Me 12 mars kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Martin Camajt
Përkujtojmë sot përvjetorin e vdekjes së Martin Camajt, poetit të mërguar.
Poeti ëndërrimtar, Martin Camaj lindi më 21 korrik 1925 në Temal të Dukagjinit në
vitin 1948, u arratis nga Shqipëria për t’i shpëtuar ferrit komunist. Më vonë, duke
u endur nga Beogradi në Romë, nga Roma në Mynih, do të kuptonte se ai mund të shkonte
kudo, me përjashtim të vendit të vet, ku nuk po kthehet as i vdekur. Ishte nxënës
i jezuitëve, gjë që përcaktoi për gjithë jetën orientimin e tij kulturor e intelektual.
U bë kështu vazhduesi më i denjë i veprës së autorëve të letërsisë shqipe në gegnisht
nga Budi tek Mjeda e Koliqi, ndoshta i vetmi autor modern shqiptar i denjë për të
vazhduar trashëgiminë e tyre të ndritur. Emri Martin Camaj na kujton veprën e
tij gjeniale, që nis vëllimin poetik “Një fyell ndër male”, botuar më 1953 në Prishtinë
e vijon me botimet në revistën “Shêjzat” (1957-1975), me vëllimet “Legjenda” (Romë,
1964), “Lirika mes dy moteve” dhe “Njeriu me vete e me të tjerë”, (Mynih 1967 e 1978),
romanet “Djella” (1964) “Dranja”(1981) “Shkundullima”(1981) Rrathë (1981) dhe “Karpa”(1987)
si dhe antologjinë “Këngë shqiptare” ( Düsseldorf 1974). Camaj është edhe një ndër
albanologët më të shquar, kryesisht me punimet e tij mbi gjuhën shqipe, historinë
dhe të sotmen e saj. Ndër studimet kryesore mund të përmenden: “Meshari i Gjon Buzukut”
(Romë, 1960); “Tekst mësimor i gjuhës shqipe” ( Wiesbaden, 1969); “E folmja shqipe
në provincën e Avelinos” ( Firence 1971) e sidomos, “Gramatika shqipe” ( Wiesbaden
1984). Martin Camaj vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Lenggries të Bavarisë. Fjalët
e fundit të poetit ishin: “Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë…gëzohem
pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Bâtë burrninë
të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i
jueji e ju jeni të mijt”. Studiuesi më i njohur i Camajt është Hans-Joachim Lanksch. Po
e kujtojmë sot, në përvjetorin e vdekjes, me poezinë “Elegji e Parë”:Kur
kam me qenë i këputun nga mundi i vjetve të rrëpita sa 'i shkamb, mos
të vijë keq ty, Taze, për mue të shtrimë mbi drrasat e vdekjes, kingj
i gatuem për flije. Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë për
njerzit e vet, vdekë qysh kur. Edhe një amanet, moj grue: kur
vdiq im atë, premë dy qe me ngimun të unshmit e thneglat e lamit me
grimca buke. Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë të ngishëm, prandej
ndër drekët e mija qitni vetëm kafe të idhta. Martin Camaj.