2013-03-18 15:18:27

Papa Françesku takon Presidenten argjentinase Cristina de Kirchner


Papa Françesku takoi sot, në formë private, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, presidenten e Argjentinës, Cristina Fernández de Kirchner, me të cilën kaloi edhe drekën.

Pak më parë Papa takoi Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarçizio Bertone.
Ndërsa dje pasdite, bisedoi me atë Adolfo Nicolás, Epror i Përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit dhe me ipeshkvin e Albanos, imzot Marcello Semeraro.

Nesër, 19 mars, në orën 09.30, Papa Françesku do të kryesojë Meshën për fillimin e papnisë, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Hyrjet e besimtarëve në Sheshib e Vatikanit do të hapen që në orën 06.30. Në përfundim të kremtimit eukaristik, Ati i Shenjtë do të përshëndesë, para Elterit të Dëshmimit, krerët e delegacioneve zyrtare të pranishëm në Meshë.
Të mërkurën, 20 mars, nuk do të mbahet audienca e përgjithshme: në orën 11.00, në Sallën Klementine, Papa do të takohet me delegatët vëllezër të konfesioneve të ndryshme të krishtera.
Të premten, 22 mars, në orën 11.00, në Sallën Regia, do të takohet me Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë.
Në program për të shtunën, 23 mars, takimi me Benediktin XVI, në Kastel Gandolfo. Papa Françesku do të niset me helikopter në orën 12.00 e do të drekojë me Papën e Nderit Benedikti.
Të dielën me 24 mars në orën 09.30, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa do të kryesojë kremtimin eukaristik të së Dielës së Larit e, në orën 12.00, për herë të dytë nga fillimi i papnisë, do të kremtojë lutjen e Engjëllit të Tënzot.







All the contents on this site are copyrighted ©.