Ipeshkvi martir imzot Vinçenc Prennushi në përvjetorin e vdekjes
Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 19 mars kujtojmë figurën e kryeipeshkvit
martir të Durrësit, imzot Vinçenc Prennushit, në përvjetorin e vdekjes. Imzot
Vinçenc Prennushi, kryeipeshkëv i Durrësit (4.9.1885 –19.3.1949) ipeshkëv e martir
i fesë gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, është figurë e jashtëzakonshme kishtare
e kombëtare, fetare e kulturore. Një ikonë e forcës dhe e dritës së shpirtit shqiptar
që ndriçojë në errësirën e regjimit ateist. Sigurisht që nuk është aspak e lehtë
ta përmbledhësh me pak rreshta jetën aq të pasur e të jashtëzakonshme të një bariu
të jashtëzakonshëm shpirtëror, të një mbrojtësi të paepur të vlerave ungjillore, njerëzore
e kombëtare, siç është ajo e kryeipeshkvit imzot Vinçenc Prennushi. Lindi në Shkodër
më 4 shtator 1885. U Pagëzua me emrin Kolë, Shpejti ndjeu thirrjen e Zotit për jetën
rregulltare. Hyr në kuvendin françeskan të vendlindjes më 1900; u shugurua meshtar
në Tirol të Austrisë, ku kryente studimet, duke e ndërruar emrin në Vinçenc. Nisi
të botonte rreth 1909-1910-tës. Më 1911 botoi “Kangë popullore gegnishte”; më 1918
fletpalosjen liturgjike “Fjala e Zotit”; “Java e Madhe”, libër feje,
për javën para Pashkve. më pas dramat “E trathuemja” e “Prej robnie në liri”;
studimin “Nder lamije të demokracisë së vërtetë” (1922). Kryeveprën poetike
“Gjeth e Lule” e botoi më 1924, për të vijuar me veprat agjiografike “Shën
Françesku i Asizit” dhe “Jeta e Shna Ndout prej Padue” (1913) ; “N’Agape”,
vjershë (1926); “Vorri i fratit”, 1717-1918. Dy fjalë mbi jetën e A. Anton
Soranit, dëshmitar feje françeskan (1918); Ndër përkthimet e imzot Vinçenc Prennushit
kujtojmë: “Quo Vadis” të novelistit polak, Henryk Sienkiewiz; “Burgjet e mia”
të italianit Silvio Pellico, poemën “Dreizehnlinden” të gjermanit Friedrich Wilhelm
Weber, nga e cila “Hylli i Dritës” u botuan te vetëm tri këngë. Këtu këputet veprimtaria
e mbyllet, për të përfunduar kush e di se ku, arkivi i tij jashtëzakonisht i pasur. Imzot
Vinçenc Prennushi, njihet si këngëtar i ëmbëlsisë dhe i trishtimit. Ndër poezitë e
tij, kumbon një jehonë e këndshme dhe një ushtimë e trishtë, ashtu siç këndon atdheun
me bukuritë e tij, po kështu edhe kur vargëton misteret e besimit. Në poezinë e Prennushit,
bota lëndore vështrohet si një ndër arsyet e shkatërrimit të njeriut, për shkak të
paaftësisë për t’u vetëpërmbajtur dhe të lakmive të pangopura vetjake. Shkruan
At Justin Rrota: “E n’atë mënyrë qi At Fishta mund të thirret për kah trajta e gjuhës
poeti i Gegnìs, pse dijti me i a vjedhë popullit të malit e të fushës bukruìt
mà të pikaturat e të shprehunit, kështu Prennushi mund të mbahet si poeti
i qytetit të vet, mbassi gjithshka gjeti të hijshëm në fjalë e në frazeologji
të këtij dialekti e mblodhi si bleta dhe e vendoi me shije të madhe ndër shkrimet
e veta”. Më 1947 imzot Vinçenc Prennushi u arrestua nga komunistët në Tiranë
e më pas u nis për në Burgun e Durrësit, ku edhe vdiq më 19 mars 1949 në një
natë të errët e të acartë, duke kërkuar “më shumë dritë e duke mbrojtur deri në frymën
e fundit, vlerat, idealet e bindjet e veta. Shkruan mes tjerash Arshi Pipa, që ia
mbylli sytë e vdekur “...asht vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur
vërejmë qysh njerëzit vdesin për ideale”. Procesi i beatifikimit të imzot Vinçenc
Prennushit dhe 39 martirëve të tjerë shqiptarë ka filluar më 9 nëntor të vitit 2002
në Kishën katedrale të Shkodrës, në prani të kardinalit Sepe, aso kohe prefekt i Kongregatës
së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve.