2013-03-16 18:46:23

Lutje për misionarët martirë: kujtimi i martirëve shqiptarë në Peskara të Italisë


Kisha në trevat shqiptare lutet që Papa Françesku të frymëzohet e të ndihmohet nga dëshmia e martirëve shqiptarë. Pikërisht këta martirë u kujtuan dje në Peskara të Italisë, gjatë një mbrëmjeje lutje, organizuar nga Kisha Katolike. Të pranishmit dëgjuan dëshminë e ipeshkvit të Sapës, imzot Lucian Avgustinit, por edhe mesazhin e të Lumit Gjon Pali II drejtuar popullit shqiptar nga sheshi Skënderbej në Tiranë, më 25 prill 1993, gjatë vizitës së paharruar në Shqipëri.
Besimtarët italianë medituan mbi ngjarjet, në të cilat qenë protagonistë martirët shqiptarë, duke i lidhur me botëkuptimin e sotëm mbi fenë. Përpara komunizmit shqiptar, që u kërkonte flijimin për hir të Krishtit, martirët qëndruan të fortë në fe, duke dhënë jetën. Sot, në Itali, ashtu si në të gjithë Perëndimin e zhvilluar, askush nuk e kërcënon lirinë fetare e megjithatë, mungon guximi për gjeste dashurie në mbrojtje të fesë, mungon dëshmia, që e bën atë të dukshme për të tjerët. U theksua se feja, ashtu siç e dëshmuan martirët shqiptarë, është jetë, që i kushtohet drejtësisë e paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.