2013-03-13 14:00:00

Dom Gjergj Meta: Koncili II i Vatikanit e aktualiteti i mesazhit Ungjillor


A ka përnjëmend vullnet Kisha Katolike (edhe ajo shqiptare) për t'u ripërtërirë?
Tre vjet pas Koncilit II Vatikan, Atë De Lubac, në një konferencë të tij mbi Lumen Gentium, dokumentin që flet për Kishën, shtronte këtë pyetje: “Por ja që në mënyrë të pashmangshme shtrohet çështja themelore: a do të përshkohen vallë këto shtigje të reja (qe kishte hapur Koncili)? Këto gurra a do të rrjedhin përnjëmend? Ky rizgjim a do të shtrihet në krejt trupin e Kishës? Zëri i Koncilit a do të pranohet dhe kuptohet përnjëmend? Në çfarë mënyre ai do të vihet në jetë?”
Sot jemi 50 vjet pas kremtimit të atij Koncili aq të rëndësishëm për jetën e Kishës. Çfarë përgjigje mund t’u japim sot pyetjeve të Atë de Lubac?
Dhe përgjigjet kanë nevojë të ulen nga lartësitë marramendëse të reflektimit teologjik në jetën e Kishës tonë shqiptare dhe të jetës tonë personale. Ndryshe ato do të mbeten gjithnjë në ajër. Një pjesë e Kishës tonë shqiptare nuk i përjetoi vitet e Koncilit të II të Vatikanit bashkë me Kishën e Gjithmbarshme, pasi ajo ishte në katakombe. Ndërsa Koncili mbyllej dhe hapej një epokë e re për Kishën Universale, rreth 2 vjet më vonë, Shqipëria mbyllej ndaj çdo forme fetare e në mënyrë të veçantë për Kishën nisi një erë e fortë përndjekjeje. Në vitin 1991 u zgjuam me një Koncil në Kishë. Dhe ja ku jemi në liri. A kemi sot një Kishë në lartësinë e Koncilit II Vatikan në botë dhe trojet shqiptare? Si mund t’i përgjigjemi sot ne pyetjeve të Padre De Lubac?
Këto ditë, pak ditë pas dorëheqjes, Benedikti XVI takoi famullitarët dhe klerin e dioqezës së Romës dhe me ta u ndal, me një fjalim “të papërgatitur” mbi Koncilin II Vatikan. Një farë përgjigje ai e dha në atë diskutim mbi pyetjet e Padre de Lubac e për hir të së vërtetës përgjigja e Papës kërkon nga ana jonë një reflektim serioz. Po sjell dy fragmente të këtij diskutimi që shpresoj të jetë lexuar prej shumë njerëzve sidomos meshtarëve:
“Në atë moment ne shkuan në Koncil jo vetëm me gëzim, por me entuziazëm. Kishte një pritshmëri të pabesueshme. Shpresonim që gjithçka do të përtërihej, që përnjëmend do të ndodhte një Rrëshajë e re, një epokë e re për Kishën, pasi Kisha ishte ende e fortë në atë kohë, praktika e ditës së diel ende e mirë, thirrjet për meshtarë dhe për jetën rregulltare ishin ulur pak, por ende të mjaftueshme. Megjithëkëtë ndjehej që Kisha nuk ecte përpara, rrudhej, dukej në të vërtetë një realitet i të shkuarës dhe jo mbartëse e të ardhmes. E në atë moment shpresonim që kjo marrëdhënie të përtërihej, të ndryshonte; që Kisha të ishte përsëri një forcë e re e së nesërmes dhe e të sotmes. Dhe e dinim se marrëdhënia ndërmjet Kishës dhe periudhës moderne, qysh në krye të herës ishte pak konfliktuale, duke filluar me gabimin e Kishës në rastin e Galileo Galileit; mendohej të korrigjohej ky fillim i gabuar e të gjehej rishtas bashkimi i Kishës me forcat më të mira të botës, për t’i hapur të ardhmen njerëzimit, për të hapur progresin e vërtetë. Kështu ishim plot me shpresë, me entuziazëm e gjithashtu me vullnet për të bërë pjesën që na takonte për këtë gjë….Më duket se 50 vjet pas Koncilit, shohim se si Koncili virtual thyhet, humbet dhe shfaqet Koncili i vërtetë me të gjithë forcën e tij shpirtërore. Dhe është detyra jonë, pikërisht në këtë Vit të Fesë, duke filluar pikërisht nga ky Vit i Fesë të punohet në mënyrë që Koncili, me forcën e Shpirtit të Shenjtë, të realizohet dhe të ripërtërihet realisht Kisha. Shpresojmë që hyji të na ndihmojë” (Benedikti XVI, Fjalimi me famullitarët dhe klerin e Romës, Aula Pali VI, 14 shkurt 2013)”
Një fjalim i cili shpreh shpresat që kishin para 50 vjetësh e që paradoksalisht Papa Benedikti XVI duket sikur thotë, tani pas 50 vjetësh duhet të fillojmë rishtas “…duke filluar pikërisht nga ky Vit i Fesë,”.
Pyetjet e De Lubac, e bashkë me të të gjithë atyre që kanë bërë Koncilin, duket se po fillojnë të marrin përgjigje vetëm pas 50 vjetësh. Pra sipas një këndvështrimi shumë personal Papa po thotë që Koncili ende nuk ka filluar në zbatimin e tij. Pse vetëm pas 50 vjetësh po fillohet? Çfarë e ka penguar realisht e sidomos brenda Kishës, çka na intereson më shumë?
Këto ditë edhe Kardinalët e mbledhur për të zgjedhur Papën e ri kanë diskutuar përreth tre temave kryesore si: Ungjillëzimi, marrëdhënia e Kishës me botën bashkëkohore dhe ripërtëritja e Kuries Romane. Tema kyçe të debatit bashkëkohor të jetës së Kishës për të cilën duhet të punohet sigurisht shumë nga ana e Papës së ri. Por këto janë sfida që na interpelojnë edhe neve sot në Shqipëri. Ripërtëritja e Kuries romane ka të bëjë edhe me ripërtëritjen e konceptit të pushtetit të ushtruar në Kishë nga ipeshkvijtë e meshtarët. Edhe një herë tingëllojnë thekshëm në veshët tanë fjalët që thuheshin në vitet pas Koncilit nga Papa dhe nga ata që kanë bërë koncilin: “Pa një shpirt të ri që gjallëron vetë qendrën, pa një shtytje të re që vjen nga vetë qendra, përpjekjet për një ripërtëritje rrezikojnë të jenë anarkike dhe të çorientuara.”
Ripërtëritja fillon nga qendra e kjo ka rëndësi të ndodhë edhe në Kishën shqiptare duke e shkëputur ushtrimin e urdhrit të shenjtë të ipeshkvijve tanë dhe ne meshtarëve nga llogjikat e pushtetit, të arrivizmit, të protagonizmit e duke e kthyer atë në një ministerium, shërbim, për t’ju përgjigjur në mënyrë adekuate frymës Ungjillore dhe asaj të Koncilit II Vatikan.
Gjithashtu Kisha në Shqipëri pas 20 vjetësh duhet të rizbulojë rolin e laikëve të cilët janë një forcë e madhe e rizbuluar nga Koncili II Vatikan dhe për një dialog e marrëdhënie të ripërtërirë me botën bashkëkohore. Në të vërtetë laikët më afër Kishës në Shqipëri, të cilët individualisht janë të shumtë, për arsye të ndryshme kam përshtypjen se janë shumë përjashtues ndaj njëri-tjetrit ndoshta, po aq sa jemi edhe ne klerikët me njëri tjetrin. Një lloj paragjykimi, mosvlerësimi dhe nënçmimi ndaj njëri-tjetrit dallohet qartas në shumë biseda që unë kam me miq dhe jo miq. Një Kishë shqiptare e vogël, por që shpesh në marrëdhënien e gjymtyrëve të saj me njëra tjetrën tregon vogëlsi edhe në një aspekt negativ. Arrivizmi, pushteti, ambicia, protagonizmi, janë viruse që dëmtojnë rëndë fytyrën e nuses së Krishtit dhe e nxjerrin atë të rrudhur e të plakur. Ripërtëritja e fytyrës së kësaj nuseje dhe nëne vjen vetëm nga butësia dhe dashuria e bijve të saj të cilët më së pari duhet të duan njëri tjetrin e jo të shqyejnë njëri tjetrin.
Edhe në Shqipëri nëse duam, jemi përballë sfidave epokale. Mund ta shohim këtë sfidë si një mundësi ripërtëritje, ose mund ta përjetojmë si një luftë për mbijetesë xhungle ku duhet të përjashtojmë njëri – tjetrin. E para është fryma e Ungjillit e dyta është fryma e anti-Ungjillit.
Nga dom Gjergj Pashk Meta







All the contents on this site are copyrighted ©.