2013-03-18 18:15:28

Takimi i atë Lombardit me gazetarët: “Unaza e Papës nuk do të jetë e artë”.


Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, mbajti sot takimin e zakonshëm me gazetarët, në Media Center. Kujtoi se sot Papa e kaloi drekën me presidenten e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, pas takimit privat, në Shtëpinë e Shën Martës, që zgjati 15-20 minuta. Pastaj Papa përshëndeti edhe anëtarët e delegacionit të Argjentinës.
Dy takime të tjera, ishin: sot paradite, ai me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizo Bertone, ndërsa dje pasdite, me atin e përgjithshëm të Jezuitëve, Adolfo Nicolàs. Siç dihet, kujtoi atë Lombardi, Papa i ka konfirmuar të gjithë në detyrat e mëparshme.
Nesër, në tremen para Bazilikës së Shën Pjetrit, Mesha e fillimit të papnisë. Në të djathtë, shpjegoi atë Lombardi, do të kemi personalitetet kishtare, kryeipeshkvij e ipeshkvij, me bashkëkremtuesit e edhe, shumë ndoshta, delegacionet e Kishave dhe bashkësive të tjera të krishtera.
Më të djathtë, delegacionet e vendeve të ndryshme, kryesuar nga presidentë, ministra e kështu me radhë. Në Shesh, poshtë tremes, pranë shtatores së Shën Pjetrit, në të majtë, ka shumë mundësi të jenë delegacionet e feve të tjera, hebrenj, myslimanë, si dhe priftërinjtë e seminaristët: flitet për rreth 1.200 vetë. Ndërsa në të djathtë, përballë shtatores së Shën Palit, do të jetë Trupi Diplomatik si dhe autoritete të tjera. Pjesa tjetër e Sheshit u përket të gjithë njerëzve, që duan të jenë të pranishëm.
Papa do të dalë nga Shtëpia e Shën Martës rreth orës 8.45 e do të bëjë një rrotullim rreth Sheshit, për t’u takuar me besimtarët. Pastaj do të shkojë në sakresti, pranë elterit të Zojës së Dhimbshme, ku do të përgatitet për kremtimin, që do të nisë në orën 9.30. Për televizionet, Qendra Televizive e Vatikanit do të japë pamje që nga ora 8.50.
Kremtimi i nesërm titullohet: Fillimi i ministerit petrin i ipeshkvit të Romës”, shkurt, fillimi, ose përurimi i papnisë. Është Mesha e fillimit solemn të shërbimit të Papës, që është ipeshkvi i Romës. Quhet ‘petrin’ sepse lidhet me Shën Pjetrin. Papa është pasardhës i Shën Pjetrit. Ka shumë rëndësi, vendi ku do të fillojë kremtimi: mbi Varrin e Shën Pjetrit, në qendër të Bazilikës, që është edhe vendi i martirizimit të Shën Pjetrit, pasardhës i të cilit është Papa.
Nga sakrestia, Papa do të shkojë tek Varri i Shën Pjetrit, nën elter, i shoqëruar nga patrikët dhe kryeipeshkvijtë e mëdhenj të Kishave lindore katolike, për të zbritur, më pas, te Varri i Kryeapostullit. Këtu, ku ruhet unaza e palio, shenja të ministerit petrin, të cilat do t’i dorëzohen Papës, do të kremtohet një rit: një homazh e një lutje. Pastaj Papa, patrikët e kardinajtë, me procesion, do të përshkojnë bazilikën e do të shkojnë drejt portës, për të dalë në treme, shoqëruar me himnin Lavde Mbretit: Mbreti është Krishti. Në këtë këngë lavdërimi, kujtohen shumë shenjtorë, edhe disa shenjtorë papë, pas Apostujve. I fundmi është Shën Piu X.
Procesioni do të dalë nga porta e majtë e Bazilikës e ritet para, para se të fillojë Mesha, do të jenë: papës do t’i dorëzohen palio e unaza, dy shenjat kryesore të detyrës së tij. Palion Papës do t’ia dorëzojë e do t’ia vërë mbi supe kardinali protodiakon, Jean-Louis Tauran, pikërisht ai, që kumtoi lajmin e gëzuar “Habemus Papam” nga Lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit. Është e njëllojtë me palion, që kishte Benedikti XVI, krejt e njëjtë. Do të pasojë një lutje e bërë nga kardinali protopresbiter. Unazën do t’ia dorëzojë kardinali dekan, Sodano. Tre kardinaj, të tre urdhërave, dorëzojnë palion, luten e dorëzojnë unazën.
Quhet “Unaza e Peshkatarit”, sepse Shën Pjetri ishte peshkatar e Jezusi e bëri peshkatar njerëzish. Mbi unazë paraqitet Shën Pjetri me çelësat. Unaza, punuar në argjend të praruar, është vepër e artistit të shquar italian, Enrico Manfrini. Modelin ia paraqiti Papës, Mjeshtri i Kremtimeve. E Papa zgjodhi këtë model, ndërmjet dy tre të tjerëve.
Bashkëkremtues në Meshën e fillimit të Papnisë së Papës Françesku, do të jenë të gjithë kardinajtë, që ndodhen në Romë e dëshirojnë të marrin pjesë në kremtim: të pranishëm, edhe dy eprorët e përgjithshëm të urdhërave rregulltare: eprori i përgjithshëm i Fretërve të vegjël, atë Carballo dhe ai i Jezuitëve, atë Nicolás. Të tjerët do të jenë të pranishëm, por nuk do të bashkëkremtojnë.
Riti i fundmë është ai i “bindjes”: përfaqësuesit e kardinajve të pranishëm do të premtojnë se do t’i binden plotësisht Papës së ri.
Ndërsa përfaqësuesit e tjerë të Popullit të Zotit, do ta bëjnë këtë premtim pas disa javësh, kur Papa do të shkojë në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran.
Pas këtyre riteve, do të fillojë Mesha: është Mesha solemne e festës së Shën Jozefit. Një hollësi. Ungjilli do të këndohet në greqisht: në kremtimet e mëdha, edhe për Pashkë, për shembull, ndiqet tradita e përdorimit të latinishtes e edhe greqishtes, për të kujtuar Kishën e Lindjes e atë të Perëndimit, dy përmasat e traditës së Kishës. Për thjeshtësi, në këtë Meshë, Ungjilli do të këndohet vetëm greqisht, sepse gjatë Meshës ka shumë çaste, në të cilat do të përdoret latinishtja. Një tjetër aspekt: në ritin e nesërm ofertat: buka e vera për Meshën, nuk do të sillen në elter me procesion solemn. Kungimin nuk do ta japë Papa personalisht, por diakonët dhe 500 meshtarë, që do të shpërndahen në Shesh.
Homelinë Papa do ta mbajë në italisht.
Meshën do ta shoqërojë Kori i Kapelës Sikstine dhe Kori i Institutit të Muzikës Kishtare
Pas Meshe, Papa do të takohet me krerët e delegacioneve. Ka shumë mundësi që Qendra Televizive e Vatikanit të japë pamjet në vazhdim. Me delegacionet e Kishave të ndryshme të krishtera, pastaj, Papa do të takohet të mërkurën, në orën 11.00, ndërsa krerët e shteteve dhe delegacionet, që i shoqërojnë, Papa do t’i presë në Sallën Klementine.
Flitet se do të marrin pjesë 33 delegacione të Kishave e konfesioneve të krishtera: 14 të Kishave lindore, 10 të Kishave të krishtera perëndimore, 3, të organizmave të krishtera ndërkombëtare. Do të jenë të pranishëm personalitete shumë të rëndësishme: Patriku ekumenik, Bartolomeu I; katolikosi armen i Eçmiazinit, Karekini II; metropoliti Hilarion i Patrikut të Moskës, e shumë të tjerë. Delegacioni hebraik do të ketë 16 anëtarë të rabinateve të ndryshme. E pastaj do të jenë të pranishme edhe delegacione të mëdha myslimanësh, budistësh, besimtarësh sikh, xhainistësh etj etj, përfaqësues të mbarë botës.

Përsa u përket delegacioneve të vendeve të ndryshme dhe organizatave ndërkombëtare, flitet për 132 përfaqësime të niveleve të ndryshme. Rendi, që caktohet nga protokolli, vë në radhë të parë sovranët, pastaj presidentët, pastaj kryeministrat e kështu me radhë. Praktika e Selisë së Shenjtë nuk është të bëjë ftesa të veçanta. Selia e Shenjtë njofton për datën e Meshës së fillimit të papnisë, e kush vjen, mirë se të vijë.
Natyrisht, në krye të vendit do të jenë delegacioni i Argjentinës e ai i Italisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.