Papa Françesku vizitoi Bazilikën e Shën Marisë së Madhe e falenderoi Zojën e Bekuar
Vizita e parë publike e ipeshkvit të ri të Romës në dioqezën e vet. Papa Françesku
shkoi sot paradite në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, për t’u lutur në Kapelën
Paoline, para fugures së Virgjërës Salus Populi Romani, duke e falenderuar Zojën e
Bekuar për zgjedhjen e tij në fronin e Shën Pjetrit, siç tha që mbrëmë. Mbërriti në
Bazilikë në orën 8 të mëngjesit, i shoqëruar nga kardinali vikar Agostino Valini.
Deshi të shkojë pa përdorur makinën me targë “SCV 1”, që zakonisht lihet në përdorim
të Papës në Vatikan. “I lini njerëzit të hyjnë” u tha punonjësve të Bazilikës së Zojës
së Madhe, duke dashur të jetë një shtegtar i thjeshtë në mesin e të tjerëve. Ai, që
mbrëmë, gjatë darkës festive me kardinajtë, u tha: “Zoti ju faltë për atë që bëtë”
- duke më zgjedhur Papë, ishte nënteksti. I emocionuar, kardinali Santos Abril y Castello,
kryeprifti i Bazilikës, i cili e priti sot paradite: E njihja mirë kryeipeshkvin
e atëhershëm të Buenos Aires, kur isha nunc atje dhe, e di mirë se ka një përkushtim
të thellë ndaj Zojës. Por nuk mendoja se vizita do të ishte kaq e menjëhershme. Kur
ma tha mbrëmë, iu përgjigja: “Atë i Shenjtë, jam i lumtur që do t’ju shoqëroj për
këtë homazh”, të cilin Papa dëshironte të bënte, me ardhjen në Bazilikën e Shën Marisë
së Madhe, për të vendosur nën mbrojtjen e Nënës së Zotit, Salus Populi Romani, papninë
e tij. Hirësi, bëri përshtypje kërkesa e Papës për t’u lutur të gjithë së bashku
e fjalët e tij të thjeshta: “shihemi së shpejti, nesër do të shkoj t’i lutem Zojës”… Natyrisht,
gjesti i tij i thjeshtë, i afërt, personaliteti i tij njerëzor, që di të japë ngrohtësi,
që di të përshëndesë të gjithë, jo vetëm në Bazilikë – ku kishte organizim – përshëndeti
shumë njerëz. Por, kur e shoqëruam, së bashku me kardinal Valinin, në Shtëpinë ku
qëndroi në ditët para Konklavit, në via della Scrofa, në Shtëpinë Pali VI: edhe aty
i përshëndeti të gjithë, punonjësit, ata që përgatisin dhomat e të tjerët, shumë prej
të cilëve i njihte me emër. Kjo na mahniti vërtet. Kjo afërsi, kjo përvuajtëri, kjo
ngrohtësi njerëzore, ky përqafim për të gjithë na bëri përshtypje shumë pozitive e
jam i sigurtë se do të jetë një nga karakteristikat e papnisë së tij. Dikush
vuri re qetësinë me të cilën Papa kreu këtë vizitë, gjatë së cilës vuri lule në elterin
e Zojës. Ndoshta këtë ndjenjë ua përçoi edhe atyre, që takoi, apo jo? Po, me
siguri. E pashë se ishte shumë, shumë i qetë. Madje, kur e takova sot paradite, e
pyeta menjëherë: “Atë i Shenjtë, arritët të bëni një sy gjumë?”. “Po – m’u përgjigj
– fjeta mjaft mirë; gjysëm përgjysëm, por mirë”. Ishte i qetë e arriti t’ua transmetojë
të tjerëve këtë gjendje shpirtërore. Sikur na thotë se është plotësisht i bindur në
forcën e Zotit, në ndihmën që do t’i japë Hyji, në mbrojtjen e Zojës e në lutjen e
sa e sa njerëzve, e cila vijon në të gjithë botën. Sigurisht, është kjo, që i jep
qetësinë, hirin e forcën për të filluar papninë e tij.