2013-03-11 12:56:44

Ngrihet Media Centre në Vatikan, ku janë akredituar mëse 5600 gazetarë


Janë me mijëra, gazetarët e akredituar në Qendrën e Mediave, në Sallën Pali VI në Vatikan. Struktura është ngritur për t’u mundësuar mëse 5600 gazetarëve nga e gjithë bota, të ndjekin punimet e Konklavit për zgjedhjen e papës së ri. Ndahet në katër sektorë: ai për mondovizionin, me 18 vende për kronistët televizivë; ai për shtypin, me vende, që disponojnë lidhje në internet e telefon; sektori televiziv, me 21 kabina dhe, ai i radios, me 28 vende e 11 kabina. Të dëgjojmë asistentin e kontrollit, Domeniko Çinkue:
“Janë miratuar mëse 5600 kërkesa për akreditim, pas kontrolleve. Janë të pranishme mëse 1.400 media, në 24 gjuhë, përfaqësuese të 65 kombeve. Për arsye që kuptohen, në hyrje, xhandarmëria lejon të kalojnë vetëm personat e akredituar. Pastaj, kontrollohen me “metal detector” për të shmangur hyrjen me mjete të papërshtatshme. Ndërkaq, ne kemi për detyrë të vlerësojmë nëse akreditimi është i vërtetë dhe ta drejtojmë personin drejt sektorit, për të cilin e ka kërkuar atë”.
Sektori i rezervuar për shtypin mirëpret shumë gazetarë e fotografë. Marcia Pelegrino, koordinatore e Qendrës së Shërbimeve për Shtypin:
“Kemi katër radhë me tavolina: e fundit u rezervohet atyre, që kanë kërkuar lidhjen me internet shumë të shpejtë – 100 mega – si edhe shërbimin telefonik. Në radhën e dytë kemi kompiuterat e lidhur me kabllon “LAN”, pra me rrjetin lokal, ndërsa dy radhët e tjera nuk janë të pajisura me kompiutera, por gjithsesi, japin mundësi për lidhje në internet. Kështu që, edhe gjatë Kongregatave, kur të gjithë celularët ishin të bllokuar dhe nuk mund të përdornin WiFi, gazetarët mund të lidheshin me internet”.
Përsa i përket sektorit radiofonik, kontributin kryesor e jep Radio Vatikani. Çdo gazetar mund t’i drejtohet përgjegjësit tonë të Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Xhakomo Gizani:
“Meqenëse Radio Vatikani është emitentja, të themi “kombëtare”, e vendit ku mbahet Konklavi për zgjedhjen e Papës së ri, ka për detyrë të përgatisë ç’u nevojitet emitenteve të jashtme, mbi bazën e standarteve ndërkombëtare dhe parimeve të bashkëpunimit, në mënyrë që të sigurohet mbulimi i plotë i ngjarjeve në Vatikan. Prandaj, Radio Vatikani ka parashikuar hapësira pune dhe kabina për transmetimet radiofonike të partnerëve të saj. Janë rreth 30 vende pune dhe 15 kabina, të pajisura me aparte për transmetimin e radiokronikave”.
Shumë prej vendeve të ngritura brenda Qendrës së Mediave u japin gazetarëve mundësinë për të përdorur imazhe të Qendrës Televizive të Vatikanit dhe audion e transmetuar nga Radio Vatikani.







All the contents on this site are copyrighted ©.