2013-03-10 13:52:23

Punimet e fundit në Kapelën Sikstine: mbi çati tashmë duket oxhaku


Konklavi, që do të hapet të martën, do të jetë i 75-ti i historisë së Kishës, në formën që e njohim sot; i 25-ti, që mbahet në Kapelën Sikstine, në Vatikan. E mbyllur që më 5 mars për përgatitjet, Kapela u hap dje për vizitën e një grupi të madh gazetarësh e fotoreporterësh, ardhur nga mbarë bota.
Vijonte puna, kur gazetarët hynë për vizitë. E, para se të hynin, patën mundësi të sodisnin oxhakun, vendosur dje, ku do të ngulen sytë e botës mbarë, në pritje të tymit të bardhë, që do të japë i pari lajmin për zgjedhjen e Papës së ri. Panë edhe dy stufat, me të cilat lidhet oxhaku, me formë tipike kineze, ku përfundon tymi.
I gjatë 30 metra, i gjerë një metër e gjysëm, mbulohet me një kapak, që e mbron nga shiu. Oxhaku i nënshtrohet disa provave, me tym të verdhë, pra as të zi e as të bardhë, për të mos i ngatërruar vizitorët, që i mbajnë sytë ngulur mbi të, nga Sheshi i Shën Pjetrit.
Tymitjet, sipas atë Lombardit, gjatë takimeve me gazetarët
Tymitjet realizohen duke djegur skedat, në përfundim të votimeve. Jo të çdo votimi, por vetëm të votimit të para e pasdites. Prej këndej, nëse nuk do të arrihet tek zgjedhja, ose zgjedhja do të bëhet në votimin e dytë të paradites a të mbasdites, oraret normale do të jenë rreth orës 19.00 të mbrëmjes e 12.00 të mesditës. Nëse zgjedhja do të përfundojë në votimin e parë të paradites ose në atë të parë të pasdites, tymi, në këtë rast, i bardhë, do të duket në gjysmën e paradites ose në gjysmën e pasdites. Papa Ratcinger, për shembull, u zgjodh gjatë votimit të parë të pasdites e, prej këndej tymi i bardhë u duk pas orës 17.00.







All the contents on this site are copyrighted ©.