Më 19 mars kalendari kishtar kremton Shën Jozefin, pajtorin qiellor të Kishës universale.
Sot, kalendari Kishtar kremtoi festën e Shën Jozefit, fatit të Virgjërës Mari
e Pajtorit të Kishës universale. Sipas traditës, në festën e atit të kujtuar të Jezusit,
kremtohet edhe festa e baballarëve. Ky kremtim ka rrënjë të thella biblike: Jozefi
është patriarku i fundit, të cilit Zoti i flet përmes udhës së përvujtë të ëndrrave.
Ashtu si Jozefi i Besëlidhjes së Vjetër, shën Jozefi është njeri i drejtë e besnik
(Mt 1,19), që Zoti e ka zgjedhur si rojtar të shtëpisë së vet. Ai lidh Jezusin, mbretin
mesianik, me pasardhësin e Davidit. Fati i Marisë dhe ati adoptuar i Jezusit, Jozefi
e udhëheq Familjen Shenjte në ikje dhe në kthim nga Egjipti, duke përshkuar rrugën
e Daljes. Papa Piu IX e shpalli Pajtor qiellor të Kishës Universale; Papa Gjoni
XXIII e radhiti emrin e shën Jozefit në Kanunin Romak (Meshari Romak). Po kujtojmë
se Papa Gjon Pali II i kushtoi figurës dhe misionit të shën Jozefit në jetën e Krishtit
e të Kishës, nxitjen Apostolike “Redemptoris Custos” - “Rojtari i Shëlbuesit”, nënshkruar
më 15 gusht 1989. Po kush ishte Shën Jozefi: “Njeri i drejtë, zbatues i
ligjit, me profesion marangoz, që vuajti dramën e amësisë misterioze hyjnore të
Marisë. I lajmëruar nga Zoti në ëndërr, e pranoi me fe planin e Hyjit. 40 ditë pas
lindjes, Jozefi me Marinë e çuan foshnjën në Jerusalem për ta paraqitur në tempull
e atje takuan plakun Simeon, i cili parafoli një ardhmëri misterioze për këtë fëmijë.
Jozefi e dëgjoi e i besoi përsëri Zotit. Kur Jezusi mbushi 12 vjet, prindërit e morën
me vete në shtegtim drejt Jerusalemit; e ja se në kthim e sipër, pa i njoftuar, Jezusi
u ndalua në qytet. E ëma e pyeti pse ua kishte shkaktuar këtë pakënaqësi e Jezusi
dha një përgjigje që as Maria e as Jozefi nuk e kuptuan. E Jozefi uli kokën e u bind.
Ky pra është Shën Jozefi: një besimtar që e ka lëshuar plotësisht vetveten në duart
e Zotit. Nganjëherë të krijohet përshtypja se figura e Shenjti mbetet paksa e
fshehur në hagjiografinë klasike. Për Shën Jozefin Ungjijtë dokumentojnë vetëm
heshtjen e kjo po, është e jashtëzakonshme. Nënshtrim absolut para vullnetit të
Zotit, lëshim i plotë i vetvetes në dorën e Zotit, bindje absolute përballë planit
hyjnor të shëlbimit, edhe në gjërat më të natyrshmet, siç është dëshira e atësisë
natyrore. Në këtë Jozefi ishte plotësisht heroik e gati –gati i parapriu përgjigjes
“Po, o Atë!” që do të jepte Jezusi. Ç’vlerë ka figura e tij sot? Koncili
II i Vatikanit ia ka kushtuar kapitullin V të Kushtetutës mbi Kishën thirrjes
të të gjithë të pagëzuarve për të ecur në rrugën e shenjtërisë. E Gjon Pali II, në
Letrën apostolike Tertio Millennio adveniente, propozoi një punë baritore të
zakonshme për promovimin e shenjtërisë. Me fjalën shenjtëri nënkuptonte dhuratën për
të jetuar çdo ditë si bij të Zotit, duke bërë vullnetin e Atit. Shën Jozefi jetoi
pikërisht kështu. E jetoi me besnikëri të jashtëzakonshme jetën e zakonshme që i kishte
caktuar Zoti. Figura e Shenjtit është model për baballarët e sotëm. Duhet
të mësojnë nga Shën Jozefi sidomos se bijtë janë dhuratë e madhe e Zotit, se duhen
dashur e nuk duhen sunduar. Kanë nevojë absolute për ndihmë gjatë rritjes, por gjithnjë
duke respektuar lidhjen e tyre me Zotin e me vullnetin e Tij. Në një farë pike, Jozefi
zhduket: ndër Ungjijtë mbetet vetëm Jezusi. Kjo është edhe metafora e atit që pak
nga pak u jep bijve pavarësinë. Madje, duhet t’i ndihmojë që kjo pavarësi të arrihet
sa më mirë që të jetë e mundur.