2013-03-19 12:15:40

4. Rite e terma që kanë të bëjnë me Papën e ri. Palio Papnore: simbol i deles së humbur e i Bariut Hyjnor dhe Unaza e Peshkatarit.


Filloi sot zyrtarisht papnia e Papës Françesku, një shërbim tepër i vështirë, i parealizueshëm vetëm me forcat e njeriut, plotësisht i realizueshëm me ndihmën e Zotit.
Në plan të parë, sot, janë dy simbole: Palio, simbol i deles së humbur e të rigjetur, që Krishti e merr mbi shpatulla dhe Unaza e Peshkatarit, simbol i ipeshkvnisë të pasardhësit të Shën Pjetrit.

Palio, simbol i ipeshkvit si bari i mirë e njëkohësisht, i Qengjit të kryqëzuar për shpëtimin e njerëzimit, endet me lesh të bardhë. “Leshi me të cilin endet Palio simbolizon delen e humbur, të sëmurë a të ligur, që bariu e kërkon në shkretëtirë, e vë mbi supe dhe e çon tek gurrat e jetës” (Benedikti XVI, Homelia e Meshës për fillimin e Papnisë, 24 prill 2005).
Palio papnore, në formën e vet të sotme, është fashë stofe me formë të gjerë e të gjatë e me kryqe të kuq.
Ndërsa palio e ipeshkvijve metropolitë është fashë e ngushtë stofe, me pesë kryqe të zinj, qindisur me mëndafsh, simbol i pesë plagëve të Krishtit në kryq. Mbërthehet me tri karfica, një për çdo gozhdë të kryqëzimit.
Palio është shenjë shumë e lashtë, figurë e zgjedhës së Krishtit, të cilën Ipeshkvi i Romës e merr mbi vete.
Njerëzimi është delja e humbur që, në shkretëtirë, nuk e gjen më rrugën. Biri i Zotit nuk mund ta lejojë këtë: Ai nuk mund ta braktisë njerëzimin në një gjendje të tillë të mjerë; largohet nga lumnia e qiellit për të gjetur delen e humbur e për ta ndjekur pas, deri në kryq. Mbart mbi shpatulla humanitetin tonë, na mbart ne vetë. Ai është Bariu i mirë, që flijon jetën për delet e veta.
E misioni i bariut në botën e sotme, ku ka një mori formash të shkretëtirës, vijon:
“Shqetësimi i shenjtë i Krishtit duhet ta gjallërojë bariun: ai nuk mund të qëndrojë indiferent përballë njerëzve që jetojnë në shkretëtirë. E ka lloj-lloj formash të shkretëtirës: shkretëtira e mjerimit, e urisë dhe e etjes, e braktisjes, e vetmisë, e dashurisë së shprishur. Eshtë edhe shkretëtira e mosnjohjes së Zotit, e zbrazjes së shpirtrave, që humbasin vetëdijën e dinjitetit e të rrugës së njeriut. Shkretëtirat e jashtme shtohen në botë, sepse bëhen gjithnjë më të hapta shkretëtirat e brëndshme, ato shpirtërore. E detyra e barinjve të Krishtit është pikërisht t’u prijnë njerëzve, për t’i nxjerrë nga shkretëtira. Në Lindjen e lashtë ishte zakon që mbretërit ta quanin veten barinj të popullit. Ishte simbol i pushtetit të tyre, figurë cinike: për ta popujt ishin si bagëtitë, me të cilat mund të bënin sipas qejfit (Benedikti XVI, Homelia e Meshës për fillimin e Papnisë, 24 prill 2005).
Ndërsa bariu i të gjithë njerëzve, Zoti i gjallë, u bë vetë qengj, mori anën e qengjave, të atyre që shtypen e që mbyten.
“Unë jap jetën time për delet e mia, thotë Krishti për vetveten. Ajo që të çliron nuk është forca, por dashuria. Kjo është shenja e Zotit: ai vetë është dashuri. Sa herë dëshirojmë që Zoti të tregohej më i fortë, të dënonte ashpërsisht, ta mundte të keqen e të ndërtonte një botë më të mirë. Të gjitha ideologjitë e forcës përligjen kështu, përligjin shkatërrimin me atë që i kundërvihet progresit dhe çlirimit të njerëzimit. Ne vuajmë për shkak të durimit të Zotit. Botën mund ta shpëtojë i Kryqëzuari e jo kryqëzuesit! Bota shpëtohet nga durimi i Zotit e shkatërrohet nga padurimi i njerëzve.
Bariu duhet t’i dojë njerëzit që i janë besuar, sepse të kullosësh do të thotë të duash e të jesh gati për të vuajtur (Benedikti XVI, Homelia e Meshës për fillimin e Papnisë, 24 prill 2005).

Unaza e Peshkatarit, me figurën e Shën Pjetrit, që mban në dorë çelësat e mbretërisë, ka vlerën e vulës, që vërteton fenë e përfaqëson detyrën dhënë Pjetrit për t’i përfocuar vëllezërit në fe. Quhet “Unaza e Peshkatarit”, sepse Shën Pjetri ishte peshkatar e Jezusi e bëri peshkatar njerëzish. Unaza e Papës Françesku, punuar në argjend të praruar, është vepër e artistit të shquar italian, Enrico Manfrini.

Kënga “Tu es Petrus- Ti je shkëmb”
Në Meshën për fillimin e papnisë, një nga himnet kryesore është “Tu es Petrus”. Teksti i plotë, marrë nga Ungjilli i Mateut 16.18-19: « Tu es Petrus, et super hanc petram aedificabo Ecclesiam meam et tibi dabo claves regni Coelorum. «
Ti je Pjetër-Shkëmb e mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time e dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kurrë kundër saj”.
Kompozuar nga Pierluigi da Palestrina, Lorenzo Perosi, Franz Liszt e shumë kompozitorë të tjerë, moteti shoqëron hyrjen e Papës në Bazilikën e Shën Pjetrit në Festat e Princit të Apostujve, në fillimin zyrtar të papnisë e në festa të tjera solemne.







All the contents on this site are copyrighted ©.