Zakaria Papë nga 10 dhjetori i vitit 741, deri më 15 mars 752, ishte bir i një familjeje
greke, me banim në Kalabri, ku edhe lindi në vitin 700 pas Krishtit. Duhet të ketë
qenë diakon i Kishës së Romës, sepse emrin e tij e gjejmë ndërmjet nënshkruesve të
Sinodit romak të vitit 732. U zgjodh papë në dhjetor të vitit 741, pas Gregorit
III (731-741), pa kërkuar më konfirmimin e ekzarkut perandorak të Ravenës. Periudha
kur u ul në fronin papnor, ishte tejet e vështirë për Kishën. Longobardët, të komanduar
nga mbreti Liutprando, ishin në portat e Romës, ndërsa Perandoria e Lindjes, në kulmin
e luftës së ikonathyesve. Papa u përpoq t’i zgjidhte konfliktet e mprehta, mes
të cilave duhej të kryente misionin e tij. U takua, në Terni, me Liutprandin dhe me
disa fisnikë të kohës, që vijonin të ndesheshin për zgjërimin e principatave të tyre.
Arriti t’i kthente sundimin e ligjshëm edhe dinastisë së re karolinge, në Francë.
Përsa i përket Perandorisë së Lindjes, pati marrëdhënie të stuhishme me perandorin
Kostandini V Kopronim (718-775), nxitës i politikës së thyerjes së ikonave. Pas shumë
përpjekjesh, ia doli mbanesh ta afrojë me Kishën e Romës. Thirri dy Sinode për
Romën, në të cilat konfirmoi dënimin e shqiptuar nga Shën Bonifaci kundër dy heretikëve,
Adalbertit e Klementit. I qeverisi me sukses Kishën dhe trojet, që i përkisnin, për
dhjetë vjet me radhë. Gjatë papnisë së tij organizoi kolonitë bujqësore, rindërtoi
pallatin e dëmtuar të Lateranit, zbukuroi Kishën e lashtë të Shën Marisë, në këmbët
e kodrës Palatine, ku ruhet ende portreti i tij, realizuar kur ishte gjallë. Zakaria,
i fundmi papë grek, erudit i thellë, vdiq më 15 mars të vitit 752, në Romë e u varros
në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Emri Zakari vjen nga gjuha aramajke e
do të thotë ‘kujtesë e Zotit’.Për të, në Martiriologun Romak, shkruhet: Zakaria
papë i vuri pritë pushtimit longobard; u tregoi frankëve cila ishte qeverisja më e
drejtë; ndërtoi Kisha për popujt gjermanikë dhe siguroi unitein me Kishat e Lindjes,
duke e drejtuar Kishën e Zotit me mprehtësi e urti të madhe.