2013-03-12 13:52:11

Komenti biblik për zgjedhjen e Papës


Sinodi i Jeruzalemit në Veprat e Apostujve (Vp 15, 13-18): Fjalën e mori Jakobi e tha: “Më dëgjoni, vëllezër! Simoni shpjegoi se si Hyji, që në fillim, u kujdesua të përftojë prej paganëve një popull për Emër të vet. Kjo gjë është në përkim me fjalët e profetëve, sikurse është shkruar: ‘Pastaj do të kthehem dhe do ta rindërtoj tendën e rrëzuar të Davidit, do t’i rëndërtoj rrënojat e saj, përsëri do ta ngre që edhe njerëzit të tjerë ta kërkojnë Zotin dhe mbarë paganët, mbi të cilët u thirr Emri im, thotë Zoti që i bën këto të njihen që prej amshimit”.
Në Ungjillin sipas Lukës tregohet: “Unë jam ndër ju porsi ai, që shërben” (Lk 22, 27): kjo na bën të kuptojmë domethënien biblike të zgjedhjes së Papës nga ana e Kolegjit Kardinalor. Kisha nuk mund të jetë në Krishtin pa Pjetrin, shkëmbin mbi të cilin është ndërtuar e kreun e saj, por edhe Pjetri nuk është udhëheqës i vetmuar në majë të ndonjë piramide; ai është “i pari”, është kreu i të Njëmbëdhjetëve dhe “të atyre, që ishin me ta” (Lk 24,33); ai është qendra e atij “bashkimi” njerëzish, që organikisht orientohet ekskluzivisht drejt ndjekjes së një të vetmit “Krye-Bari” (1Pjt 5,4), bariut të të gjithë barinjve të popullit të Zotit. Ai është “sakramenti i dukshëm” i këtij Krye-Bariu në çdo çast të historisë, pra i përket kohës. Prandaj, Pjetri e sheh gjithnjë vetveten me “të tjerët” dhe të tjerët rreth Pjetrit.







All the contents on this site are copyrighted ©.