E diel 17 mars, Kisha katolike kremton dielën e 5-të e të fundit të Krezhmëve,
e gjithnjë më 17 mars, kalendari kujton shën Patrikun, ipeshkëv, apostull i Irlandës
dhe shën Gjonin Sarkandër. Liturgjia e kësaj së diele duke na shoqëruar drejt Pashkëve,
na paraqet takimin e Jezusit me gruan mëkatare të zënë në kurorëshkelje, të cilën
Ai e shpëton nga poshtërimi i mëkatit e nga gjykimi i tjerëve duke i thënë: “Shko,
por mbas tash mos mëkato më!”, ndërsa akuzuesve të saj: “Kush është prej jush pa mëkat.
Le ta qesë i pari gurin mbi të!”. Kështu Ungjilli na tregon mundësinë e rilindjes
së jetës në faljen e dashurinë e Hyjit.
Të hënën më 18 mars,
kalendari përkujton shën Çirilin, ipeshkëv i Jerusalemit e doktor i Kishës si dhe
shën Anselmin, ipeshkëv i Lukës. Këta shenjtorë na kujtojnë se në këtë shtegtim krezhmor
duhet të ndalohemi dhe një herë e të meditojmë mbi Jezusin e mbi veprat që kreu, për
t’i besuar kështu me zemër e për t’i lartuar lutjen: “Dëgjoje, o Zot, britmën e njeriut
të varfër, që të lutet!”.
Të martën më 19 mars, kalendari kremton festën
e shën Jozefit, fatin e Zojës së Bekuar, Pajtorin e Kishës universale. Është dita
e emrit të Papës së nderit Jozef Ratzinger dhe e kryeipeshkvit shqiptar të Tivarit
imzot Zef Gashit. Festa e Shenjtit na bind se mënyra si veproi Zoti me shën Jozefin,
është po ajo që përdor edhe sot me çdonjërin prej nesh. Hyji i gjen gjithnjë njerëzit
të përshtatshëm, për realizimin e planeve të tij hyjnore.
Të mërkurën më
20 mars, kalendari kujton shën Gjon Nepomuçenit e shën Klaudien. Liturgjia e kësaj
dite na nxit të meditojmë se largimi i Jezusit në vende të vetmuara për t’u lutur
e për të kundruar, nuk do të thotë se Ai i braktisë nxënësit e vet. Vetëm atëherë
kur Ai është në barkë bashkë me ta, frika zhduket e barka i afrohet bregut aq të dëshiruar.
Të
enjten më 21 mars, kalendari përkujton shën Nikollën nga Flye, Pajtor i Zvicrës.
Figura e tij na kujton se Zoti na do deri në atë pikë, sa të na dhurojë të Birin e
vetëm, Jezu Krishtin, duke pranuar vdekjen e Tij në kryq për të na liruar nga vdekja
e përjetshme.
Të premten 22 mars, kalendari kujton shën Lean, vejushë
romake e shën Palin, ipeshkëv i Narbonës. Liturgjia e ditës na kujton se të kesh fe
në Hyjin, do të thotë t’i besosh Zotit e të lëshohesh plotësisht në dorë të Tij, edhe
në çastet e rënda të provës, ashtu si bëri Moisiu, apostujt e të tjerët. Duhet ta
dimë mirë se e keqja nuk na vjen kurrë nga Zoti, madje ai na rri gjithnjë pranë e
nuk na braktis kurrë.
Të shtunën më 23 mars, kalendari kujton shën
Turibin e Mogrovejos, ipeshkëv i Limës e shën Rebeken. Kisha na kujton se Jezusi erdhi
në botë për të sjellë paqen e njeriut, duke pajtuar mbarë njerëzimin me Hyjin. Përçarjet
lindin nga mospajtimi me vetë misionin e Jezusit.
Të dielën e ardhme më
24 mars Kisha do të kremtojë të Dielën e Larit, e gjithnjë më 24 mars kalendarikujton shën Katerinën e Suedisë, virgjër, bijën e shën Brigjidës. Me këtë
Diele të Larit të Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krishti, për Kishën katolike fillon
Java e Shenjtë ose Java e Madhe e Pashkëve, siç quhej në shekullin IV në Egjeri e
siç quhet edhe sot e kësaj dite ndër shqiptarë. Pra përfundojnë Krezhmët e hyjmë në
kremtimet e Pashkëve. Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na propozon dy
ngjarje e momente ngushtë të lidhura mes tyre: përkujtimin e hyrjes së Jezusit në
Jerusalem dhe mundimet e Tij.