2013-03-16 18:47:32

Kardinali Bergoglio është Papa Françesku: “Lutuni për mua”. Javë e jashtëzakonshme për Kishën


Qe kardinali Zhan-Lui Toran, ai që në orën 20.12 të së mërkurës së kaluar, shpalli para një sheshi të mbushur sa s’mbante më, me një turmë festive e shumëngjyrëshe:
“Nuntio vobis, gaudium magnum: habemus Papam!...”
E diela e pestë e Kreshmëve, 17 mars, lutja e parë e Engjëllit të Tënzot të Papës Françesku, pas një jave të jashtëzakonshme për gjithë Kishën Katolike e për botën mbarë. Kardinajtë, të mbyllur për dy ditë në Konklav, zgjodhën Pasardhësin e 265-të të Shën Pjetrit, Vikarin e Krishtit mbi tokë. Ai është jezuiti argjentinas Jorge Mario Bergoglio, Papa Françesku, që i mahniti të gjithë me thjeshtësinë e tij. Ati i Shenjtë, që edhe kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Airesit në Argjentinë u lante këmbët të sëmurëve nga Sida e lëvizte me autobuz, nuk pranoi të përdorë makinën, që Vatikani u rezervon papëve, por shkoi në minibus me kardinajt e të nesërmen përdori një makinë më të thjeshtë. “Lërini njerëzit të hyjnë”, tha në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, kur të enjten në mëngjes, shkoi për të falenderuar Zojën e për të vendosur lule në elter. Kush nuk i kujton çastet emocionuese të orës 20.26 të mbrëmjes së të mërkurës, kur Papa tha “Atynën” bashkë me besimtarët, kur u duk vetëm i veshur me të bardha, pa mantelin e kuq e pa kryqin e artë, por me atë të vetin, prej hekuri, kur u kërkoi të gjithëve të luten për të, për Papën, që kardinajtë e gjetën larg, në Argjentinë, “në fund të botës”, siç tha vetë Ati i Shenjtë. Por, kush nuk i kujton edhe fjalët programatike për udhën e Kishës:
“Një udhë vëllazërie, dashurie, besimi ndërmjet nesh. Të lutemi gjithnjë njëri për tjetrin. Të lutemi për mbarë botën, që kudo të ketë vëllazërim. Uroj që kjo udhë e Kishës, të cilën po e nisim sot…, të jetë plot fryte për ungjillëzimin…”.
E jo më larg se të enjten pasdite, në Meshën e parë pas zgjedhjes, Papa Françesku u bëri të qartë të gjithë të krishterëve se Kisha mund të përparojë, vetëm nëse ecën me kryqin e Krishtit në krah. “Të ecim, të ndërtojmë e të dëshmojmë: këto janë linjat e Kishës”, theksoi Ati i Shenjtë:
“Kur ecim pa Kryqin, kur ndërtojmë pa Kryqin e kur dëshmojmë një Krisht pa Kryq, nuk jemi dishepujt e Zotit: jemi të botës, jemi ipeshkvij, priftërinj, kardinaj, papë, por jo dishepuj të Zotit… Bëhemi një organizatë jo qeveritare, filantropike, por jo Kisha, Vasha e Krishtit”.
Të premten, audienca me kardinajtë në Sallën Klementine në Vatikan. Sërish emocion, por dalëngadalë, Papa Françesku fillon të përvijojë linjat kryesore të papnisë së tij. “Forcë e guxim” inkurajon kardinajtë, por edhe gjithë Popullin e Zotit:
“Të mos dorëzohemi kurrë para pesimizmit dhe çkurajimit: kemi sigurinë e patundur që Shpirti i Shenjtë i dhuron Kishës, me frymën e Tij të fuqishme; të qëndrojmë me guxim e të kërkojmë mënyra të reja ungjillëzimi, për ta çuar Ungjillin deri në kufijtë më të skajshëm të tokës. E vërteta e krishterë është tërheqëse dhe bindëse, sepse u përgjigjet nevojave më të thella të ekzistencës njerëzore, duke kumtuar bindshëm se Krishti është Shëlbuesi i vetëm i njeriut në tërësi dhe i të gjithë njerëzve”.
E duke falenderuar Benediktin XVI për gjestin e tij të guximshëm e të përvuajtur, që “ndezi flakë zemrat”, Papa Françesku shfrytëzoi audiencën me kardinajtë - gati të gjithë, të shtyrë në moshë - për të lidhur brezat e për t’u shtrirë dorën të rinjve, shpresa e Kishës dhe e botës:
“Pleqërinë, më pëlqen ta quaj, seli e dijes për jetën. Të moshuarit kanë fituar urtinë e jetës, ashtu si Simeoni plak dhe Ana në Tempull. Pikërisht ajo urti bëri që ata ta njihnin Jezusin. Le t’ua dhurojmë këtë urti të rinjve: ashtu si vera e mirë, që me vite bëhet edhe më e mirë, le t’ua japim të rinjve dijen për jetën”.
Të shtunën, takimi me veprimtarët e mediave, me të gjithë gazetarët dhe teknikët, që ndoqën fillimisht tërheqjen e Benediktit XVI nga papnia, pastaj Konklavin e zgjedhjen e Papës së ri. Mjet ungjillëzimi: kështu janë mediat për Kishën e këtë, Papa e tregoi që në mesazhin e parë nga Llozha e Bekimeve në Shën Pjetër, kur shpalli ndjesën e plotë jo vetëm për mëse 100 mijë të pranishmit, por edhe për ata që e ndiqnin përmes radios e televizionit e përmes mjeteve të reja teknologjike, si celularët e interneti.
Atë Federiko Lombardi, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, sqaroi këto ditë domethënien e zgjedhjes së emrit Françesk për Papën, emër impenjativ, po të kemi parasysh Varfanjakun e Asizit, që thërriste Hënën motër e Diellin vëlla, por edhe jezuitin misionar shën Françesk Saveri:
“Më vjen shumë mirë që zgjodhi emrin Françesk, dëshmitar i madh i Ungjillit; pra, ndjehet përshpirtëria e rregulltarit, që dëshiron t’i jetojë vlerat e Ungjillit, e që i bën pjesëmarrës edhe të tjerët, krejt natyrshëm. I jap shumë rëndësi zgjedhjes së emrit “Françesk”… Nuk zgjodhi emrin “Injac”, por “Françesk”. Do të thotë se ne jemi këtu për t’i shërbyer Kishës, duke përfshirë të gjitha dhuratat, karizmat, që Zoti na jep për të ndërtuar Kishën e për të kumtuar Ungjillin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.