2013-03-16 18:45:34

Papa Françesku: ngjarjet kishtare nuk i përgjigjen logjikës së ngjarjeve mondane


Ngjarjet kishtare “pa dyshim nuk janë më të komplikuara se ato politike apo ekonomike! Mirëpo ato kanë në bazë një karakteristikë të veçantë: ato i përgjigjen një logjike që nuk është ajo e kategorive të përgjithshme, për t’u shpreh kështu, mondane e pikërisht për këtë nuk është lehtë t’i interpretosh ato e t’ia komunikosh një publiku të gjerë e të larmishëm”. Kështu tha Papa Françesku në fjalimin e tij mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan para mase 6000 punonjësve të mediave të akredituar në Vatikan në këtë periudhë e të cilëve u ofroi audiencën e parë të Papnisë së tij.
Papa i njeh mirë vështirësitë që mediat hasin në transmetimin e në paraqitjen e fakteve e të ngjarjeve kishtare. E duke qenë i vetëdijshëm për këtë, Ati i Shenjtë Bergoglio tha akoma, “Kisha, edhe pse në realitet “është edhe një institucion njerëzor, historik me të gjithë atë që bartë në vete, por ajo nuk ka një natyrë politike, po thelbësisht shpirtërore: është Popull i Zotit”. “Popull i Shenjtë i Zotit, që ecën drejt takimi me Jezu Krishtin. Vetëm duke u vendosur në këtë perspektivë mund të kuptohet e të arsyetohet në mënyrë të plotë rreth asaj çka Kisha Katolike vepron”.
Një falënderim “të veçantë” Papa u shpreh atyre që “ditën t’i vështronin e t’i paraqitnin këto ngjarje të historisë së Kishës duke pasur parasysh perspektivën më të drejtë në të cilën duhen lexuar, atë të fesë”. E vërtet ngjarjet e historisë “gati gjithmonë kërkojnë një lexim të veçantë, të ndërlikuar, që shpesh mund të përfshinë edhe përmasën e fesë. Krishti është Bariu i Kishës, por prania e Tij në histori kalon përmes lirisë së njerëzve: ndër ta zgjidhet një për t’i shërbyer si Vikar i tij, si Pasardhës i Pjetrit Apostull, por Krishti është qendra, jo Pasardhësi i Pjetrit: Krishti”. Për Papën kjo është “qendrore”, është pik themelore referimi, zemra e Kishës”. Përndryshe, “Pjetri e Kisha nuk do të ekzistonin as nuk do të kishin arsye të ishin”.
Për atë që ka ndodhur, nga 11 shkurti deri të mërkurën e kaluar, po ta analizonim thellë “protagonisti është Shpirti Shenjt. Ai e frymëzoi vendimin e Benediktit XVI për të mirën e Kishës; Ai i drejtoi në lutje e në zgjedhje Kardinajtë. Miq të dashur, është më rëndësi, ta kemi mirë parasysh këtë horizont interpretues, këtë hermeneutikë, për të fokusuar zemrën e ngjarjeve të këtyre ditëve”. E në Papën Françesku shpërtheu “para se gjitha një falënderim i sinqertë për mundimin e bërë gjatë këtyre ditëve plot impenjime, por edhe thirrja për të kërkuar e për të njohur përherë më shumë natyrën e vërtetë të Kishës edhe ecjen e sa në botë, me virtytet e saj e me mëkatet e saj, e përherë të njihen e dihen motivet shpirtërore që e udhëheqin e që janë të domosdoshme për ta kuptuar”.
Në vijim të takimit me gazetarë e punonjës të mediave, Ati i Shenjtë Bergoglio hapi zemrën e tregoi pse e ka zgjedhur emrin Françesk. Tregon se gjatë Konklavit afër tij ishte ulur kardinali Hummes nga Brazili, i cili, kur u arrit numri i votave të nevojshme për t’u zgjedhur e pas duartrokitjes së kardinajve tjerë, ai iu afrua Papës së ri e përqafoj e i tha në vesh: “Mos i harro të varfrit”. E kjo fjalë hyri këtu brenda: të varfrit, të varfit. Pastaj, menjëherë në lidhje me të varfrit mendova në Françeskun e Asizit. Pastaj, ndërsa votimet vijonin, mendova në luftëra e deri tek të gjithë ju. E Françesku është njeri i paqes. E kështu, erdhi emri, në zemër time: Françesku i Asizit. Njeriu i varfërisë, njeriu i paqes, njeriu që e do dhe ruan Krijimin, mjedisin, në këtë moment në të cilin ne me Krijimin kemi një marrëdhënie jo aq të mirë, apo jo? Ai është njeriu që na jep këtë shpirt të paqes, njeriu i varfër...Ah, sa do të doja një Kishë të varfër e për të varfrit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.