2013-03-10 09:43:37

Rite e terma që kanë të bëjnë me Konklavin e me zgjedhjen e Papës së ri. Përsëri për Sikstinën


Nësa Kardinajtë morën vendim që Konklavi aq i pritur të mblidhet të martën, më 12 mars, pas nëntë Kongregacioneve, në praninë e të gjithë kardinajv, ne po vijojmë të shpjegojmë disa rite e terma, që ndihmojnë për ta kuptuar më thellë natyrën e këtij Takimi me peshë të madhe për jetën shpirtërore të të gjithë besimtarëve. Përshkruam, më sipër, përmes intervistës së drejtorit të Muzeve vatikanase, vendin ku mblidhen kardinajtë për të zgjedhur Papën e ri: është Kapela Sikstine, në zemër të Vatikanit. Po flasim, prandaj, përsëri për të.

Kujtojmë se Kapela Sikstine nuk është tjetër veçse Kapela e Madhe, e themeluar në vitin 1357 nga Urbani V, rindërtuar nga Siksti IV, nga i cili mori edhe emrin ndërmjet viteve 1475–1480. Muret anësore u pikturuan me afreske nga piktorë të famshëm toskanë e umbrë, si Pinturichio, Cosimo Rosselli, Botticelli, Ghirlandaio e Perugino. Balaustra, që e ndan më dysh Kapelën dhe këngtoria janë vepër e Mono da Fiesole, Giovanni Dalmatas e Bregnois. Më pas këtu punoi kryeveprat e veta Mikelangelo Buonarroti, i ngarkuar me këtë detyrë nga Papa Juli II. Qe ai që, duke mbuluar afreskun e Peruginos, realizoi, nën papninë e Palit III, në faqen e murit të Elterit, veprën e famshme “Gjyqi Universal” dhe vijoi të punojë edhe në mjedise tjera të Kapelës. Në qëndër të afreskut është Krishti gjykatës së bashku me Virgjërën Mari; rreth tyre, një lëvizje formash njerëzore: të vdekur, që rigjejnë trupat e tyre, të tjerë në ngjitje drejt qiellit, shenjtorë të panjohur ose të njohur nga mjetet me të cilat u munduan, engjëj në fluturim, fanfara engjëllore, legjione qiellore që rrokullisin në ferr shpirtra të dënuar, të cilët luftojnë me dëshprim për të shpëtuar nga djajtë. Pamje madhështore, para së cilës Papa Pali III kremtoi për herë të parë lutjet mbrëmësore. Pikërisht gjatë këtyre lutjeve Gjyqi Universal u zbulua para syve të mrekulluar të të pranishmëve. E edhe sot e kësaj dite mrekullohet çdo sy, që e shikon këtë kryevepër të papërsëritshme arti, disa prej figurave lakuriqe të së cilës qenë veshur nga Daniele da Volterra, me urdhër të Piut IV, në vitin 1565, për t’u rizhveshur, pastaj, gjatë restaurimit të fundit. Kapela është restauruar disa herë, për shkak të dëmtimit nga tymi i qirinjve, nga lagështira që hyn prej çatisë dhe elementë të tjerë. Restaurimi i fundit, nën papninë e Gjon Palit II, zgjati 13 vjet e përfundoi me një kremtim solemn eukaristik më 6 prill 1994.







All the contents on this site are copyrighted ©.