2013-03-12 14:50:35

Mesha pro Eligendo Pontefice. Kardinali Sodano: Zoti na dhuroftë një Bari tjetër të Mirë.


U kremtua, sot paradite, në Bazilikën e Shën Pjetrit, “Missa pro Eligendo Romano Pontifice”, kryesuar nga Kardinali Dekan, Anxhelo Sodano. Kremtimi nisi me procesionin e kardinajve, shoqëruar nga antifona e hyrjes: “Zoti është forca e popullit të tij”.
E pikërisht mbarë populli i krishterë i botës i lutet, në këto orë, Shpirtit Shenjt, t’i frymëzojë e t’i shndrisë kardinajtë, që janë të thirrur për të zgjedhur të 265-tin pasardhës të Shën Pjetrit. Vetë kardinajtë u kanë kërkuar bashkësive të besimtarëve t’i shoqërojnë me uratë në këtë çast vendimtar për jetën e Kishës katolike

Orë e rëndësishme e historisë së Kishës Shenjte të Krishtit, pohoi kardinali Sodano gjatë homelisë së Meshës, akt i fundit publik, para hyrjes së kardinajve në Konklav. Falënderoj mbi të gjitha Zotin për papninë e ndritshme, që i dhuroi me jetë e vepra, të dashurit e të nderuarit, Benedikti XVI të cilit, pohoi, në këtë çast, i shprehim edhe një herë gjithë mirënjohjen tonë.

“Një Kishë “e pjekur”, që nuk lëkundet nga dallgët e ideologjive relativiste, e themeluar fuqimisht në Krishtin “masë e humanzimit të vërtetë”. Një Kishë me ”fe të qartë”, e lirë, e gjallëruar nga “shqetësimi i shenjtë” për ta çuar fenë nëpër botë, për ta dëshmuar dashurinë në vërtetësi. Një Kishë, së fundi, e aftë të mbjellë fryte që janë të paracaktuara për amshimin, ku toka dhe mjerimet e saj shndërrohen në ‘kopshtin e Zotit’, falë udhëheqjes së një pape bari”. Rikujtime shpirtërore e teologjike të të vërtetave bazale të krishterimit, por edhe figura simbolike e urime, përbëjnë përmbajtjen dhe tonet autoritare të Kremtimit solemn, akti publik paraprijës i Konklavit, që filloi....

Bazilika sot ishte e mbushur sa më nuk zinte. Binte në sy harmonia e ngjyrave plot larmi, nga Elteri i Katedrës, që lartohet mbi varrin e Shën Pjetrit, drejt fundit të Bazilikës: e kuqja e ndezur e veshjes së kardinajve kombinohej me ngjyrën vjollcë të veshjeve të ipeshkvijve e me të bardhën e veshjeve të meshtarëve, për të vijuar me ngjyrat e errëta të veshjeve të mijëra besimtarëve, turma e të cilëve arrinte deri në fund të Katedrales së Popujve. Në këtë atmosferë, udhëheqësit më të lartë të Kishës, pas ditëve të emocioneve të forta të dorëheqjes së Papës Benedikti XVI, nisën rrugën që shikon drejt së ardhmes. Ishte një kremtmim, ku u ndje fuqimisht thirrja e përsëritur drejtuar Shpirtit Shenjt për dhuratën e bariut të ri: “Një pape – lexoi kremtuesi duke i lartuar Zotit lutjen – që të pranohet nga ti, o Hy, për shenjtërinë e jetës, për përkushtimin e plotë në shërbim të popullit tënd”.

Para fillimit të Meshës – në të cilën merrnin pjesë edhe personalitete institucionale e politike italiane, të pranishmit, së bashku me qindra-mijëra teleshikues nga mbarë bota, ndoqën procesionin e kardinajve: një skenë e ngjashme me atë që u përsërit sot pasdite, kur të 115 kardinajtë zgjedhës u nisën rishtas me procesion për t’u mbyllur në ritin e Konklavit. Por para këtij akti vendimtar, kardinali Sodano tërhoqi vëmendjen e sivëllezëve të Kolegjit, gjatë homelisë, duke i ftuar që, në këtë orë me përgjegjësi të madhe, të dëgjojnë me përqendrim të thellë, atë që thotë Zoti, duke folur me fjalët e veta.

“Zoti na dhuroftë një Papë, që e kryen me zemër bujare misionin fisnik të kryesimit në dashuri”. Me këto fjalë Kardinali Dekan, Anxhelo Sodano, e përfundoi homelinë e Meshës “Pro eligendo Pontefice”, të cilën e kryesoi, si Dekan i Kolegjit Kardinalor. Mesha e u kremtua nga të gjithë kardinajtë, e jo vetëm nga zgjedhësit, të cilët sot pasdite hynë në Konklav.
U pritën me shumë interes, fjalët e Dekanit, i cili në këto ditë kryesoi punimet e Kongregacioneve të përgjithshme.
Identikiti, që del nga homelia e tij, është ai i një Pape bari i vërtetë, i impenjuar në misionin e mëshirës e në kumtimin e Krishtit: “faktor i parë e themelor i zhvillimit të popujve”.
Kardinali Sodano citoi profecinë e Izaisë, që u dëgjua në Leximin e parë e që kumton se Zoti do të dërgojë një Mesi, “përplot me mëshirë”, për t’u sjellë “lajmin e gëzuar të varfërve; për t’u mjekuar plagët zemrave të thyera, për t’u shpallur lirinë skllevërve, për t’i liruar të burgosurit”. Ky Mesi është Jezusi, përplot me dashuri, që duket në mënyrë të veçantë kur takohet me vuajtjen, padrejtësinë, varfërinë, me të gjitha ligështitë, si fizike, ashtu edhe morale.
Këtë mision mëshire, shtoi Kardinali Dekan, Krishti ua besoi barinjve të Kishës së Tij, e, posaçërisht, Ipeshkvit të Romës. Kardinali Sodano, duke cituar mesazhin e Kreshmëve të Benediktit XVI, shpjegoi se nganjëherë termi “dashuri e krishterë”, ngatërrohet me “solidaritetin” ose shikohet thjesht si ndihmë humanitare.
Ndërsa duhet theksuar se vepra më e lartë e dashurisë së krishterë, është pikërisht ungjillëzimi. Duke kujtuar, pastaj, fjalët e Populorum progessio të Palit VI, kardinali theksoi: “Është kumtimi i Krishtit, faktori i parë e kryesor i zhvillimit”.
Dekani foli, më pas, për shërbimin e unitetit, që kryen Papa, me të cilin, pohoi “të gjithë ne duhet të bashkëpunojmë”. Sjellja kryesore, që e dallon bariun, vijoi, është të japë jetën për delet e veta, e sa më “e lartë e universale është detyra baritore, aq më e madhe duhet të jetë edhe dashuria e krishterë e bariut”. Në kryerjen e këtij shërbimi të dashurisë për Kishën e mbarë njerëzimin, Papët e fundit ishin mjeshtra të nismave të shumta bamirëse, në dobi të popujve e edhe të bashkësisë ndërkombëtare, duke mbrojtur papushim, drejtësinë e paqen.
Të lutemi, që Papa i ardhshëm ta vijojë këtë veprimtari të vazhdueshme në nivel botëror”. Ftesë kjo, e Kardinalit Dekan, drejtuar Selisë së Shenjtë, për ta ngritur gjithnjë m lart zërin në nivel ndërkombëtar.
T’i lutemi, përfundoi “Zotit, të na dhurojë një Papë, që ta kryejë me zemër bujare misionin për të kryesuar në dashuri”.
Kujtojmë se në fillim të homelisë, kur kardinali Sodano falënderoi Papën e dashur, Benediktin XVI, për papninë e tij, turma e besimtarëve shpërtheu në duatrokitje të stuhishme.







All the contents on this site are copyrighted ©.