2013-03-18 18:41:47

Delegacione nga mbarë bota për Meshën e fillimit të misionit të Papës Françesku


Mbi 130 delegacione nga mbarë bota, priten nesër në Vatikan, për Meshën e “fillimit të misionit papnor të Ipeshkvit të Romës”. Kështu tha zëdhënësi i Selisë së Shenjtë atë Lombardi në takimin e sotëm me gazetarë. 31 Kryetarë Shtetesh, 6 Shtëpi Mbretërore, 3 Princa trashëgimtar, 11 krerë Qeverish. Tridhjetetre delegacione të Kishave e të konfesioneve të krishtera. Delegacione hebraike, islame, budiste, sick, jainiste. Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan hapet për të pritur përfaqësues të mbarë botës, të cilët vijnë në Romë për të nderuar Papën e, populli i Hyjit për të përqafuar Pasardhësin e Pjetrit.
Kështu pra, nesër më 19 mars, Papa i ri Françesku do të kremtojë Meshën e fillimit të papnisë së tij. Ati i Shenjtë Bergoglio do të dalë nga 'Domus Sanctae Marthae' me një xhip të bardhë rreth orës 8.50 të mëngjesit. Fillimisht ceremonia e palios dhe e dorëzimit të unazës së Peshkatarit(prej argjendi kësaj radhe e jo prej ari), lutja në Varrin e Shën Pjetrit, pastaj Mesha për fillimin e shërbimit papnor të ipeshkvit të ri të Romës, e cila do të nisë në orën 9.30. Deri në këtë orë, Papa Françesku do të lëvizë me makinë në mesin e besimtarëve, që parashikohen të shumtë.
Roma është përgatitur të presë 1 milion vetë. E ndër ta, edhe 132 delegacione zyrtare, që kanë mbërritur në Qytetin e Amshuar nga e gjithë bota.

Nga Shqipëria, të pranishëm kryetari i Konferencës ipeshkvnore Katolike, imzot Anxhelo Masafra dhe një delegacion i Kishës Ortodokse, ndërsa nga Kosova, vjen ipeshkvi, imzot Dodë Gjergji. Nga bota politike shqiptare, marrin pjesë në Meshën e kryesuar nga Papa Françesku, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Popullor, Jozefina Topalli, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i jashtëm i Prishtinës, Enver Hoxhaj, si edhe ambasadorët e të dyja vendeve në Itali e ai i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.

Kryetarët e shteteve të vendeve të Jugut e të Qendrës së Amerikës bëjnë që gjuha më e përdorur në këtë shpurë jo dhe aq të vogël autoritetesh nga i gjithë planeti, të jetë spanjishtja. Presidentja argjentinase, Kristina Kirshner e takoi edhe sot Atin e Shenjtë; pastaj, presidentja e Brazilit, Dilma Rusef, në krye të vendit me numrin më të madh të katolikëve në botë; presidenti kilian Sebastian Pinera; ai i Paraguajit, Federiko Franko dhe ai meksikan, Enrike Pena Nieto. Atyre u shtohet nga Spanja, princi i Asturies Felipe, së bashku me gruan Leticia, ndërsa nga Portugalia, presidenti Anìbal Antònio Kavasko Silva e nga Gjermania, Angela Merkel. E veçohet presidenti i Kinës, Ying Jeouma, i cili vjen, pavarësisht nga vështirësitë në marrëdhëniet me Vatikanin.

Ndërkaq, SHBA-të do të përfaqësohen nga zv.presidenti katolik, Xho Bajden, i cili shoqërohet nga guvernatorja e Nju Meksikos, Suzan Martinez, si edhe nga kryetarja e pakicës demokratike të Dhomës së Deputetëve, Nensi Pelozi. Martinez konsiderohet protagonistja hispanjole e Partisë Republikane. Pjesë e delegacionit amerikan është edhe Xhon J. DeXhoia, president i Universitetit të Xhorxhtaunit në Uashington, universitet i jezuitëve, ku janë formuar edhe disa presidentë të SHBA-ve.

Delegacioni italian përbëhet nga presidenti Xhorxho Napolitano, nga kryeministri Mario Monti e nga dy kryetarët e sapozgjedhur të parlamentit, Laura Boldrini e Pietro Graso. Pjesë e delegacionit, edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe disa ministra, gjithsej 16 vetë. Gjashtë, përfaqësuesit e shtëpive mbretërore, ose trashëgimtarë froni.

E kurrë si kësaj here, do të jenë të pranishëm në Meshën e fillimit të papnisë, përfaqësuesit e Kishave të krishtera jo katolike, 33 delegacione, duke filluar nga Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu së bashku me 14 delegacione ortodokse, ndër të cilët, ai i kryesuar nga mitropoliti Hilarion, i patrikanës së Moskës, por edhe ai i Aleksandrisë, Qipros, Greqisë, Ukrainës….

Jashtëzakonisht e madhe, përfaqësia hebraike: kryerabini i Romës, Rikardo Di Senji, kryetari i Bashkësisë hebraike të Romës, Rikardo Paçifiçi e presidenti i Bashkimit të hebrenjve italianë, Roberto Gatenja. E më tej, drejtori i përgjithshëm i Rabinatit të Madh të Izraelit, Oded Viner, eksponentë të Kongresit Botëror të Judenjve dhe Lidhja kundër Shpifjes.

Por edhe myslimanët do të jenë të shumtë. Nga Argjentina, mbërrin Mohamed Jusef Haxhar, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Islamike të Amerikës Latine, i cili ka marrëdhënie shumë të mira me Papën Bergolio. Nga Italia, kryetari i Bashkësisë fetare islamike “Coreis”, imami Jahja Palaviçini.

Papa do t’i presë krerët politikë, pas Meshës, në Bazilikën e Shën Pjetrit, ndërsa krerët fetarë, të nesërmen, ditën e mërkurë, në një audiencë të veçantë.







All the contents on this site are copyrighted ©.