2013-03-18 15:45:13

Stema e Papës Françesku


Stema e Papës Françesku frymëzohet nga ajo, që Jorge Mario Bergoglio kishte si kryeipeshkëv. Ati i Shenjtë ruajti edhe moton e tij “Miserando atque eligendo” (E pa me mëshirë dhe e zgjodhi)

SHPJEGIMI I STEMËS “MISERANDO ATQUE ELIGENDO”

SHQYTI
Në aspektet kryesore, Papa Françesku vendosi të mbajë stemën e mëparshme, zgjedhur që me shugurimin ipeshkvnore e karakterizuar nga thjeshtësia e veçantë.
Shqyti blu ka sipër simbolet e dinjitetit papnor, të njëjta me ato të Benediktit XVI (mitra e vendosur ndërmjet dy çelësave të kryqëzuar, prej ari e argjendi, të lidhur me një kordon të kuq). Në krye të shqytit, është vendosur emblema e urdhërit, ku bën pjesë Papa, ai i Shoqërisë së Jezusit: një diell me rreze flakëruese, në mesin e të cilit shkruhen me të kuqe shkronjat IHS, monogrami i Krishtit. Sipër letrës H, kryqi, ndërsa poshtë saj, tri gozhda me ngjyrë të zezë.
Në pjesën e poshtme të shqytit, ndodhen ylli dhe lulja e nardit. Ylli, sipas traditës së lashtë araldike, simbolizon Shën Marinë Virgjër, Nënë e Krishtit dhe e Kishës; ndërsa lulja e nardit, Shën Jozefin, Pajtor i Kishës Universale. Në traditën ikonografike hispanjole, Shën Jozefi paraqitet me një degë lule nardi në dorë. Duke vendosur këto imazhe në mburojën e vet, Papa dëshiron të shprehë përkushtimin e tij të veçantë për Zojën e Bekuar dhe për Shën Jozefin.

MOTO
Motoja e Atit të Shenjtë, Françeskut, është marrë nga Homelitë e Shën Bedës së Nderuar, meshtar (Hom. 21; CCL 122, 149-151), i cili, duke komentuar episodin ungjillor të thirrjes së shën Mateut, shkruan: "Vidit ergo Iesus publicanum et quia miserando atque eligendo vidit, ait illi Sequere me" (Jezusi pa një publikan e, duke i hedhur vështrimin plot dashuri e zgjodhi dhe i tha: Më ndiq).
Kjo homeli është një homazh për Mëshirën hyjnore dhe ripropozohet në Liturgjinë e Orëve të festës së Shën Mateut. Ajo ka një domethënie të veçantë për jetën dhe udhën shpirtërore të Papës. Vërtet, në festën e shën Mateut të vitit 1953, i riu Jorge Bergoglio provoi, në moshën 17 vjeçare, në mënyrë krejt të veçantë, praninë plot dashuri të Zotit në jetën e tij. Pas rrëfimit, u prek në zemër e ndjeu dikimin e mëshirës së Zotit, i cili, me vështrimin plot dashuri e ëmbëlsi, e thërriste për jetën rregulltare, sipas shembullit të Shën Injacit të Lojolës.
Kur u shugurua ipeshkëv, imzot Bergolio, në kujtim të asaj ngjarjeje që shënoi fillimet e përkushtimit të tij të plotë ndaj Zotit e Kishës së Tij, vendosi të zgjedhë si moto e program jete, shprehjen e Shën Bedës “miserando atque eligendo”, të cilën e propozon edhe në stemën papnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.