Biografia e Papës së ri Françesku, Jorge Mario Bergoglio
Papa Françesku, Jorge Mario Bergoglio, jezuit, kryeipeshkëv i Buenos Aires,
Ipeshkëv për besimtarët e ritit lindor, që banojnë në Argjentinë, lindi pikërisht
në Buenos Ajres, më 17 dhjetor 1936, nga një familje me origjinë piemonteze. Studioi
dhe u diplomua si teknik kimik, por më vonë ndjeu thirrjen e Zotit dhe hyri në seminarin
e Villa Devoto. Më 11 mars 1958 kaloi në noviciatin e Shoqërisë së Jezusit, përfundoi
studimet humaniste në Kili dhe në vitin 1963, pasi u kthye në Buenos Ajres, mori diplomën
universitare në filozofi në Fakultetin e Filologjisë të kolegjit “San José” të San
Miguel-it. Ndërmjet viteve 1964 e 1965 ka qenë profesor letërsie dhe psikologjie
në kolegjin e Zojës së Papërlyer në Santa Fe. Në vitin 1996 dha mësimin e po këtyre
lëndëve në Kolegjin e Shëlbuesit në Buenos Ajres. Nga viti 1967 deri në vitin 1970
studioi teologji në Fakultetin e Teologjisë të kolegjit “San José”, ku mori edhe diplomën
universitare në këtë disiplinë. Më 13 dhjetor 1969 u shugurua meshtar. Në vitet 1970-71
përfundoi probandatin e tretë në Alcalà de Henares të Spanjës e më 22 prill 1973 mori
kushtet përfundimtare. Ka qenë mësues novicësh në Villa Barilari të San Miguel-it,
profesor në Fakultetin e Teologjisë, Këshilltar i Provincës së jezuitëve dhe Rektor
i kolegjit. Më 31 korrik 1973 u zgjodh provincial i Argjentinës, detyrë që e ushtroi
për gjashtë vjet. Ndërmjet viteve 1980 dhe 1986 ka qenë rektor i kolegjit dhe i Fakultetit
të Filozofisë e të Teologjisë dhe famullitar në kishën e Patrikut shën Jozef, në dioqezën
e San Miguel-it. Në mars 1986 shkoi në Gjermani për të përfunduar tezën e doktoraturës.
Më pas, eprorët e dërguan në kolegjin e Shëlbuesit, nga ku, kaloi në kishën e Shoqërisë
së Jezusit në qytetin e Kordovës, ku kreu detyrën e drejtuesit shpirtëror e të rrëfyesit. Më
20 maj 1992, i Lumi Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv titullar të Aukës dhe ndihmës të
Buenos Ajres. Më 27 qershor të po atij viti u shugurua ipeshkëv . Më 3 qershor
1997 u emërua Kryeipeshkëv Ndihmës i Buenos Ajres e, më 28 shkurt 1998, kryeipeshkëv
i Buenos Ajres, duke zënë vendin e kardinalit Quarracino, që kishte ndërruar jetë. U
bë, kështu, Primat i Argjentinës. Nga 6 Nëntori i të njëjtit vit, ishte edhe ipeshkëv
për besimtarët e Ritit Lindor në Argjentinë, që nuk kanë ipeshkëv të ritit të tyre. U
krijua kardinal nga Gjon Pali II në Koncistorin e 21 shkurtit 2001, me titullin e
Shën Robert Belarminit. Si kardinal, qe bashkërelator i Përgjithshëm në Asamblenë
e Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve (tetor 2001) . Mori pjesë në Konklavin
e 18-19 prillit 2005. Mori pjesë dhe është anëtar i Këshillit Sinodal të Asamblesë
XI të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, nga 2 deri më 23 tetor 2005.
Është
anëtar i: Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve.Kongregatës
për Klerin Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës
Apostolike. Këshillit Papnor për Familjen Komisionit Papnor për Amerikën Latine Këshillit
Pas-Sinodal.
Në Kishën e Argjentinës është: Kancelar i Madh i Universitetit
Katolik të Argjentinës Kryetar i Komisionit Ipeshkvnor për Universitetin Katolik
të Argjentinës. Moderator i Gjykatës Kishtare Kombëtare të shkallës së dytë Moderator
i Gjykatës Ndërdioqezane të Buenos Aires Nga nëntori i vitit 2005, në nëntorin
e vitit 2011, ka qenë kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Argjentinës
Është
autor i librave: 1982: Meditime për rregulltarët 1986: Reflektime për jetën
apostolike 1992: Reflektime shprese 1998: Dialogu ndërmjet Gjon Palit II e Fidel
Kastros 2003: Të edukosh: kërkesë e pasion 2004: Të punosh për atdheun në heshtje 2006:
Korrupsioni e mëkati 2006: Detyra e pushtetit është shërbimi. Që sot, është
Papa i 266-të i Kishës Katolike Romake, me emrin Papa Françesku.