Atë Çiprian Nika, françeskan në përvjetorin e pushkatimit nga regjimi komunist.
Françeskani shqiptar atë Çirpian Nika ofm u pushkatua nga komunistët 11 mars 1948,
jashtë mureve të varrezave të Shkodrës. Të gjithë ata që e kanë njohur dëshmojnë
se ishte një shenjt i vërtetë. Feja e tij e thellë në Krishtin, kultura e tij e madhe,
dhe dashuria e tij për atdheun ngjallën urrejtjen e kundërshtarëve. Lindi në Shkodër,
më 19 korrik 1900, nga Mihill dhe Ana Ali Mirashi. Në pagëzim mori emrin Dedë. Mbeti
jetim kur ishte pesë vjeç. Ndoqi shkollën fillore dhe të mesmen te fretërit në Shkodër,
kurse studimet teologjike në Austri. Hyri ndër etër françeskan më 16. 10. 1916.
Kushtet e përjetshme rregulltare i dha më 16. 09. 1921. U shugurua meshtar në Romë
më 25. 07. 1924. Ishte mësues e formues i novicëve dhe i klerikëve, gvardian dhe definitor,
si edhe provincial i françeskanëve (më 1938-1941), e prapë gvardian i kuvendit të
Shkodrës nga viti 1943 e deri në vdekje. U arrestua me akuzën e rrejshme se kishte
marrë pjesë në vendosjen e armëve në elterin e kishës; gënjeshtër e shpikur për të
shkatërruar kuvendin. Fjalët e tij të fundit të shkruara në verbalin gjyqësor kanë
qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë. Shqipëria nuk vdes me ne!” U
pushkatua me 11 mars 1948, jashtë mureve të varrezave. Atë Çiprian Nikaishte
rregulltar i vërtetë, zbatues i palëkundshëm i Rregullës. I fortë, i devotshëm e i
zellshëm, një martir i vërtetë i fesë dhe i atdheut. AtëÇiprian
Nika, guardian i françeskanëve të Shkodrës “Vuejtja, o bir, e ban ma fisnike
fitorën!” Ka lé në Shosh të Shkodrës, më 19 korrik 1900. Prindët e tij ishin Mëhill
e Prenda Nika, të cilët e lanë jetim qyshë të vogël 5 vjeç. Prifti i Shoshit e solli
Dedën e vogël në Kuvendin e Françeskanëve të Shkodrës, ku përfundoi edhe shkollën
e mesme. U dallue si nxanës dhe tue pasë thirrjen shpirtnore për meshtar vendosi me
iu kushtue urdhnit të Sh’Françeskut. Përfundoi studimet e Larta Teologjike në Austri
dhe më 26 korrik 1924, shugurohet meshtar në Romë, tue marrë emnin Çiprian, në Urdhnin
e Fretënve të Vogjël, (O.F.M.). Vjen në Shkodër me një prëgatitje të mirë kulturore.
Ishte ndër ma të ditunit në fushën teologjike dhe filozofike. Emnohet profesor në
Gjimnazin e Fretënve. Ka pasion muzikën. Nën drejtimin e At Martin Gjokës merr pjesë
në orkestrën frymore të Françeskanëve që përbahej prej rreth 40 vetësh. Ishte ndër
flautistët ma të mirë që cilëson mjeshtri At Gjoka. Njihët edhe me vegla tjera frymore
të bandës muzikore. Zotnonte mirë disa gjuhë, spikati në gjermanisht, frengjisht dhe
greqishtën e vjetër. Ishte bashkëpuntor i revistave “Hylli i Dritës” dhe “Leka”, ku
ka shkrue artikuj me vlerë në fushën filozofike. Njihët si Provinçiali ma i ri në
moshë sëpse, në vitin 1938 drejton Provinçën e Shqipnisë. Një figurë e kompletueme
në të gjitha pikëpamjet, françeskan në veshje dhe në dukje të virtytëve të tij, i
qeshun, i dashtun, i qetë, i ambël dhe joshës në biseda. Fizionomia e tij pasqyronte
modelin shpirtnuer të Fratit t’Asizit. Në kohën e Opozitës kundër Mbretit Zog, asht
i pandamë nga fretnit tjerë, merr pjesë me malësorët e krahinës së tij në Shosh. Për
fat të keq në vitin 1939, u ndodh në postin e Provinçialit dhe u detyrue me pranue
okupacionin fashist. Asht anti-italian dhe nuk afrohet fare me ndjesitë proitaliane
të disa klerikëve, si At Bernardin Palaj, At Rrok Gurashi etj. Pak kujt aso kohe i
shkonte mendja tek një okupacion i mundëshëm i Italisë, mbasi ardhja e saj mendohej
se sillte një dëshirë të madhe të shqiptarëve për bashkimin e Kosovës me tokën nanë.
Shumë atdhetarë tue fillue nga Mustafa Kruja e deri tek Don Lazër Shantoja, kishin
qëndrue me vite të tana në mërgim tue punue për një Shqipni Etnike, gja të cilën e
shohin se mund të realizohej nga ardhja e Italisë apo e Gjermanisë së njohtun antisllave.
Pavarësisht nga koha e shkurtë por një gja e tillë u realizue. Hapja e 120 shkollave
shqipe nga Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi, me mësues shqiptarë në tokat e Shqipnisë
jashtë kufijve të sotëm shka përfshinë në Veri dhe Kosovën, na pëlqen ose jo, në fund
të fundit duhet pranue se, po mos të ishin hapë ato shkolla në vitin 1941, sot asnjë
nga shqiptarët e atyne krahinave nuk do të dinte me shkrue e lexue në gjuhën amtare
shqipe. Në vitin 1943 At Çipriani, ishte me u zgjedhë prap Provinçial, por asht
At Mati Prennushi që mendon se At Çipriani nuk duhet sakrifikue tue u vue si Provinçial,
mbasi Shqipnia ishte në pragun e okupacionit tjetër, këtë herë nga komunist dhe këta
do ta pushkatonin të parin. At Matia merr postin e Provinçialit vetë, me mendimin
se regjimi komunist nuk ka me kenë i gjatë dhe pranon ma parë vetsakrifikimin se humbjen
e At Çiprianit, i cili asht mjaft ma i ri edhe në moshë. Nëse, Anglo Amerikanët do
të ndryshonin politikën e tyne me Shqipninë, tue mos e lanë në mëshirën e Jugosllavisë,
atëherë pushteti nuk mbetëj vetëm në dorë të komunistëve. Gjithë shpresa ishte se
me hymjen e grupeve të tjera në qeveri, komunistët do të spostoheshin dhe do të krijoheshin
rrëthana të tjera politike. Koha e ardhëshme mbas luftës mendohej se do të ishte ma
favorizuese për të gjitha çështjet kombëtare. Mundësia e një zbarkimi Anglo- Amerikan
në Ballkan ishte e mundëshme dhe e pritëshme nga pjesa ma e madhe e antifashistëve
shqiptarë që nuk i donin komunistët. Kjo dëshirë jo e parealizueshme ishte edhe e
klerit shqiptar, e kryesisht atij françeskan. Madje, koha ka me nxjerrë fakte që At
Anton Harapi dhe Regjenca në muejt e fundit kanë punue për një qëllim të tillë, pavarësisht
se përpjekja i shkoi kot nga lidhjet e mëshefta të Rusveltit me Stalinin, të njohtuna
zyrtarisht në Jalta. Askujt nuk mund t’i shkonte mendja se koha e mbas luftës do të
sjellin shkatrrimin e plotë të krejt përpjekjeve të një shekulli të të gjithë shqiptarëve.
Me shkuemjen e At Anton Harapit, si Regjent në Tiranë, Provinçial u zgjodh At
Matia dhe At Çiprian Nika mbeti Guardian i Françeskanëve të Shkodrës. At Pal Dodaj
ishte sekretar i Provinçës, një françeskan me vlerë në shumë fusha. Ishte historian
i njohtun dhe si i tillë edhe një ndër politikanët e rrafinuem që ka pasë kleri, prandej
asht kudo. At Pal Dodaj deklaron: “Në 1924 jam kenë me Opozitën. Në vitin 1922,
kam tentue me bashkue Zogun me Luigj Gurakuqin, mbasi tue u bashkue trimnia e Zogut
me urtësinë e Gurakuqit, do t’i vinte nji hov Shqipnisë. Zogu e pranoi, Luigji jo!
E, mbet.”(Dosja 1248). Ardhja e Gjermanisë në Shqipni asht quejt kalimtare mbasi tue
fillue nga qeverisja dhe krejt organizimi i shtetit ishin në dorën e shqiptarëve.
Lufta që ata kanë ba kundër komunistëve dhe italianëve i ka dhanë mundësinë e një
simpatie të gjithë atdhetarëve, por ç’e do, ishte koha kur ata i kishte marrë tatpjeta
dhe nuk la mundësinë e një organizimi të mirë të forcave përparimtare në dobi të vendit,
ku tashma mbretnonte kausi dhe rrumbuja. Secili veç mendonte me ikë. Forcat gjermane
të vendosuna në Shkodër kanë hy edhe në kuvendin e fretërve vetëm për fjetje. Dy herë
At Çipriani e At Matia kërkojnë nga Komanda Gjermane lirimin e kuvendit, tue e konsiderue
një shkelje, herën e parë u lirue, por mbas dy javësh kanë hy prap dhe nuk kanë dalë
ma deri me datën 29 nandor 1944, që janë largue përfundimisht nga Shqipnia. Kjo
kohë asht edhe periudha ma fatkeqe për At Çiprianin mbasi gjermanët kur u larguan
kanë lanë disa armë në oborr, të cilat atë ditë, pra, më 29 nandor At Çipriani, i
nxjerr nga oborri përpara dhe i çon tek stallat e derrave mbrapa në shi e në diell,
si të ishte koha. Kur fillon me u ndigjue rreziku i mbajtjes së armëve mbas Lëvizjes
së Veriut dhe të Koplikut, më 14-15 janar 1945 At Matia, urdhnon që të treten armët
jashta kuvendit të Fretënve edhe pse janë të ndryshkuna dhe të prishuna jashtë përdorimi.
At Çipriani, tue pasë frikë se hedhja në rrugë do të ngarkojë qytetarët përreth kuvendit
me përgjegjësi, mbasi mund të kontrollohen shtëpijat e tyne dhe vështirë se mund të
kishte një shtëpi pa dy armë, e shkaktari do të ishte At Çipriani, ky vëndosë groposjen
e këtyne armëve në një ambjent larg kuvendit në kantinën e venës, ku hapë tokën e
dyshemës së shtrueme me çimento dhe derdhë prap beton sipër tue i çimentue edhe armët,
me anën e një ushtari italian i mbetun rob që shërbente në shtëpinë e tij. At Filip
Mazrreku, mbante dy revolverë të vëllazënve të tij si kujtim, mbasi të dy ishin vra
nga komunistët. Për këtë ai njofton At Çiprianin i cili ia merr të dy dhe i tretë
në gropën e zezë, bashkë me një tjetër të At Zef Mesit që kishte vdekë pikërisht ato
ditë kur partizanët kontrollonin krejt qytetin shtëpi për shtëpi. Një armë, tip alltije
të gjetun nga At Gjeçovi, bashkë me një armë ma të gjatë edhe kjo me vlera vjetërsije
dhurue nga Lef Nosi, e rujtun në muzeun e Fretënve, mësheret nga At Çipriani, nën
dyshemen e dhomës së tij me anën e kuzhinierit Martin Tarri, me qëllim që të mos i
grabitet nga komunistët ashtu si pat ndodhë në kontrollin e parë të kuvendit nga Sheuqet
Peçi. Pak ditë para 29 nandorit 1944 dy përsona i sjellin At Pal Dodës një arkë
të vogël me disa dokumenta të shkruem turqisht. At Pali, njofton At Çiprianin dhe
At Matinë për këta dokumenta të mbylluna në arkë, që ua kishte dërgue Gjoni i Markagjonit
para se të arratisej nga Shqipnia. Kur puna e kontrolleve shpeshtohet, At Matia
urdhnon që të digjen bashkë me disa dokumenta të lanuna nga Papalilo në një zarf,
edhe ky i arratisun ndër ato ditë. Bashkë me disa shkrime të At Bernardin Palaj, të
At Fishtës, dokumenta të Gjeçovit, janë disa dokumenta muzeale me vlerë historike
si dhe disa pare të vjetra të kohës ilire, edhe këto të gjetuna nga gërmimet e Gjeçovit.
At Pal Dodaj me dijeni të At Çiprianit, (simbas dëshmisë së bame në hetuesi, Dosja
1248, Arkivi i M.Mbrendshme Tiranë), i hap në disa skuta e qoshe me mendimin se kanë
me u dashtë për shpjegime historike ma vonë. Për vëndet ku ishin futë ishte në dijeni
At Donat Kurti, At Frano Kiri dhe fra Zef Pëllumbi, xhakue, përveç dy të parëve, mbasi
u kishte ndihmue me i vue ndër ato vënde. At Pal Dodaj mendon me u ndrrue vend, këtë
ia thotë edhe At Çiprianit, mbasi: “xhakojt Ndoc Vasili, Zef Pëllumbi dhe Luk Kaçaj
janë mërzitë e nuk bajnë ma për këtë punë “ por, nuk i premton koha me i heq mbasi
me datën 15 nandor 1946, kur Kuvendi këthehët në burg, të gjithë janë të arrëstuem.
Luk Kaçaj, nuk përmendet ma mbasi siduket, nuk asht implikue në ndonjë ngjarje, gja
të cilën e ka tregue edhe jeta e tij sëpse, kur ishte me tregue vedin para një gjyqi
fals në Tiranë, ai shprehi mirënjohje ndaj mësuesve të vet françeskanë, gja të cilën
e ka ba pak kush. Fretnit e arrëstuem kur shohin materialet historike të hapuna mjedis
të Kuvendit asht i pari At Donat Kurti, Drejtor’i Gjimnazit Françeskan, që u thotë:
“... një arkë me libra e dorshkrime i kam mëshef në një odë, e cila asht nalt pa shkallë
dhe po të mos të të çojë kush nuk e gjenë dot”. (po aty, Dosja 1248). Ndonse në
grupimet që ban Sigurimi, At Çipriani nuk asht në dosjen e Imzot Frano Gjinit, në
filmin jugosllav “Dosja 1302/II-A”, aty asht edhe At Çiprian Nika, At Pal Dodaj, At
Donat Kurti, At Aleks Baqli dhe At Frano Kiri. Qëndrimi burrnor dhe i patundun në
hetuesi këta fretën i ban të pavdekshëm. At Çiprian Nika asht përballë një kafshës
së tërbueme që thirret kapiten i I-rë, Nësti Kopali. (edhe materiali i tij hetimor
mban datën 22 nandor 1946, pra, një vit mbas arrëstimit!?...). Ky frat u masakrue
si të gjithë tjerët, por nuk duhet lanë pa u shkrue se, kur komunistët kishin të dhana
për vlerat e ndonjë kleriku, atëherë, nuk kënaqeshin vetëm me pushkatimin e tij, por
e torturonin aq sa njerëzit që kishin bashkjetue me te, kur ia sillnin në qeli e pyesnin: “Kush
je ti?”, këtë fat të zi pat edhe At Çiprian Nika. Në proces-verbalin me nr. aktesh:
558, dhe nr. vëndimi 224, Prokuroria Ushtarake e Shkodrës, me akt-akuzën nr. 581,
me datën 26 dhetor 1947, sjellë për gjykim në një dhomë të kuvendit: At Çiprian Nikën,
nga Shkodra dhe At Pal Dodën nga Janjeva e Jugosllavisë, për fajin se: “... gjatë
gjithë jetës së tyre pranë Klerit Katolik kanë zhvilluar aktivitet të rrezikshëm anti-popullor...
duke qenë elementa me pozitë dhe udhëheqës të Klerit Katolik në Shqipni... me anën
e këtyre lidhjeve të kombinuara me Demokristjanen kanë menduar për një kryengritje
të armatosur kundër Pushtetit... Me qëllim që të furnizojnë kriminelat e arratisur
për të goditur Pushtetin kanë fshehur në Seminar dhe në Kishë armë të ndryshme lufte,
revolvera, pjesë ndrrimi mitralozi dhe shumë arka me municion lufte. Faje këto të
parashikuara prej nenëve 2, 3 (pika 1, 2, 4, 7, 8, 14) të ligjes Nr. 372. Këto akte
mbasi u rregjistruan në Nr. 558 të Rregj.Them. Për ditë gjyqi u caktua data 26 dhetor
1947, ditë e premte, ora 3 mbas dreke. Shkodër, 26 dhetor 1947 Sekretari: Sh. Dautaj
d.v. Kryetari: M. Bllaci d.v. (firmat). Ditën e premte, datë 26 dhetor 1947, ora 3
mbas dreke u formua trupi gjykues si vijon: Kryetar: Kap. I-rë Misto Bllaçi, Antarë:
Toger Bastri Beqiri, dhe N/Toger Anastas Koroveshi. Duke qenë gati Prokurori Ushtarak
Kap. Namik Qemali, dhe Sekretari Tish Tukja: U pyet i pandehuri At Çiprian Nika
dhe tha: ... Jam dërgue nga Provinçiali me krye studimet e larta dhe jo nga kush tjetër...
kam pasë shok At Frano Kirin... Austria e mori në dorë çështjen e Klerit Katolik që
të mos merrej nëpër kambë... interresat e tyne nuk i dij. Me Sheuqet Verlacin kam
pasë lidhje zyrtare ... Nuk e dij a kje ma e mirë koha e regjimit të Zogut a sot ...
Mue nuk mu ndalue me marrë frymë, por mu ndaluen burimet e jetesës, p.sh. tokat e
kuvendëve na i mori Pushteti i sotëm dhe shkollat i mbylli. Tokat i mori qeveria dhe
nuk dij kujt ia dha... Enciklika e Papës flet për komunizmin në Rusi dhe Meksikë,
në Rusi kishte Fé dhe besim dhe nuk mundet me kenë që të gjithë janë komunista ateista.
Edhe na Françeskanët jemi komunista. Na kemi jetue me pak ndryshim nga fshatarët
atje ku shërbenim. .... me Enciklikë doli në shesh doktrina komuniste që asht kundër
doktrinës së Krishtenë... këtë e kam pa ndër disa revista që keni botue ju, si dhe
në radio “Shkodra” që asht vue në tallje Kristjanizmi... Kishat nuk janë prishë akoma,
por janë mbyllë shkollat e shoqnitë fetare, ku asht edukue rinija me parimet e fesë
dhe jo me politikë... Lufta për zhdukjen e komunizmit mue më pëlqeu, por mund të zhdukej
edhe me paqë. Lufta kundër okupatorit na shkatrroi ma shumë ne, u dogjën fshatra
e lagje qytetësh dhe u vranë shumë njerëz, kjo nuk më pëlqej mbasi mund të bahej me
kombinacione politike. Rrënimet i kjava me lot gjaku.... Padër Antoni u dënue, por
nuk dij se pse u tha se punoi kundër popullit... Unë kam kenë profesor dhe nuk dij
se asht predikue për fashizmin as prej meje as prej shokve... Nuk kemi punue për ardhjen
e fashizmit në Shqipni... Na i kemi marrë ndihmat se nuk kishim me se të jetonim dhe
të mbanim shkollat.... Në kohën e okupatorit kam shkue në Kosovë me fratel Gjonin
tek At Bernard Llupi, me marrë ushqime për xhakoj, ndërsa në Logutenencë shkonte At
Rrok Gurashi, ai asht dhelpën e madhe... shumë gjana që i bante ky, i nxirrte në skenë
me anë të At Palajt... Demokristjanën nuk e kam formue unë, mbasi nuk jam marrë me
politikë, atë e ndigjova në radio kur u ba gjyqi por as nuk e mora vesht kush e kishte
krijue. Kur u ba çlirimi i Shqipnisë nuk e dij... se nuk më erdhi mirë që u ba nga
partizanët, kur u çlirue nga okupatorët italian e prita mirë. Nuk më ka pëlqye Partia,
më pëlqenin Nacional-Çlirimtarët, Balli dhe Legaliteti... sistemi i qeverimit asht
kundër parimëve të mija... Më ka pëlqye që të drejtonin në Pushtet klasat që kanë
studjue, mbasi fshatarët shumica janë pa shkollë... Në Tiranë ishte Imzot Gjini për
me shkue në qeveri, por nuk dij se ka shkue ndër legata të hueja... Padër Mati Prennushi
në atë kohë ishte Provinçial, por ky nuk më shpjegoi se çka kanë shtrue kur kanë shkue
në Tiranë... Nuk dij gja për Demokristjanën, kur asht ba sulmi prej Postribës nuk
kishe dijeni dhe as nuk kam bashkëpunue me njeri... Nuk kam mësheh asnjë armë në kuvend...
Në Elterët e shenjtë nuk dij se u gjet gja, tash kujtohem se u gjetën do libra, por
nuk dij se u gjetën armë... Nuk kam sabotue zgjedhjet e 2 dhetorit... Për votime kam
shkue në Troshan. Në votime nuk dola fare. Këto nuk ishin të lira se nuk doli asnjë
parti opozitare. Na kujtuem se nuk kishte arkë boshe, se, po ta kishe dijtë se ka,
do të kishe shkue për ta hjedhë votën kundër. Të gjithë bashkë me At Mati Prennushin
s’kena dalë fare ndër votime... Nuk kam pasë lidhje me të arratisun... At Antonit
i kam çue dy herë ushqime me një grue, se mi kërkoi si shok dhe nuk e njof si trathtar...
përhapjen e komunizmit në Shqipni e konsideroj ateiste, prandej jam kenë dhe jam kundër
tij. Si konseguencë fatale kam konsiderue mohimin e egzistencës së Zotit. Nga ky kam
mendue dhe mendoj, se mohohen të gjithë ligjët morale, si ndera, dashtnija, drejtësia
etj. Dhe si përfundim kam nxjerrë me vehten time, se me përhapjen e komunizmit ateist
do të shkatrrohet shoqnia njerzore... Direktivat janë dhanë me anë të librave të teologjisë
dhe filozofisë... Qëndrimi i ynë kundrejt komunizmit ateist asht qenë armiqësor...
Unë kam dishrue që në luftën e gjermanëve me Bashkimin Sovjetik, të fitonin forcat
gjermane, dhe nuk dishroja që ushtria e kuqe të përhapej në Prendim, mbasi me përhapjen
e komunizmit rus ndihet edhe rreziku serb. Fitoria e Gjermanisë ishte në favor të
Shqipnisë... Xhakonin Ndoc Vasili e qita jashtë pse nuk kishte sjellje të mira, nuk
e qita pse ishte lidhë me qeveri, se nuk kishëm frikë nga ky se merrësh vesht me qeveri,
por ky merresh vesht vetëm me të huej, pse edhe shqiptarët kishin gjithfarë ngjyrash
që nuk na pëlqenin né... Dëshira e eme dhe e shokëve të mij ka kenë me e shue farën
e komunizmit në Shqipni.” (Dosja 1248). Në dosje asht edhe mbrojtja e avokat Dr.
Emid Tedeschinit, që ban mbas dhanjes së pretencës së prokurorit, ndër të paktat raste
që kam mujt me pa. Dokumentët e At Pal Dodës, vëndimet e Tiranës dhe fjalën e fundit
të At Çiprianit para pushkatimit nuk kam pasë mundësi me i pa. Avokat Dr. E. Tedeschini
shkruen: “I pandehuni Patër Çiprian Nika, mbi pyetjet e Jueja ka shfaqë haptazi se
shka ka mendue, shka ka dishrue dhe shka ka veprue. Mendimet e tija, ai i ka shfaqë
sinçerisht dhe ky sinçeritet rreth idenave të tija më duket nji provë e fortë me i
besue edhe deponimëve të tija, që i referohen veprave. Këtu, zotni Gjyqtar, nga pikëpamja
ligjore na intereson vetëm vepra konkrete dhe, jo, idenat abstrakte që ai ka. Këto
idena na interesojnë vetëm e vetëm për me zbulue shkakun e veprave. Deponimet e tija
para gjyqit janë përgjithësisht konform me proçes-verbalin hetimor, kështu, që, për
dhanjen e gjykimit mund të mbështetemi vetëm mbi atë proçes dhe mbi ato deponime dhe
mbi mënyrën e shfaqjes së tyne para gjyqit...”(Dosja 1248, po aty). Fjala e fundit
në gjyq ishte: “Lutem, të merrni parasysh mbrojtjen e avokatit që më ka caktue gjykata”. Me
datën 28 dhetor 1947, Trupi Gjykues dha vëndimin: 1. At Çiprian Nika nga Shkodra,
me vdekje me pushkatim. 2. At Pal Dodaj nga Janjeva, Jugosllavi, me privim lirije
përjetë. Sekretari: T. Tukja, Antarë. B. Beqiri, A. Koroveshi dhe Kryetari Misto
Bllaci, d.v. (Firmat) AT ÇIPRIAN NIKA u pushkatue më 11 mars 1948, në orën 5 të
mëngjezit, në Zallin e Kirit, në Shkodër, bashkë me vëllaznit e shokët e gjithë jetës..