2013-03-14 17:32:09

Zgjedhja e Papës Françesku: mase 100 mijë vetë në shesh luten me Papën për vëllazërim në Romë e në botë


Në gjunjë para Virgjërës Mari! E nisi kështu, me thjeshtësinë e lutjes, papninë, Papa Françesku. Vizita, sot paradite, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ishte akti i parë, që kreu Pasardhësi i 265-të i Shën Pjetrit, i zgjedhur dje, në votimin e pestë, dy ditë pas fillimit të Konklavit.
Sot pasdite Papa i ri kremtoi, me vëllezërit kardinaj, siç i quajti ai vetë; me ata, që e deshën dhe e zgjodhën në timonin e barkës së Pjetrit. Papa Françesku i falënderoi me gjithë zemër për besimin e madh, por edhe i ftoi ta mbështesin me lutje e bashkëpunim, duke e mbartur së bashku, barrën tejet të rëndë për supet e një njeriu të vetëm, "të ecim me Krishtin e Kryqëzuar". “Të ecim udhës së Krishtit. Kur ecim pa Kryq jemi mondan, jemi të kësaj bote. Mund të jemi ipeshkvij, priftërinj, kardinaj por jo dishepujt të Tij”, tha mes tjerash Papa i ri para kolegjit kardinalor.
Shkoi në Bazilikën Romake të Shën Marisë së Madhe Papa, sot paradite, për t’u gjunjëzuar në lutje para Ikonës së mrekullueshme të Zojës, Shpëtimi i Popujve Romakë e për ta falënderuar Nënën e Krishtit, siç tha dje, në çastin aq prekës të takimit me turmën vigane në Shesh. Arriti në Bazilikë në orën 8.00 të mëngjesit, i shoqëruar nga kardinali mëkëmbës, Agostino Vallini, për t’u ndaluar një gjysëm ore, i pritur e i përcjellë nga kryeprifti i Bazilikës, kardinali Santos Abril y Castellò.
U lutën me Papën, rreth pesëdhjetë vetë, në një atmosferë shumë të devoçme. Pastaj rikthimi në Vatikan, por me një ndalesë në rezidencën romake të Palit VI. E madhe, habia e besimtarëve dhe e qytetarëve, që e takuan sot paradite Papën, të prekur thellë në shpirt. Kardinali Santos Abril y Castellò, që e priti në Bazilikë, e shprehu kështu emocionin:

Përgjigje: - E kam njohur mirë kryeipeshkvin e Buenos Ajres, kur isha nunc. Prandaj e di se ka devocion të thellë për Zojën e Bekuar. Gjithsesi, nuk besoja se do të vinte menjëherë. Kur ma tha këtë mbrëmë, iu përgjigja: “Atë i Shenjtë, do të jem i lumtur t’ju shoqëroj në këtë vizitë”. E ai erdhi për ta vënë nën mbrojtjen e Zojës së Bekuar Shpëtimi i Popujve Romakë, veten e papninë e tij.

Por, të rikthemi në mbrëmjen e djeshme, kur Papa i ri përkulej përvujtërisht para turmës. Në sa mbarë bota e ndiqte me habi këtë akt të jashtëzakonshëm përvujtërie të Papës Françesku, që e shprehu kështu, menjëherë, masën e vetvetes e të papnisë së tij. Pasardhësi i ri i Shën Pjetrit, i përkulur, i kërkoi popullit të Zotit të lutej për të. Kërkesa u prit me brohori. Qindra duar u lartuan, të bashkuara, drejt qiellit, në shenjë lutjeje, ndërsa valëviteshin, duke krijuar një ylber ngjyrash, parrullat e flamujtë, ndërmjet të cilëve binin fort në sy ngjyrat kuq e zi të një flamuri të madh shqiptar.
Më se njëqind mijë vetë, që flisnin gjuhë të ndryshme, brenda një minute e ndjenë veten besimtarë të një famullie vigane, pranë bariut të tyre të ri:
E tani dëshiroj të jap bekimin, por më parë, më parë ju kërkoj një nder: para se ipeshkvi të bekojë popullin, kërkoj që ju ta lusni Zotin që të më bekojë: lutja e popullit, që kërkon bekimin për ipeshkvin e tij. Ta themi në heshtje këtë lutje tuajën, për mua”.
Kërkesë, që e habiti Kishën, e nuk ishte vetëm kjo, që do të shkaktonte habi. Fjalët e para të shqiptuara nga Papa Françesku në orën 20.26 – një cekje e matur për viset nga vinte – sollën në Sheshin e Shën Pjetrit jehonën e largët të një “Pape tjetër, ardhur nga larg”, që i paraqitej turmës në një mbrëmje të ngjashme tetori, 35 vjet më parë:
Ju e dini se detyra e Konklavit ishte t’i jepte një ipeshkëv Romës. Duket se vëllezërit e mi kardinaj shkuan ta marrin gati në fund të botës... Po jemi këtu... Ju falënderoj për pritjen. Bashkësia dioqezane e Romës ka ipeshkvin e vet: faleminderit!”.
Qyteti, kryetar shpirtëror i të cilit është, qe ndërmjet mendimeve të para të Papës Françesku. Tani, tha, ta nisim së bashku këtë udhë: ipeshkëv e popull. Është udha, shtoi, e Kishës së Romës, që i prin në dashurinë e krishterë të gjitha Kishave:
“Një udhë vëllazërie, dashurie, besimi ndërmjet nesh. Të lutemi gjithnjë njëri për tjetrin. Të lutemi për mbarë botën, që kudo të ketë vëllazërim. Uroj që kjo udhë e Kishës, të cilën po e nisim sot e në të cilën do të më ndihmojë kardinali im mëkëmbës, i pranishëm këtu, të jetë plot fryte për ungjillëzimin e këtij qyteti kaq të bukur”.
Natyra e thjeshtë, e thellë e Papës së posazgjedhur, e njohur prej kohe nga latinoamerikanët, u bë e afërt edhe për ata, që e njohën atë çast, përmes një gjesti të madh, plot delikatesë njerëzore e shpirtërore, me të cilin Papa Françesku i bëri simbolikisht vend në lozhën e Bazilikës së Shën Pjetrit, fare pranë, Atij që prej 13 ditësh u tërhoq në lutje fshehur bote, për t’i krijuar Kishës mundësinë e një fillese të re:
“Dëshiroj të them një lutje për Ipeshkvin tonë të nderit, Benediktin XVI. Të lutemi të gjithë së bashku për të, që Zoti ta bekojë e Zoja ta ruajë”.
E këtu, në kujtim të paraardhësit, Papa Françesku i priu Atynës, Falemi Marisë e qoftë lumni Atit, në një atmosferë lutjeje, që dukej një mijë vjet drite larg, ndonëse kishin kaluar vetëm pak minuta, nga shpërthimi gazmor, në orën 19.06, kur nga oxhaku nisi të dalë tymi i bardhë e, pastaj, edhe në orën 20.12, kur në Lozhë u duk kardinali protodiakon, Jean-Louis Tauran, për t’i kumtuar Romës e Botës se Kisha universale kishte një Papë të ri:
“Nuntio vobis, gaudium magnum: habemus Papam!...”
Së fundi, si dha Bekimin e parë apostolik, Papa Françesku nuk u tërhoq në bazilikë, por mori në dorë mikrofonin e, me një thjeshtësi çarmatosëse, u dha njerëzve një përshëndetje të fundit. Përballë këtij, që ndoshta do të kalojë në histori si një nga fjalimet më të gjata, shqiptuar në një vend ku më parë protokolli lejonte vetëm një Shenjë solemne Kryqi, duket se Papa Françesku i fitoi menjëherë zemrat me thjeshtësinë dhe mirësinë, që u dhuroi qysh në takimin e parë:
“Vëllezër e motra, po ju lë. Ju falënderoj shumë për pritjen. Lutuni për mua e, mirupafshim! Do të shihemi së shpejti: nesër dua të shkoj për t’iu lutur Zojës, që ta ruajë mbarë Romën. Natën e mirë e prehje të qetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.