2013-03-15 15:18:08

Papa Françesku, kardinajve: pa iu nënshtruar kurrë pesimizmit, t’ua çojmë të rinjve urtinë


Papa Françesku u takua sot paradite me kardinajtë, në Sallën Klementine. Pohoi se koha kushtuar Konklavit ishte plot kuptim, jo vetëm për Kolegjin Kardinalor, por edhe për të gjithë besimtarët. Në këto ditë, kujtoi, gati-gati e prekëm dashurinë dhe solidaritetin e Kishës universale, si dhe vëmendjen e njerëzve të shumtë që, edhe pse nuk besojnë në fenë tonë, i shikojnë me respekt e admirim Kishën e Selinë e Shenjtë.

Nga të katër anët e tokës u lartua lutja e zjarrtë e korale e Popullit të krishterë për Papën e ri, vijoi, e i ngarkuar me emocione të forta ishte edhe takimi im i parë me turmën e grumbulluar në Sheshin e Shën Pjetrit. Me këtë figurë prekëse të popullit, në lutje e galdim, që më la gjurmë të pashlyeshme në mendje, dëshiroj t’u shpreh mirënjohjen time më të sinqertë ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve, të rinjve, familjeve, të moshuarve, për afërsinë e tyre shpirtërore, kaq prekëse, kaq të ngrohtë.

Papa Françesku u shprehu, më pas, mirënjohjen, edhe të gjithë kardinajve për bashkëpunimin në drejtim të Kishës gjatë Selisë Vakante. Përshëndeti kardinalin Anxhelo Sodano. Pastaj kardinalin Kamerleng, Tarçizio Bertone, për veprimtarinë e tij të kujdesshme gjatë kësaj faze delikate tranzicioni si dhe të shumëdashurin kardinalin Giovanni Battista Re, që kryesoi Konklavin. Mirënjohje u shprehu edhe kardinajve që, për shkak moshe të shtyrë a sëmundjeje, i siguruan Kishës pjesëmarrjen e dashurinë, duke i ofruar vuajtjen e lutjen e tyre. E kujtoi edhe se pardje, kardinali Mejia, tani i shtruar në spitalin Pio XI, pati një infarkt kardiak. Papa Françesku nuk harroi t’i dërgonte urimet më të mira për shërim të shpejtë.

Një përshëndetje tejet të përzemërt e plot mirënjohje, vijoi, ia drejtoj Paraardhësit tim të nderuar, Benediktit XVI…:
“…i cili, në këto vite Papnie, e pasuroi dhe e kërthnezi Kishën me magjisterin, mirësinë, udhëheqjen, fenë, përvuajtërinë e butësinë e tij, që do të mbeten trashëgimi e vërtetë shpirtërore për të gjithë”.
Misioni papnor, i jetuar me përkushtim të plotë, gjeti në Të një interpretues të urtë e të përvuajtur, me sytë ngulur përherë mbi Krishtin; Krishtin e Ngjallur, të pranishëm e të gjallë në Eukaristi. Do ta shoqërojnë gjithnjë lutja jonë e zjarrtë, kujtimi ynë i përhershëm, mirënjohja jonë e përzemërt:
“E ndjejmë se Benedikti XVI ndezi një flakë në thellësinë e zemrave tona: ajo do të vijojë të ndriçojë, sepse do të ushqehet nga lutja e Tij, e cila do ta mbështesë akoma Kishën në udhën e saj shpirtërore e misionare”.

Nënvizoi, më pas, se ky takim ishte gati-gati si vijim i bashkimit të thellë kishtar, që të gjithë e provuan në këtë periudhë. Të frymëzuar nga ndjenja e thellë e përgjegjësisë e të mbështetur nga dashuria e madhe për Krishtin e për Kishën, u lutëm së bashku, ndamë bashkërisht ndjenjat tona, përvojën tonë e reflektimet tona. Në këtë atmosferë shumë të përzemërt, thelluam njohjen reciproke e shkëmbimin e mendimeve, e kjo, shtoi Papa Françesku, është gjë e mirë:
“Ne jemi vëllezër e madje dikush më tha: kardinajtë janë priftërinjtë e Atit të Shenjtë. Po, ne jemi ajo bashkësi, ajo miqësi, ajo afërsi, që u bën mirë të gjithëve”.
E kjo njohje, kjo hapje reciproke e zemrave, na e lehtësuan nënshtrimin pa fjalë ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt:
“Ai, Parakliti, i bën të gjitha ndryshimet në Kishat e duket se është apostull i Babelit. Por nga ana tjetër, është po ai që krijon unitetin e këtyre larmive, jo në barazim, por në harmoni”.
Më kujtohet një nga etërit e Kishës, që e përkufizon kështu. “Ipse harmonia est”. Ky Paracliti, i cili i jep, secilit nga ne, karizma të ndryshme, na mbledh në këtë bashkësi, që është Kisha, e cila adhuron Atin, Birin e Shpirtin Shenjt.

Pikërisht duke u nisur nga dashuria e vërtetë kolegjiale, që e bashkon Kolegjin Kardinalor, tha Papa Françesku, shpreh vullnetin tim për t’i shërbyer Ungjillit me dashuri të përtërirë, duke e ndihmuar Kishën të bëhet gjithnjë më shumë, në Krishtin e me Krishtin, vreshti pjellor i Zotit. Të nxitur edhe nga kremtimi i Vitit të fesë, të gjithë së bashku, barinj e besimtarë, do të përpiqemi t’i përgjigjemi me besnikëri misionit të përhershëm: t’ia çojmë Jezu Krishtin njeriut e t’i prijmë njeriut drejt takimit me Jezu Krishtin, që është Udha, e Vërteta, Jeta, i pranishëm me të vërtetë në Kishë e bashkëkohas me çdo njeri. Ky takim na bën njerëz të rinj në misterin e Hirit, duke na ngjallur në shpirt gëzimin e qindfishtë të krishterë, që Krishti ia dhuron kujt ia hap dyert e jetës.

Nënvizoi, më pas atë, që e kujtoi “shpesh herë me mësimet tij, e së fundi, me gjestin e guximshëm e të përvuajtur, Papa Benedikti XVI: “Krishti i prin Kishës së tij përmes Shpirtit të vet”. Shpirti Shenjt është shpirti i Kishës e, me forcën e tij jetëdhënëse e bashkuese, nga shumë, bën një korp të vetëm, Korpin mistik të Krishtit. Këtu Papa i ri ngriti zërin, për të theksuar me forcë:
“Nuk duhet t’i nënshtrohemi pesimizmit, nuk duhet të na lëshojë zemra, me bindjen e patundshme se Shpirti Shenjt, me frymën e tij të pushtetshme, i dhuron Kishës guximin për të ngulmuar e edhe për të kërkuar metoda të reja ungjillëzimi, që të mund ta çojë Ungjillin deri në skajet më të largëta të tokës (cfr Vap 1,8)”.
E vërteta e krishterë është tërheqëse e bindëse, sepse i përgjigjet nevojës më të thellë të jetës njerëzore, duke kumtuar bindshëm se Krishti është i vetmi Shëlbues i çdo njeriu dhe i gjithë njerëzve. Ky kumt ka vlerë edhe për sot, ashtu si në zanafillën e krishterimit, kur nisi përhapja e parë e madhe misionare e Ungjillit:
“Forca, të dashur vëllezër!”, vijoi Papa Françesku, gjysma jemi pleq, e mosha e shtyrë, më pëlqen ta quaj kështu, është selia e urtisë së jetës. Njerëzit e moshuar kanë urtinë e njeriut, që ka shtegtuar nëpër jetë, si Simeoni plak e Ana plakë, në Tempull. E pikërisht kjo dije a urti u dha hirin ta njohin Jezusin. T’ua japim këtë dije të rinjve: si vera e mirë, që me kalimin e viteve bëhet edhe më e shijshme, t’ua dhurojmë të rinjve urtinë e jetës”.
Më vijnë në mendje fjalët, që thoshte një poet gjerman 1 për pleqërinë: “Es ist ruhing, das Alter, und fromm” (Ajo është koha e qetësisë dhe e lutjes). U duhet dhënë të rinjve edhe kjo urti.

Do të riktheheni, tani, në selitë përkatëse, për të vijuar misionin tuaj, vijoi, të pasuruar me përvojën e këtyre ditëve, kaq të ngarkuara me fe e me bashkim kishtar. Kjo përvojë e pashoqe, e pakrahasueshme, na krijoi mundësinë ta shijojmë thellësisht gjithë bukurinë e realitetit kishtar, që është pasqyrim i dritës së Krishtit të Ngjallur: një ditë do ta shohim atë fytyrë mrekullisht të bukur të Krishtit të Ngjallur”.

Papa i ri e përfundoi takimin me kardinajtë me këtë lutje: “Ndërmjetësimit të pushtetshëm të Marisë, Nënës sonë, Nënës së Kishës, ia besoj ministerin tim e tuajin. Nën shikimin amëtar të Zojës, secili nga ne mund të ecë gëzueshëm, duke e dëgjuar zërin e Birit të saj hyjnor, duke forcuar unitetin, duke ngulmuar njëzëri në lutje e duke e dëshmuar fenë e vërtetë, në praninë e përhershme të Zotit:
“Me këto ndjenja, janë të vërteta, apo jo? – me këto ndjenja, ju jap me gjithë zemër Bekimin Apostolik, të cilin e shtrij edhe mbi bashkëpunëtorët tuaj dhe njerëzit, që i besohen kujdesit tuaj baritor”.

1 Poeti gjerman Hölderlin, një nga më të preferuarit e Papës Françesku.









All the contents on this site are copyrighted ©.