2013-03-12 17:24:47

Kardinajtë hyjnë në Konklavë, fillon zgjedhja e Papës së ri


Sot pasdite, në përkim me normat e Kushtetutës Apostolike Universi Dominici Gregis, pas Meshës ‘për zgjedhjen e Papës’, kardinajtë hynë, me procesion, në Konklav, për të zgjedhur Kryebariun e Kishës Katolike. U nisën nga Shtëpia e Shën Martës, në Vatikan, për të hyrë në Kapelën Paoline të Pallatit Apostolik, ku u radhitën, për të nisur procesionin. Kur radha e kardinajve dhe e patrikëve, veshur me rroba të kuqe e korale, ishte gati, kardinali Dekan dha shenjën e fillimit të hyrjes në Konklav, duke bërë Kryq. Kremtuesi shqiptoi fjalët simbolike:
“Zoti, që u prin zemrave tona në udhët e dashurisë e të durimit të Krishtit, qoftë me ju të gjithë”
Pastaj kardinali Sodano, që kryesoi kremtimin, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha:
“Të nderuar vëllezër, pasi kremtuam misteret hyjnore, tani po hyjmë në Konklav për të zgjedhur Papën e Romës. Mbarë Kisha, e bashkuar me ne në lutje, lyp pa pushim hirin e Shpirtit Shenjt, që nga gjiri ynë të zgjidhet një bari i denjë për mbarë grigjën e Krishtit. Zoti i drejtoftë hapat tanë në udhën e së vërtetës, që me ndërmjetësimin e së Lumes Mari, gjithmonë Virgjër, të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal e të gjithë Shenjtorëve, të bëjmë përherë atë, që i pëlqen Atij të lumit”.
Pas këtyre fjalëve, nisi procesioni, në krye të të cilit ishte ministranti me Kryqin e, pas tij, këngëtarët e Kapelës Sikstine, që nisën të intonojnë himne të shenjta, më pas, ceremonierët, sekretari i Kolegjit të Kardinajve dhe sekretari i Konklavit, kardinali Grech, që mbajti meditimin e pastaj, të gjithë kardinajtë zgjedhës, sipas rendit: Diakonët, Presbiterët dhe Ipeshkvijtë.
Procesionin e mbylli kardinali Re, më i vjetri i Urdhërit të Ipeshkvijve, kremtues i procesionit dhe i betimit në Kapelën Sikstine. Kardinali Re shoqërohej nga Mjeshtri i Kremtimeve Papnore, imzot Marini.
Procesioni eci ngadalë drejt Kapelës Sikstine, ndërsa këngëtarët dhe asambleja këndonin, duke i shndërruar zërat, Litanitë e Mëdha, në të cilat u kujtuan Shenjtorët e Lindjes e të Perëndimit.
Lutja drejtuar Krishtit, pas Litanive, si dhe lutjet për nevojat e ndryshme, kryesisht për ta lartuar njerëzimin, për ta mbushur me etjen për qiellin, për ta shpëtuar nga vdekja e amshuar, nga uria, nga lufta e nga të gjitha kobet, që të mund të gëzojë drejtësinë e paqen. E lutja për ta shndritur Kishën Shenjte, duke i dërguar punëtorë të rinj për të korrat, duke i mbrojtur ipeshkvijtë e të gjithë shërbëtorët e Ungjillit e duke u dhënë gjithë të krishterëve, unitetin e fesë.

Si arritën në Kapelën Sikstine, kardinajtë zunë vendet e caktuara. Ungjilli ishte vendosur në një vend të lartë e të denjë, për të kryesuar kremtimin.
Pas përfundimit të këngëve e Litanive, shoqëruar me lutje, kardinali Dekan, në këmbë para elterit, intonoi himnin “Veni Creator Spiritus”- “Eja, o Shpirt Krijues”, lutje solemne drejtuar Shpirtit Shenjt.
Si përfundoi kënga, kardinali Dekan, që kryesonte kremtimin, u drejtoi të gjithëve ftesën për t’u lutur. Pasoi lutja në heshtje, hyrja në Konklav e betimi. Kardinali Dekan shqiptoi me zë të lartë betimin:
“Ne të gjithë e secili nga ne, kardinajtë, të pranishëm në këtë zgjedhje të Papës, premtojmë, zotohemi e betohemi se do t’i respektojmë të gjitha rregullat, që përmban Kushtetuta Apostolike e Papës Gjon Pali II, Universi Dominici Gregis, shpallur më 22 shkurt 1996.
Premtojmë, zotohemi e betohemi edhe se kushdo prej nesh që, me hirin hyjnor, do të zgjidhet Papë i Romës, do të impenjohet për ta kryer besnikërisht misionin e Pasardhësit të Shën Pjetrit, të Bariut të Kishës Universale e për t’i mbrojtur me guxim të drejtat shpirtërore e tokësore, si dhe lirinë e Selisë së Shenjtë.
Mbi të gjitha, premtojmë e betohemi të respektojmë me besnikëri të plotë e së bashku me të gjithë, si klerikët, ashtu edhe laikët, sekretin e gjithçka ka të bëjë me zgjedhjen e Papës e edhe të gjithçka ndodh në vendin e zgjedhjes e lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi, me votimin; se nuk do ta shkelim në asnjë mënyrë këtë sekret, si gjatë, ashtu edhe pas zgjedhjes së Papës së ri, duke përjashtuar vetëm rastin kur këtë e lejon vetë Papa; se nuk do të lejojmë asnjë mbështetje, favor, pengesë, kundërshtim apo ndonjë formë tjetër të ndërhyrjes, me të cilën autoritetet shekullare të çfarëdo urdhëri e grade, ose çfarëdolloj grupi njerëzish a individësh, do të dëshironin të ndikonin në zgjedhjen e Papës së Romës”.
Pastaj kardinajtë, me radhë, pohuan: “Premtoj e betohem!”, duke vënë dorën mbi Ungjill e duke shqiptuar fjalët: “Kështu më ndihmoftë Zoti e ky Ungjill, që po e prek me dorën time!”.
U dëgjua, pastaj, thirrja “Extra Omnes!”- “Jashtë të gjithë”, pas së cilës ata që nuk merrnin pjesë në Konklav, u larguan nga Kapela Sikstine.
Porta u mbyll edhe për ne, në një Sallë ku lejohet të hyjë vetëm Zoti, që kryeson votimet, e kardinajtë e zgjedhur prej Tij.
Votimi nisi sipas nenit 54 të Kushtetutës Apostolike.
Dita e parë: besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, me sytë ngulur tek oxhaku, në orën 19.00 panë të dilte tym i zi! Nesër do të jenë përsëri aty, në pritje të tymit të bardhë, që shënon zgjedhjen e Papës së ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.