2013-03-13 19:09:01

Dita e dytë e Konklavit. Tym i zi, në pritje të tymit të bardhë


Dita II e Konklavit: votimi i 115 kardinajve kaloi pa rezultatin e pritur të zgjedhjes së Papës së ri. Përsëri në pritje. “Jetojmë një çast të bukur e të thellë”. Kështu e nisi atë Lombardi, në Media Center, në Vatikan, takimin e tij të parë me gazetarët, pas fillimit të Konklavit:
“Po jetojmë një çast jashtëzakonisht të bukur e të thellë, tha atë Lombardi. Arritëm në fazën përfundimtare të kësaj korrjeje, që nisi me dorëheqjen e Papës Benedikti XVI e tani, pikërisht në ditët e ardhshme ose në orët e ardhshme, na çon tek zgjedhja e pasardhësit të tij. Emocioni bëhet gjithnjë më i madh. E ndjehet gjithnjë më fort në Sheshin e Shën Pjetrit”.
E, kujtoi atë Lombardi, Sheshi i Shën Pjetrit, që pret pikërisht të 265-tin pasardhës të Shën Pjetrit, mori pjesë në tre votime (e edhe në të katërtin), duke pritur tymin e bardhë, në sa shikon të dalë i ziu:
“Mbrëmë kishte shumë njerëz; e edhe sot pamë shumë besimtarë, në një atmosferë shumë të qetë, shumë gazmore: prelud i çastit të zgjedhjes së Papës, përvojë e paharrueshme për të gjithë ata, që do të jenë në Shesh në atë çast. Shikojmë, kështu, sesi qyteti i Romës, sesi qytetarët e zakonshëm, ashtu edhe shtegtarët e turistët, që kalojnë në Romë, e jetojnë thellësisht këtë çast, sepse e duan fort Papën, i cili pritet deri në skajet më të harruara të botës me të njëjtin padurim, e me të njëjtën dashuri. Më kujtohet sesi, tetë vjet më parë, e gjithë Roma vraponte drejt Sheshit të Shën Pjetrit”.
Atë Lombardi foli edhe për tymin e zi të djeshëm e të sotëm, gjë që do të thotë, sqaroi, se pesë votimet e para nuk dhanë rezultatin e 2/3-tave të votave. Pak a shumë kjo pritej e, as mbrëmë e as sot, askush nuk mendonte se do të shikonte tymnajën e bardhë. Prandaj, pas tymit të zi, njerëzit u larguan qetësisht në punët e tyre, pa qenë aspak të zhgënjyer, sepse kishin ardhur të ndiqnin ngjarjen, jo thjesht tymin e bardhë, e sidomos, të merrnin pjesë shpirtërisht në atë, që ndodh pas Portës së mbyllur të Sikstinës. Siç ju kujtohet, në se i keni studiuar Konklavet e shekullit të kaluar, vetëm ai që zgjodhi Piun XII, në fillim të Luftës II Botërore, e arriti rezultatin pozitiv në votimin e tretë. Të gjithë të tjerët patën më shumë votime. Kjo duhet shikuar si diçka krejt normale, kujtoi atë Lombardi në takimin e sotëm me gazetarët, e shtoi: “Nuk është shenjë, që tregon ndonjë përçarje në Kolegjin Kardinalor, por ecuri normale e punës së etërve kardinaj.
Atë Lombardi foli, më pas, edhe për elementet kimike, që përdoren për tymin. Tymitjet, sqaroi, realizohen përmes një dispozitivi elektronik, që ndodhet në stufën më moderne, sepse në Kapelën Sikstine ka dy stufa, një më e rrumbullt, më e vjetra, ku digjen skedat; e një më gjeometrike, më moderne, me përmasa 25x15x7 centimetra:
“Pesë ngarkesa elektronike, që nisen - njëra pas tjetrës - vënë në lëvizje nga një dispozitiv elektronik. Secila nga këto ngarkesa zgjat një minut, gjithsejt, 7 minuta tym”.
Tymi i zi përbëhet nga këto elemente kimike: perklorat potasi, antraçen e squfur. Tymi i bardhë, që nuk e kemi parë ende, por që do ta shohim, përbëhet nga klorat potasi, laktoz dhe katran grek ose kolofon. Kemi sqaruar edhe se ky tym nuk i rrezikon afresket e Mikeanxhelos e aq më pak, shëndetin e kardinajve. Gjithçka shkon normalisht.
Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë kujtoi edhe Papën e nderit, Benediktin, duke u nisur nga njoftimet e marra prej sekretarit të Tij, kryeipeshkvit Georg Gaenswein, sot prefekt i Shtëpisë Papnore: “Papa i nderit po i ndjek me vëmendje të madhe e pjesëmarrje shpirtërore ngjarjet, përmes televizionit. Ndoqi edhe Meshën “Pro Eligendo Pontefice”, si dhe procesionin e kardinajve, deri tek ‘Extra Omnes’.
Kardinajtë hynë rregullisht në Konklav, dje, e edhe sot, para e pasdite. Ishin mrekullisht mirë me shëndet e me humor. Disa prej tyre hynë në Pallatin Apostolik në këmbë, pa e pritur automobilin, tha atë Lombardi.
Zëdhënësi i Vatikanit përshkroi, më pas, klimën në të cilën po mbahet Konklavi, duke cituar posaçërisht një dëshmi, që i dha kardinali Lehman programit gjerman të Radio Vatikanit e duke kujtuar edhe votimin në Konklavin e kaluar:
“Ngulmonte, shpjegoi Atë Lombardi, se nuk ka asnjë ecuri të nxituar. Votimet vijojnë në një klimë përshpirtërie e përgjegjësie të madhe. E me të njëjtën përgjegjësi shqiptohen edhe fjalët tejet impenjative të betimit: “E thërras si dëshmitar Krishtin Zot, që do të më gjykojë, se votën time ia dhashë atij, i cili mendoj se duhet të zgjidhet, sipas vullnetit të Zotit”.
E pastaj secili kthehet në vendin e vet duke ecur përsëri shumë ngadalë, në një mjedis që të frymëzon, sepse këtu sundon Gjyqi Universal i Mikelanxhelos,
Kardinali theksoi edhe se në Kapelë flitet me zë shumë të ulët: nuk ka zhurmë, biseda a njerëz që flasin me zë të lartë, sepse mbretëron atmosfera e lutjes.
Atë Lombardi i këshilloi, më pas, gazetarët, të ndjekin shembullin e kardinajve, nëse në këto ditë do të takojnë ndonjë nga kardinajtë e moshuar, për t’i marrë dëshmi. Ta marrin dëshminë në atmosferën shpirtërore, në të cilën po kremtohet Konklavi.
Pastaj zëdhënësi i Selisë së Shenjtë dha edhe një informacion praktik për skedën, me formë drejtkëndore. Në pjesën e sipërme, me shtyp, duken fjalët: “Eligo in Summum Pontificem”. Në gjysmën e poshtme kardinali shkruan emrin e të zgjedhurit. Plotësimi i skedës duhet bërë fshehurazi nga secili kardinal zgjedhës.
Kardinajtë, shtoi atë Lombardi, kanë liri të plotë ballafaqimi, edhe në Shtëpinë e Shën Martës ku, sipas Motu Proprio të 25 shkurtit, mund të shkojnë edhe në këmbë, nga Sikstina.
Është hamendje e mundshme, i sqaroi atë Lombardi gazetarët, kur e pyetën nëse Mesha për fillimin e papnisë mund të kremtohet më 19 mars. Por më pas shtoi: “Askush nuk mund ta parashikojë saktësisht se kur do të zgjidhet Papa”.
Nëse se Papa nuk nuk do të zgjidhet menjëherë, pohoi atë Lombardi, kardinajtë mund të ndalen për të pushuar të shtunën:“Parashikohet se do të ketë votime - katër në ditë - për tri ditë të plota, domethënë të mërkurën, të enjten e të premten e se ndërperja, për të cilën flet Kushtetuta Apostolike, mund të jetë të shtunën, nëse nuk është bërë zgjedhja para së shtunës. E pastaj duhet vijuar edhe të dielën, të hënën e kështu me radhë. Prej këndej, ndërprerja e mundshme, me sa shikoj, mund të jetë të shtunën, gjithnjë po të mos arrihet zgjedhja e Papës".







All the contents on this site are copyrighted ©.