2013-03-12 17:41:04

Fillojnë Rrëshajët e kohëve të reja për Kishën


Sytë e mbarë botës shikojnë drejt Romës, zemrës së krishterimit. Që sot 12 mars 2013 në mbrëmje, me Konklavën që është sigurisht një ngjarje epokale, për Kishën filloi një realitet i jashtëzakonshme. E vërtetë e jashtëzakonshme është ngjarja e Rrëshajëve të reja e historike që po përjetohet këtyre ditëve nga Kisha katolike romake. Çasti historik i këtyre Rrëshajëve nisi sot pasdite me fillimin e Konklavit për zgjedhjen e pasardhësit të Benediktit XVI e do të kulmojë me kumtimin e shumëpritur të kardinalit Protodiakon, i cili si shën Gjon Pagëzuesi, që si pararendës i Qengjit të Hyjit, e paraqiti dhe tregoi para popullit praninë e Mesisë, po kështu kardinali protodiakon Jean-Louis Tauran do t’i kumtojë Kishës e botës zgjedhjen e pasardhësit të 266-të të Shën Pjetrit Apostull, kryebariun e ri shpirtëror të Kishës universale, duke klithur “Hambus Papam”.
Gjithçka filloi me uratën e lashtë të krishterë, atë drejtuar 'Shpirtit Shenjt Zot' – ‘Veni Creator’ e, gjithçka do të përfundojë me një uratë tjetër po aq të lashtë e të rëndësishme siç është 'Te Deum' – 'Ty o Hyj', pra me lutje e falënderimit drejtuar Hyjit. Po jo vetëm që çdo gjë nis e përfundon me ndikimin e Hirit të Tënzot, po gjithçka edhe zhvillohet sipas frymëzimit që vjen nga Drita Hyjnor, që përherë të veprohet sipas vullnetit të Zotit e planin të Tij të pashqyrtueshëm Hyjnor.
E nga çasti i shqiptimit të fjalës së njohur “extra omnes”, që shënoi mbylljen e portës së Kapelës Sikstina, askush nuk do të mund më të hyjë apo të dalë, e megjithëkëtë mbarë Kisha e bota është pjesë e asaj që do të ndodhi brenda Kapelës Sikstina, duke u nisur nga pasditja e sotme.
Ja se pse çdo gjest që bëhet nga 115 kardinajt zgjedhës e votues, sipas “Rendit të ritit të Konklavit” dhe Kushtetutës “Universi Dominici Gregis”, po në rend të parë e sidomos, sipas ndërgjegjes personale para fytyrës së Zotit e sipas vullnetit të Tij Hyjnor, do të ketë një rëndësi e peshë që tejkalon çdo kufij, sepse do të t’i dhurojnë Kishës Shenjte Papën e 266-të të historisë së saj mijëra vjeçare.
Po momentin dhe orën e kësaj ngjarje, nuk e di askush, përveç Atij të Madhit të Lum, që njeh zemrat e shqyrton ndërgjegjet e çdonjërit, e gjatë këtyre ditëve, posaçërisht të atyre, kardinajve, të cilëve ua ka besuar këtë detyrë kaq të veçantë shpirtërore.
E ndërsa riti i veçantë i Konklavit ka filluar e kardinajt janë para gjyqit të mbramë të Mikelangjelo në Sikstina, besimtarët e krishterë kudo në botë, në këto orë e gjatë kësaj ngjarje të rëndësishme e historike të Kishës së Krishtit, i lartojnë uratën e tyre të flaktë Shpirtit Shenjt Zot, për kardinajt pjesëmarrës të Konklavit, duke iu lutur:“Eja o Shpirti Shenjt Zot, deh zbrit e përshkoi me dritën tënde mendjet tona, mbushi me hirin tënd, zemrat që i ke krijuar. O Shpirti Shenjt, deh zbrit mbi ne, e prej qiellit derdh mbi ne rrezet e tua plot me dritë. Eja Ti n’dhanti bujar, eja Ti që mendjet shndrit”.
E kjo lutje është tejet e rëndësishme, sepse pa Papën nuk ka Kishë, sepse pa Kryebariun shpirtëror, Kisha do të ishte një institucion jo i plotë. Pa Papën, Kishës i mungon jo vetëm autoriteti më i lartë, por edhe vet themeli, shkëmbi mbi të cilin mbështetet dhe ekziston mbi Tokë. Këtu pra kemi tërë domethënien e Konklavit, risinë e këtyre Rrëshajëve, që Zoti i dhuron në çdo epokë Kishës së Tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.