2013-03-11 17:46:21

Mesha para Konklavit 2005, kur foli kardinali Jozef Ratcinger.


Pasditen e 18 prillit 2005 niste Konklavi, që do të përfundonte me zgjedhjen e Benediktit XVI: për një përkim, që tashmë ka hyrë në librat e historisë, atë paradite ishte pikërisht kardinali Ratcinger, në rolin e dekanit, që do ta kryesonte “Missa pro eligendo Pontefice”, në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Në prag të të njëjtit kremtim, nesër, më 12 mars 2013, plot një muaj pas dorëheqjes së Benediktit XVI, po kujtojmë disa fragmente të homelisë, që do të mbante ai, i cili një ditë më pas, do t’i paraqitej Kishës si Pasardhësi i 264 i Shën Pjetrit.

Tridhjetë orë më parë, punëtori i përvuajtur nuk foli për vreshtin e Zotit, por për mënyrën sesi toka mund të shndërrohet nga luginë lotësh, në kopsht të Zotit. Duhen theksoi, të krishterë të pajisur me një fe të patundur, miq të Jezusit e armiq të realativizmit. Tridhjetë orë para, i ndjekur nga telekamerat e botës, kardinali Ratcinger dukej sikur do ta merrte shpirtërisht për dore Kishën, një ditë para se ta merrte edhe historikisht. Në këmbë mbi Elterin e Rrëfimit, i veshur me petka të kuqe, mik i Gjon Palit II, foli pikërisht siç do të fliste një ditë më pas, e edhe tetë vjet me radhë. Mrekullohesh, kur rilexon homelinë e asaj paraditeje, parë në dritën e një megjisteri, që tashmë njihet. Në orën 10.31, kur nisi të flasë, kardinali Ratcinger nuk bëri tjetër, veçse të komentojë leximet e parashikuara nga liturgjia e Meshës. Por reflektimi i tyre u kthye shpejt në një prelud të apasionuar e të përmbledhur të magjisterit, që do të vinte. Duke nisur nga vërejtja, tashmë e mirënjohur, cituar nga Shën Pali, sipas të cilit: “Nuk duhet të mbetemi foshnje në fe, në gjendje pakice”. Por, ç’do të thotë të jesh fëmijë në fe? Përgjigjet Shën Pali: “Do të thotë të tundesh e të shkundesh nga dallgët e të përplasesh andej-këndej nga era e çdo doktrine”. Një përshkrim, ky, shumë aktual.
Kardinali-dekan i pati hedhur një vështrim së kaluarës, “rrymave ideologjike”e “erërave të doktrinës” , që frynë në rrjedhë të historisë, duke i kujtuar një për një, që nga marksizmi, tek liberalizmi e te libertinismi. E duke kujtuar edhe dallgët e trazuara, shkaktuar nga ndryshimi i këtyre koncepteve, kardinali Ratcinger, pati kritikuar haptazi ligështinë, që kanë treguar shpesh herë besimtarët e Kishës Katolike:
“Sa erëra doktrinash njohëm në këto dhjetë vjetët e fundit, sa rryma ideologjike, sa moda mendimi…Barka e vogël e mendimit të shumë të krishterëve shpesh u tund e shkund nga një skaj në tjetrin: nga marksizmi, tek liberalizmi e tek libertinizmi”.
E lista vijon: nga kolektivizmi, tek individualizmi rrënjësor; nga ateizmi, tek një misticizëm i zbehtë fetar; nga agnosticizmi tek sinkretizmi. Dredhime të cilave u kundërvihet në këtë Meshë, si kardinal, e do t’u kundërvihej mijëra herë, si Papë:
“Të kesh një feje të qartë, sipas besojmës së Kishës, shpesh herë etiketohet fanatizëm. Ndërsa relativizmi, dmth lënia e vetvetes në mëshirën e erërave, që fryjnë nga çfarëdo lloj doktrine, shikohet si sjellje në lartësinë e kohëve të sotme. Ndërtohet kështu, pak nga pak, diktatura e relativizmit, që nuk pranon asgjë përfundimtare e që shikon, si masë të fundit, vetëm unin e ëndjet e tij”.
Bazilika ishte aq plot, sa nuk zinte më. Dëgjohej në heshtje të thellë e vërehej menjëherë se ai, që specialistët e quajnë teolog i madh, nuk u fliste me gjuhën e vështirë të intelektualëve, por me fjalë të qarta, që depërtojnë drejtpërdrejt në zemër. Nuk ishte e vështirë ta kuptoje, kur shpjegoi ç’do të thotë “fe e pjekur”:
“E pjekur” nuk është një fe që ndjek dallgët e modës e të resë më të fundit; e rritur dhe e pjekur është feja që rrënjoset thellësisht në miqësinë me Krishtin. Është kjo miqësia, që ia hap zemrën çdo gjëje të mirë e që na jep kriterin për ta dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Këtë fe duhet ta bëjmë sa më të pjekur, drejt kësaj feje duhet ta drejtojmë grigjën e Krishtit. E është kjo fe – vetëm feja – që krijon unitet e që realizohet në dashurinë e krishterë”.
Është kardinali i moshuar që po flet, jo Papa, por ndoshta ndokush, në ato 29 minuta, nuk e vërejti ndryshimin. E ndoshta as atëherë kur njeriu në këmbë, i veshur me të kuqe, arriti në përfundimin e fjalimit të tij, duke shqyrtuar kardinajtë e, përmes tyre ardhmërinë e Kishës, që do të vinte. Njeriu të cilin, tridhjetë orë më pas, do ta shikonin me një veshje të ndryshme, por me të njëjtën fe, plot dritë e forcë:
“Duhet të frymëzohemi nga një shqetësim i shenjtë: shqetësimi për t’ua përcjellë të gjithëve dhantinë e fesë, të miqësisë me Krishtin. Në të vërtetë, dashuria e miqësia me Zotin na është dhënë, që të arrijë edhe tek të tjerët. E kemi marrë fenë, për t’ua dhuruar të tjerëve, jemi meshtarë, për t’u shërbyer të tjerëve. E duhet të sjellim një fryt që të mbetet”.
Por me qenë se – vijoi kardinali – të gjithë njerëzit duan të lenë një gjurmë që të mbetet, lind pyetja: e ç’është ajo gjë që mbetet? Nuk është paraja që mbetet. As kultura, as libri. Pas njëfarë kohe, pak a shumë të gjatë, të gjitha këto gjëra zhduken. E vetmja gjë, që mbetet në amshim – pati pohuar me forcë kardinali Ratcinger – është shpirti njerëzor - njeriu i krijuar për amshim.
“Fryti, që mbetet, është ai që kemi mbjellur ndër shpirtrat njerëzore; dashuria, ndërgjegjja, feja, gjesti i aftë për të prekur zemrën, fjala që e hap zemrën për gëzimin e Zotit. Atëherë të shkojmë e ta lusim Zotin, që të na ndihmojë të sjellim fryt, një fryt që i qëndron kohës. Vetëm kështu toka shndërrohet - nga luginë lotësh, në kopsht të Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.