Imzot Mirdita shpreh gëzimin e përtërin lidhjen kishtare me Papën e ri
Kisha dioqezane e Tiranë-Durrësit priti me gëzim të madh zgjedhjen e Papës Françesku
në udhëheqje të Kishës së Krishtit, përtërin lidhjen e saj të ngushtë me pasardhësin
e Pjetrit, e i shpreh dashurinë e kësaj bashkësie kishtare që gjendet në trevat e
lashta shqiptare. "Arkidioqeza Metropolitane Tiranë - Durrës priti me gëzim lajmin
e zgjedhjes së Kardinalit Jorge Mario Bergoglio si Ipeshkëv i Romës, pasardhës i Benediktit
XVI, por mbi të gjitha pasardhës i kreut të apostujve, Pjetrit, të cilit Jezusi nga
Nazareti i tha: “Ti je Pjetër, shkëmb: mbi këtë shkëmb do ta themeloj Kishën time
e dyert e ferrit nuk do të ngadhënjejnë kundër saj”. Pasardhësi i Pjetrit në Kishën
e Romës u paraqit para besimtarëve katolikë dhe para botës me thjeshtësinë ungjillore
që buron nga besimi i sigurt në Jezusin nga Nazareti, ai besim me të cilin sot Papa
Françesku i drejtohet Jezusit nga Nazareti e i thotë, si Pjetri para dymijë vjetësh:
“Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!”. Krishti është Zoti i bërë njeri, prandaj
besimi në Krishtin na shtyn ta kërkojmë Zotin tek njerëzit. Shërbesa e gjatë priftërore
dhe ipeshkvnore e Papës Françesk mes njerëzve të popullit të tij në Argjentinë mbetet
një dëshmi e mrekullueshme e dashurisë së thellë për Zotin dhe për njeriun. Kujdesi
i tij i veçantë për njerëzit e goditur nga padrejtësia dhe varfëria, sjellin në qendrën
e vëmendjes së Kishës njeriun e përqafuar nga Krishti. I jemi mirënjohës Zotit,
që edhe këtë herë ka shfaqur dashurinë e tij për Kishën tonë, duke na dhuruar një
bari të mirë në krye të Kishës së Romës dhe të Kishës universale. Kisha jonë dioqezanë
përtërin lidhjen e saj të ngushtë me pasardhësin e Pjetrit dhe i shpreh Papës Françesk
gjithë dashurinë e vet. Të lutemi me dashuri për shërbesën e Ipeshkvit të Romës,
që, përmes tij, drita e Ungjillit të shkëlqejë në botën e sotme me atë forcë bindëse
me të cilën shkëlqeu përmes Françeskut të Asizit. Zoti i dhëntë Papës sonë forcën,
urtinë dhe guximin e Shpirtit të Shenjtë për ta drejtuar Kishën drejt njeriut të sotëm
e për t’i dëshmuar atij shëlbimin që vjen prej Krishtit". + Rrok Mirdita
Arqipeshkëv Metropolit Tiranë - Durrës
Kështu shkruan, kryeipeshkvi imzot
Rrok Mirdita në një deklaratë për media rreth zgjedhjes së Papës Françesku, po
më shumë të dëgjojmë prelatin shqiptar në mikrofonin e Radio Vatikanit...........