, të pranishme sot paradite në Vatikan. Ndër ta, edhe autoritetet shqiptare nga Tirana e nga Prishtina. Një radhë e gjatë me më të pushtetshmit e kësaj bote priti me durim të përshëndeste Papën e ri të Romës, një njeri të përvuajtur, i mësuar të udhëtojë me autobuz e të gatuajë për vete. Për secilin prej tyre, Papa Jorge Mario Bergoglio pati fjalë dashamirëse. Kështu e njohin Papën në Argjentinë, ku njerëzit e quajnë “djali ynë” e biri i argjentinasve nuk i harroi edhe sot në mëngjes, kur para meshës, telefonoi për t’u folur njerëzve të mbledhur në lutje, në sheshin para rektoratit të Buenos Airesit. Edhe atyre u tha: “Lutuni për mua”.







All the contents on this site are copyrighted ©.