2013-03-15 13:34:08

Mons. Zef Oroshi në përvjetorin e vdekjes


Më 15 mars 1989, në prag të festës së Shën Jozefit, në një nga spitalet e Bronx-it në Nju-Jork, në moshën 74 vjeçare, nga një sëmundje e gjatë dhe e pashërueshme, kaloi në jetën e pasosur meshtari shqiptar mons. Zef Oroshi. Ky prift i përkushtuar, tërë jetën ia kushtoi Zotit e popullit, qe punëtor i palodhur në shërbim të Fesë e të Atdheut. Me besimtarët katolike të gjithë shqiptarët e detyruar të jetojnë në SHBA si emigrantë, dom Zef Oroshi ndau me ankthet, dhimbjet, por edhe qëndresën e shpresat. Qe bashkatdhetar i nderuar i diasporës shqiptare në SHBA, atdhetar e antikomunisti i vendosur, fetari i përkushtuar në misionin e tij meshtarak. Mbrojti e kultivoi vlerat ungjillore, vlerat burrnore të bukura shqiptare në demokracinë më të madhe të botës, në shoqërinë e lirë siç ishte e është ajo amerikane. Dom Zef Oroshi themeloi pra bashkësinë e parë katolike shqiptare e hapi Kishën katolike “Zonja e Shkodrës” në Nju Jork të SHBA-së.
Dom Zef Oroshi, lindi më 23 nëntor 1912, në vendin ku jeta dhe dielli lindte e perëndonte në hapësirën krenare të Sarajave të Gjonmarkut të Mirditës, aty ku në oborrin e Kishës së Abacisë së Oroshit e kaloi fëmijërinë dhe në shkollën e saj e mësoi për herë të parë abetaren e gjuhës së ëmbël shqipe.
Pas mësimeve fillestare, Zef Oroshi vijon studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës. Më 1937 shkon në Romë kuvijon studimet e larta të filozofisë e të teologjisë pranë Universitetit Papnor ‘Urbaniana’ të “Propaganda Fides” dhe më 23 mars 1940 shugurohet meshtar dhe kthehet në Shqipëri .
Në Atdhe si meshtar i ri shërbeu si sekretar i Abatit të Mirditës Mons. Frano Gjinit , po kështu shërbente si meshtar në bashkësinë Kishtare në Ungrej.
Me 1951, ndërsa po kremtonte Meshën Shenjte në Kishën e Ungrejt të Lezhës, njerëz të regjimit komunist, anti-fetar e anti-shqiptar, hyjnë në Kishë për ta arrestuar, por me ndihmën e besimtarëve kaloi nga dera e pasme e Kishës dhe u arratis në mal, ku qëndroi tetë muaj në një dimë të egër. I kërkuar e rrezikuar me jetë kudo nga forcat e sigurimit komunist, meshtari i guximtar Pagëzoi me dorën e tij fëmijën e fundit në Atdheun e pushtuar nga komunistët dhe u detyrua të largohej…
Po në këtë vit dom Zefi në pyllin e Molungut në fashatin Berzane, papritmas e duke rrezikuar me jetë, kremtoi Meshën e Mundimeve të Jezu Krishtit Zot e Shpëtimtar të Dielën e Larit me dafina, për 14 luftëtarët e lirisë, të cilët kishin vendosur të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut kundër vendosjes së regjimit komunist e ateist në Shqipëri. Pasi detyrohet të ikën nga Vendlindja, dom Zef Oroshi kalon në Jugosllavi, e këtu në fillim ia regjistrohet për të vazhduar studimet në Beograd, por më pas kalon në Itali, ku mbaroi doktoratën në teologji e histori, duke studiuar nga afër veprimtarinë e Kishave katolike në Irlande gjatë shekullit 12-të. Gjatë veprimtarisë së tij meshtarake në Romë dom Zef Oroshi punoi me emigracionin shqiptar që largohej nga vendlindja për të shpëtuar nga persekutimi i regjimit komunist, e ndihmoi ata që të pajiseshin me dokumente dhe leje për ato shtete ku ata dëshironin të shkonin, sipas rregulloreve e ligjeve të kohës në Shtetet demokratike si Italia e të tjera.
Dom Zef Oroshi qe studiues i pasionuar i Biblës, Shkrimit të Shenjtë. Përktheu në gjuhën shqipe “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujvet” nga Besëlidhja e Re. Këtë vepër të rëndësishme e tejet të nevojshme për bashkësinë katolike shqiptare, dom Zef e shkroi, siç pohon në parathënie “ per dobì shpirtnore e morale të lexuesavet, dhe nji ndihmesë e përvujtë gjuhës shqipe”. Në këtë kryevepër të tij, sikur pohon në hyrje atë Zef Valentini, dom Zefi në vazhdim me traditën e nisur që me dom Gjon Buzukun e të tjerë “njij të tillës punë ka dashtun me i u vù, me pregatitjen shkencore të nevojshme e me njaq ndihmë librash sà duhen, përkthyesi i ynë. Ai (dom Zefi) çështjen prej anës së vet e preu tue zgjedhun nji gjuhë të përbàme me elementa mjaftë të përdoruna e të kuptueshme për çdo shqiptàr, veç rrallë e me arsye tue kërkuem ndonji shprehje të veçantë e cila, por, mund të kuptohet mjaftë lètas, nemose tue mbajtë kontekstin para sysh. Po shka mà fort na gëzon – në nji kohë si e jona kùr gjithkund kërkohet rindërtimi i njaj gjuhe të përbashkët, ekumenike, ndër krahina të ndryshme të Kështenimit, sidomos kùr piqen në nji kòm të vetëm – àsht se ketë përkthim, jo mà pak e ndoshta dishka mà tepër se përkthimin gegërisht të Kristoforidhit mund ta kuptojë çdo shqiptàr, gegë a toskë, latin o bizantin, e se prandej ai mundet m’u bà truesë e vegël nierzore e hyjnore shoqnimi. Përkthimi ka dalë, për sà mund të gjikohet në temel të dijenìs së soçme të Dhiatës së Ré, i përpikët. Besoj se edhé mjaftë i gjashëm me stilin e origjinalit”.
Në aspektin kishtar e fetar dom Zef Oroshi bashkëpunoi me të gjithë meshtarët e rregulltarët shqiptarë të diasporës si dom Prenk Ndrevashaj, edhe ai meshtar i diasporës shqiptare në Detroit të SHBA-së, me françeskanin atë
Adrea Narkaj, me bashkëpunëtorin e ngushtë e ndihmësin, dom Rrok Mirdita, që më 1993 emërohet kryeipeshkëv i Tiranës. Në fushën atdhetare e kulturore dom Zef Oroshi bashkëpunoi shumë me shkrimtarin prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, atë Zef Valentinin, dom Prek Ndrevashen e shumë personalitete tjera. Përveç veprës së përmendur 'Kater Ungjijt dhe Punet e Apostujve” dom Zef Oroshi përktheu në gjuhën shqipe një doracak me uratë “Visarthi Shpirtnuer”, “Ungjillin e Shen Mateut” si drejtoi për shumë vite revistën “Jeta Katolike.”
Me ardhjen e tij ne SHBA ne vitin 1962, pa humbur kohe dom Zef Oroshi nisi punën për afrimin e bashkimin e komunitetit shqiptar në SHBA e posaçërisht në Nju Jork, duke krijuar së pari Lidhjen Katolike Shqiptare në Amerike dhe pas shtatë vitesh arriti që Natën e Shenjtë të Krishtlindjes së vitit 1969 me kremtimin e Meshës së Shenjtë të përuronte Kishën e parë katolike shqiptare në Amerikë, atë të “Zonjës së Shkodrës” . E vërtetë dom Zef Oroshi luftoi shumë për mbrojtjen dhe organizimin e bashkësisë shqiptare të diasporës pa dallim e pa përjashtim, pati marrëdhënie vëllazërore me Kishën ortodokse shqiptare të themeluar nga peshkopi shqiptar Fan Noli, me bashkësinë islame shqiptare të diasporës amerikane e me të gjithë ata që vepronin për të mirën e kombit shqiptar e për Atdhe..
Më tepër për jetën dhe veprimtarinë meshtarake e atdhetare të dom Zefi Oroshi, është shkruar një libër nga Zef Pergega me titullin “Vigan në Krisht e Vatan” 2003.







All the contents on this site are copyrighted ©.