2013-03-19 17:35:55

Papa: t’u shërbejmë njerëzve të fundmë e të kujdesemi për natyrën. Shën Jozefi model për Papninë e Françeskut


“Pushteti i vërtetë” i një Pape, është ai i shërbimit të përvuajtur ndaj më të vegjëlve dhe i kujdesit plot mirësi e dashuri për mbarë njerëzimin. Janë këto, fjalët prekëse, me të cilat Papa Françesku e nisi papninë, duke kryesuar, sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit, Meshën solemne të fillimit ministerit petrin. Rreth 200 mijë njerëz të pranishëm, ndërmjet të cilëve, delegacionet e 130 shteteve e organizmave ndërkombëtare, të cilët Papa i përshëndeti në përfundim të kremtimit.

Pushteti i Pasardhësit të Shën Pjetrit përmblidhet i tëri në një gjest, që Papa e kryen krejt papritur, sipas stilit të tij, kur sytë e mbarë botës janë ngulur mbi të dhe, në se na lejohet të shprehemi kështu, me fjalët e shekullit, mbi kulmin e lavdisë së tij personale, në sa sytë e tij vijojnë të jenë të ngulur mbi Ungjillin, pa asnjë luhatje. Kuptimi i pushtetit të Pasardhësit të Shën Pjetrit bëhet edhe më i qartë rreth orës 9.00, para Meshës, kur Papa Françesku, mbi xhip, i qeshur, me veshjen e bardhë, kalon mes turmës, për t’u ndaluar në një pikë të paparashikuar prej programit, por që ia do fort zemra. Pranë parmakut është një njeri, një i sëmurë, i shtrirë mbi barelë, një pikë dhimbjeje, në mes të oqeanit të entuziazmit. Papa Françesku e shikon e nuk mjaftohet vetëm me një gjest: ndalohet, zbret, i afrohet e, me një dashuri të pamasë, e puth dhe e përkëdhel, duke ndenjur pranë tij shumë më tepër, se lypset në një rrethanë të tillë. E kur, më pas, në homeli, do të shpjegojë ç’kuptim ka pushteti papnor, fjalët e tij do të tingëllojnë më të vërteta se kurrë, sepse të dëshmuara, më parë se të shqiptuara:
“Nuk duhet harruar kurrë se pushteti i vërtetë është shërbimi e se edhe papa, për ta ushtruar pushtetin, duhet të hyjë gjithnjë më shumë në këtë shërbim, që e ka majën e vet të ndritshme mbi Kryq; duhet të shikojë shërbimin e përvuajtuar, konkret, të pasur me fe të Shën Jozefit e ashtu si ai Ai, t’i hapë krahët për të ruajtur mbarë Popullin e Hyjit e për të mikpritur me dashuri mbarë njerëzimin, posaçërisht më të varfërit, më të ligshtit, më të vegjëlit, ata, që Mateu i përshkruan në gjyqin e mbramë mbi dashurinë: atë që ka uri, etje, është i huaj, i zhveshur, i sëmurë, në burg (cfr Mt 25,31-46). Vetëm kush shërben me dashuri di edhe të Mbikqyrë”.
Ja pra, shpallet kështu, programi i papnisë. Papa Françesku, me emocion të dukshëm, përkul gjurin para Varrit të Shën Pjetrit, i rrethuar nga Patrikët e Kishave Lindore. Është një rit i lashtë, i bërë prej disa ritesh: nga brenda bazilikës, kalohet përjashta, përballë një Sheshi, të përmbytur nga dielli, nën një qiell, në të cilin valëviten me të gjitha ngjyrat e ylberit, një mori flamujsh nga mbarë bota. Bien në sy, ndërmjet tyre, flamujtë e Argjentinës, e spikat fort, me ngjyrat e veta të ndezura, flamuri shqiptar, kuq e zi! Jemi edhe ne aty, në Sheshin e Shën Pjetrit. Shqipëria është aty, e jo vetëm me flamuj. Mijëra zemra, që kanë provuar dhunën e diktaturës, ndjekin me emcion të thellë zërin e Atij që, në emër të Krishtit, u kujton se pushtet do të thotë shërbim. Nuk janë mësuar ende me një mënyrë të tillë të ushtrimit të pushtetit.
Kënga Laudes Regia e Litanitë, shtylla muzikore të solemnitetit, shoqërojnë shenjat e pushtetit, që bëhet shërbim. Kardinali Tauran vendos mbi supe të Papës, Palion; Kardinali Sodano i përshkon në gisht Unazën e Peshkatarit. “Tu es Petrus” shqiptojnë njëzëri gjashtë kardinaj, që gjunjëzohen në shenjë bindjeje absolute, në emër të Kolegjit të Kardinajve. Rit, që Sheshi e ndjek në lutje, për të shpërthyer përsëri nga entuziazmi, kur Papa rifillon të flasë për Shën Jozefin, duke kujtuar ditën e emrit të Benediktit XVI, Jozefit Ratcinger, i cili e ndjek kremtimin nga Kastel Gandolfo, e duke shpjeguar se roli i Atit të kujtuar të Jezusit e fatit të Virgjërës Mari, është rol i jashtëzakonshëm rojtari:
“Jozefi është ‘rojtar’, sepse di ta dëgjojë zërin e Zotit, di të bëjë vullnetin e Tij, prandaj edhe është tejet i ndjeshëm ndaj njerëzve, që i besohen, di t’i lexojë me realizëm ngjarjet, është i vëmendshëm përballë të gjitha gjërave, që e rrethojnë e di të marrë vendimet më të urta. Në të, të dashur miq, shikojmë përgjigjen, që i duhet dhënë thirrjes së Zotit, me gatishmëri, me shpjetësi, por shikojmë edhe atë, që është zemra e thirrjes së krishterë: Krishtin! Ta ruajmë Krishtin në jetën tonë, për të mbrojtur të tjerët, për të mbrojtur krijimin!”.
Homelia e Papës Françesku ndërpritet nga duartrokitjet. Ngrohtësia e fjalëve të tij, tërheq fort vëmendjen. Këto fjalë kujtojnë edhe përgjegjësinë, në shkallë planetare, kur pohon se thirrja për të ruajtur, nuk u përket vetëm të krishterëve, por ka një përmasë, që paraprin e që është thjesht njerëzore: u përket të gjithëve:
“E kjo do të thotë ta mbrosh mbarë krijesën, bukurinë e gjithësisë, siç thuhet në Librin e Zanafillës e si na e tregoi Françesku i Asizit; të kesh respekt për çdo krijesë të Zotit e për ambientin ku jetojmë. Do të thotë kujdes për njerëzit, për të gjithë, për çdo njeri, me dashuri, posaçërisht për fëmijët, pleqtë, ata që janë më të brishtë e që shpesh janë në skutat e zemrës sonë”.
Në të djathtën e fronit papnor, rrinë 130 krerë shtetesh, qeverish, oganizatash mbikombëtare: Papa vijon të shtjellojë mendimin e tij, duke i porositur njerëzit të jenë rojtarë të njëri-tjetrit e duke vënë në dukje se në çdo epokë të historisë, për fat të keq, ka “Herodë”, që thurin plane vdekjeje, e rrënojnë dhe e shëmtojnë fytyrën e burrit e të gruas. Prej këndej, u drejtohet njerëzve të pushtetshëm aty pranë, me një thjeshtësi çarmatosëse:
“Dëshiroj t’u kërkoj, e t’u lutem, të gjithë atyre që kanë role me përgjegjësi në fushën ekonomike, politike e shoqërore, të gjithë burrave e grave vullnetmira: të jemi rojtarë të krijesës, të planit të Zotit, të shkruar në natyrë, të jemi rojtarë të tjetrit, të ambientit; të mos lejojmë që gjurmë shkatërrimi e vdekjeje të shoqërojnë udhën e kësaj bote. Por për të “ruajtur”, duhet të kemi kujdes për vetveten tonë! Kujtojmë se urrejtja, zilia, mendjemadhësia, e ndotin jetën! Të ruajmë, do të thotë t’i kontrollojmë ndjenjat tona, zemrat tona, sepse prej aty dalin ndjetet e mira e të këqija: ata që ndërtojnë e ata që rrënojnë! Nuk duhet të kemi frikë nga mirësia, e as nga dhembshuria!”.
Këto fjalë derdhen mbi Sheshin e Shën Pjetrit, si rreze dielli, që mund të shkrijnë edhe gurët. E, natyrisht, shkrijnë më se një zemër, duke treguar se Peshkatari i ri është në timon të një barke, që ka vendosur të çaj dallgët mal të rrymave të ndryshme. Papa Françesku flet shumë fjalë të guximshme. “E fortë në shpresë, kundër çdo shprese”, është nxitja e tij, para se ta përfundojë Meshën e të rikthehet në Bazilikë, përballë elterit, për të përshëndetur përzemërsisht, një për një, autoritetet institucionale, që vijnë t’i shprehin nderimin e tyre. Jashtë, ndonjë re e arratisur e mbulon kur e kur diellin në qiellin e kaltër. Por s’ka re, që ta errësojë diellin e ndezur në shpirtin e njerëzve. Ata marrin udhën e kthimit, duke menduar e rimenduar thirrjen e Papës Françesku, “shërbëtorit” të një Dashurie, e cila i dha tashmë pushtet mbi shumë zemra:
“Edhe sot, përballë hapësirave të shumta me qiell ngjyrëhiri, kemi nevojë ta shikojmë dritën e shpresës e të japim shpresë. Të ketë kujdes për krijesën çdo burrë e çdo grua, me sy plot dhembshuri e dashuri, do të thotë të hapë horizonte shprese, të hapë një plasë drite, në mes reve të dendura, të sjellë ngrohtësinë e shpresës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.