2013-03-10 09:42:27

E diela e dytë e Selisë Vakante, pa Papën e nderit, Benediktin.


Pas dorëheqjes nga misioni papnor dhe fillimi i Selisë Vakante, e sotmja është e diela e dytë pa kremtimin e Engjëllit të Tënzot.
Nga lutja a parë e Mbretëreshës Qiellore, në maj të vitit 2005, deri tek lutja e fundme e Engjëllit të Tënzot, më 24 shkurtin e kaluar, për 455 herë me radhë e pritëm Papën Ratcinger të dilte në atë dritare mbi Sheshin e Shën Pjetrit, që sot e shikojmë të mbyllur, në pritje të dukjes të Papës së ri.
Në vend të Lutjes mariane, pikërisht në orën 12.00, valët e Radios sonë e kumtuan Orën e Engjëllit, ashtu si javën e kaluar, në gjuhët kryesore të botës, siç bënte Papa i nderit, kur përshëndeste besimtarët që e ndiqnin në Shesh e në mbarë botën përmes mjeteve moderne të komunikimit:RealAudioMP3
“Barka e Kishës nuk është imja, nuk është jona, është e Tija. E Zoti nuk e lë kurrë të fundoset!”.
Me këto fjalë iu drejtua Benedikti XVI mbarë besimtarëve të botës, në përfundim të papnisë së tij, më 28 shkurtin e kaluar.
Papa Ratcinger na la si kujtim një mendim, që e kishte fort për zemër:
“Ne jemi Kisha, Kisha nuk është organizatë, është korp i gjallë, bashkim vëllezërish e motrash në Korpin e Jezu Krishtit, që na bashkon të gjithë”.
Me këtë shpirt, duke kujtuar këtë takim kushtuar tradicionalisht kremtimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot, i ftojmë dëgjuesit tanë të bashkohen në uratë me të gjithë bashkësinë e krishterë universale, për zgjedhjen e Papës së ri.
E, në lutje, dëshirojmë të jemi pranë Benediktit XVI. Me të, të lutemi për kardinajtë, të cilët të martën e ardhshme do të hyjnë në Konklav. Të lutemi, që t’i shtrohen pa fjalë veprimit të Shpirtit Shenjt në zgjedhjen e Papës së ri e që Zoti vetë t’u flasë, për t’u treguar atë që dëshiron.
Nuk mund të mos na vijë në mendje, këto çaste, një pyetje: “Po javën e ardhshme, si do ta kremtojmë Lutjen mariane? A do ta shikojmë përsëri të hapur, dritaren e Engjëllit, mbi Sheshin e Shën Pjetrit? E vetë Sheshin, të përmbytur nga vala e besimtarëve? Sidoqoftë, ka shumë mundësi që të dielën e ardhsme të brohorasim përsëri me gjithë zemër për nisjen e një papnie tjetër, të një kohe tjetër për Kishën, gjithnjë të re.







All the contents on this site are copyrighted ©.