2013-03-11 15:41:56

Radio Vatikani, e pranishme në të gjitha platformat e përhapjes së lajmeve për Konklavin


Me rastin e Konklavit, duke filluar nga dita e sotme e deri në zgjedhjen e Papës së ri, Radio Vatikani do të ketë një programim të veçantë për ndjekjen e drejtpërdrejtë të kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Më hollësisht se për çfarë është fjala, na e shpjegon përgjegjësi i Seksionit anglez të emitentes sonë, Shon Patrik Lovet:
“Flitet shumë për Kishë e tekonologji dhe për përparësinë e Radio Vatikanit si emitente e Selisë së Shenjtë. Është e rëndësishme të kujtojmë se për herë të parë në historinë e komunikimeve masive, një emitente do ta përqendrojë vëmendjen në të gjitha platformat aktuale – dixhitale dhe analogjike – për të transmetuar një ngjarje të vetme. Me rastin e Konklavit, Radio Vatikani do të jetë e pranishme jo vetëm në platformat tradicionale – valë të shkurtra, valë të mesme, FM, satelit – por edhe në televizion: do të kemi një telekamera të privilegjuar, atë të qendrës Televizive të Vatikanit, mbi Sheshin e Shën Pjetrit e mbi oxhakun e Sikstinës; do të transmetojmë në “web casting”, pra, në një emision të drejtpërdrejtë, që mund të ndiqet në faqen tonë të internetit , në Vatican Player, në App-in tonë (që mund të shkarkohet falas nga faqja e internetit), në Agenda Vaticana (Tic), në audio e video streaming të drejtpërdrejtë, me azhurnime në kohë reale në Twitter dhe me mundësinë për të ndërhyrë në faqen tonë në Facebook, e cila na lejon t’u përgjigjemi pyetjeve e kuriozitetit të atyre, që na ndjekin.
Në veçanti, tri nga redaksitë tona gjuhësore, ajo italiane, ajo angleze dhe braziliania, do të ndjekin çdo ditë, në emision të drejtpërdrejtë, tymin e oxhakut të Sikstinës pas dy votimeve të parashikuara, afër mesditës dhe pasdite. Një redaksi tjetër, ajo franceze, do të ndjekë votimin e pasdites”.







All the contents on this site are copyrighted ©.