2013-03-13 19:41:56

Dialogu me botën bashkohore dhe me besimtarët e feve të tjera, ndër sfidat, që e presin Papën e ri. Në mikrofonin tonë, sekretari i Këshillit Papnor të Kulturës


Gëzim i madh në botën katolike për Papën e ri. Katolikët presin prej tij të përballojë sfidat e botës së sotme, t’u japë zgjidhje problemeve të shtruara nga parardhësi, Benedikti XVI, i cili i la trashëgim Kishës punën dhe reflektimet e tij të çmuara mbi dialogun ndërmjet fesë e arsyes, dialogun ndërfetar dhe ekumenik, Enciklikën “Deus Caritas Est”, Vitin e Fesë, përvuajtërinë. Pikërisht për këto sfida folëm me Sekretarin e Këshillit Papnor të Kulturës, imzot Barthelémy Adoukonou, nxënës i Papës së nderit, Jozef Racinger. Ta dëgjojmë:
Mendoj se Papa i ri duhet t’i verë gjoksin botës moderne dhe problemeve të saj të vështira, që vijnë nga refuzimi i Zotit dhe i vullnetit të Tij – siç ka thënë gjithmonë Benedikti XVI – vijnë nga konceptimi i botës “sikur Hyji të mos ekzistonte”, vijnë nga pretendimi për ta ndryshuar njeriun në thelb, si të thuash, për ta riformatuar atë. Shoqëria post-moderne e refuzon Zotin dhe dëshiron ta shkatërrojë njeriun e krijuar në përngjasim e në shembëlltyrë me Zotin, pra, në fund të fundit, dëshiron të formatojë njerëzimin. Mendoj se Papa i ardhshëm duhet ta shtrojë problemin duke u nisur nga kjo pikë themelore: njerëzimi nuk formatohet, liria nuk është arbitrare. …Do t’i duhet të përballojë edhe sfidën e krijuar nga vullneti për të shkatërruar familjen, për ta dhunuar atë, duke krijuar një formë tjetër, që pretendon të jetë familje e, duke e vendosur në të njëjtin plan me familjen tradicionale. Me fjalë të tjera, duan të shkatërrojnë natyrën, sipas idesë “natyra nuk ekziston, ekziston vetëm kultura”. Por kjo s’është e vërtetë! Papa i ri duhet ta shqyrtojë si këtë problem, ashtu edhe dialogun me besimtarët e feve të tjera. Dialogu me Islamin është shumë i rëndësishëm, por nuk kemi të njëjtin koncept mbi Zotin e ndeshjet aktuale me të gjitha islamizmat ekzistuese do ta detyrojnë Papën të përpiqet të gjejë një gjuhë të përbashkët me botën islamike, për të shëruar patologjitë e fesë. Është e nevojshme që myslimanët e vërtetë të thonë: “Duhet të bashkëpunojmë për t’i bërë ballë çdo patologjie…” Ky është një problem i mirënjohur edhe në Kishën tonë. Duhet të dimë jo vetëm çfarë, por edhe kush është Kisha. Duhet ta ndjejmë veten si familja e Hyjit. Kështu thonë afrikanët, por nuk është gabim: ne të krishterët jemi Korpi vëllazëror i Krishtit, Ai është udhërrëfyesi ynë. Prandaj, Papa i ardhshëm duhet ta diskutojë çështjen e natyrës së Kishës, për ta sjellë Krishtin në botë.








All the contents on this site are copyrighted ©.