2013-03-14 14:11:43

Deklarata e Eprorit të Përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit, atë Adolfo Nikolas, mbi zgjedhjen e Papa Françeskut


Sot paradite, Eprori i Përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, atë Adolfo Nikolas, bëri të njohur për shtypin një deklaratë për zgjedhjen e sivëllait të tij jezuit, Jorge Mario Bergoglio në fronin e Shën Pjetrit.
“Në emër të Shoqërisë së Jezusit – shkruan atë Nikolas – falenderoj Zotin për zgjedhjen e Papës së ri, kardinalit Jorge Mario Bergoglio, S.J., që hap një rrugë plot shpresë për Kishën.
Të gjithë ne jezuitët e shoqërojmë me lutje vëllain tonë dhe e falenderojmë që pranoi me bujari përgjegjësinë e drejtimit të Kishës në këtë çast të rëndësishëm. Emri “Françesk”, me të cilin do ta njohim që nga dita e sotme, evokon frymën ungjillore të afërsisë me të varfërit, që ka Ati i Shenjtë, indetifikimin e tij me njerëzit e thjeshtë dhe impenjimin për rinovimin e Kishës. Që nga çasti i parë, kur doli para Popullit të Zotit, dha një dëshmi të dukshme për thjeshtësinë, përvuajtërinë, përvojën baritore dhe thellësinë shpirtërore të tij.
“Aspekti dallues i Shoqërisë sonë është se është… një shoqëri …e bashkuar me Papën e Romës me një lidhje të veçantë dashurie e shërbimi” (Norma Plotësuese, n° 2, § 2). Prandaj, e ndajmë gëzimin me të gjithë Kishën e, njëkohësisht, dëshirojmë të shprehim edhe një herë, gatishmërinë tonë për t’u dërguar në vreshtën e Zotit, sipas frymës së kushtit tonë të veçantë të bindjes, që na bashkon në mënyrë të veçantë me Atin e Shenjtë (Kongregacioni i Përgjithshëm 35, dekreti 1, Nr. 17)”.







All the contents on this site are copyrighted ©.